Zv.presidenti i Irakut, Allawi i thotë Jahjagës se njohja e pavarësisë së Kosovës është çështje kohe

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot me zëvendëspresidentin e Republikës së Irakut, Ayad Allawi.
Presidentja Jahjaga tha se që prej shpalljes së pavarësisë së saj, Kosova po e konsolidon demokracinë e brendshme dhe është shndërruar në një faktor të rëndësishëm të paqes e stabilitetit jo vetëm në rajonin e Evropës Juglindore si dhe një promovuese e fqinjësisë së mirë. Ajo tha se konsolidimi ndërkombëtar i vendit dhe pranimi i Kosovës në institucionet e organizatat ndërkombëtare ka një rendësi të veçantë dhe theksoi nevojën e rreshtimit së Irakut përkrah të gjitha atyre vendeve që e kanë njohur pavarësinë Kosovës.
Presidentja Jahjaga dhe zëvendëspresidenti Allaëi theksuan domosdoshmërinë e vazhdimit të komunikimit të ndërsjellë që do të ndihmonte edhe në njohjen më të përafërt të realitetit.
Zëvendëspresidenti i Republikës së Irakut, Ayad Allawi, theksoi se vendi i tij po përcjellë me vëmendje gjithë zhvillimet në Kosovë dhe tha se njohja e pavarësisë së saj është një çështje kohe. Zëvendëspresidenti i Irakut u pajtua me Presidenten Jahjaga për rëndësinë e shkëmbimit të vizitave e kontakteve të niveleve të ndryshme të të dyja vendeve si dhe shkëmbimit të përvojave në shtetndërtim.
Presidentja Jahjaga po qëndron në Jordani, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, me ftesë të mbretit Abdullah të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë.
Gjatë ditës së sotme në kuadër të punimeve të Forumit Presidentja Jahjaha ka takuar edhe ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Gordon Brown dhe profesorin Klaus Schwab, themeluesin dhe kryetarin e Forumit Ekonomik Botëror, me të cilët ka biseduar për çështjen e bashkëpunimit dy dhe shumë palësh me Kosovën në fushën e ekonomisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here