Ziadin Sela: U rrëfej Menduh Thaçin dhe veten time përballë tij

0
Një zë plot peshë dhe gjithnjë i pranishëm në zhvillimet politike të Maqedonisë, është pa dyshim dhe Ziadin Sela, i njohur së fundi dhe si kryetari e Lëvizjes për Reforma në PDSH.  Në një intervistë dhënë për tesheshi.com, ai shpalos të gjitha qëndrimet e tij rreth dorëheqjes së vet nga PDSH-ja e Menduh Thaqit, krizës politike në Maqedoni, Prokurorit Special dhe nevojën e Gjykatave ndërkombëtare, rezistencës së kryeministrit Nikolla Gruevski ndaj akuzave të njëpasnjëshme si nga oponenti i tij Zoran Zaev, ashtu edhe nga ndërkombëtarët, aferës koruptive të Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit në rastin “Magjar Telekom”, dhe në fund rreth platformës së tyre të përbashkët me RDK-në, e jo edhe me Lëvizjen BESA…
Ju u tërhoqët nga PDSH-ja e Menduh Thaçit për të ndërtuar një Lëvizje për Reforma në PDSH, ndërsa tani funksiononi si një parti e re. Si dhe pse erdhët deri këtu, dhe ku synoni të shkoni? 
Njerëzit që partinë, politikën e me këtë interesin publik, e shndërrojnë në pronë të tyren private nuk meritojnë vëmendjen e askujt. Përveç përbuzjes nuk besoj që meritojnë gjë tjetër. Megjithatë, për interes tuajin dhe të opinionit po ju them se unë kurrë s`kam qenë pjesë e PDSH-së së Menduh Thaçit, në ndërkohë që çdoherë kam qenë dhe jam pjesë e PDSH-së. Mund t’ju duket e çuditshme por kjo është e vërtetë. Ishte  përpjekja e Menduh Thacit për të më bërë anëtar të PDSH-së së Menduh Thaçit, ajo që krijoi çarjen në PDSH.
Çdo me thënë kjo?! T‘jesh anëtarë i PDSH-së së Thaçit duhet të jesh irracional dhe i dëgjueshëm, besnik dhe me nuhatje të mirë,  zagar tipik  që të nuhasësh disponimin e “kryetarit”, të ndjesh kur ai të humb në lagjen e tij edhe ti ta bësh po të njëjtën gjë te lagjja jote dhe e kundërta. Të dëgjosh p.sh në çdo mbledhje nga goja e vet Menduh Thacit qe po u largua ai nga partia do e çrregjistroj atë. Të dëgjosh edhe këtë tjetrën, nga vet ai, që nëqoftëse ai largohet nga kreu i partisë merr fund çështja kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni, dhe ajo që nuk thuhet por që nënkuptohet në këto raste është se unë jam  “mesia shqiptar” e ju të tjerët prezent dhe të tjerët që nuk jeni (të gjithë shqiptarët), jeni pleh i kombit.
Të shohësh se gjithçka është në shërbim të pronarit të partisë dhe pasurisë së tij personale dhe të bësh luanin gjoja në mbrojtje të kombit. Të kesh intelekt dhe të bësh naivin, të servilosesh me një fjalë. Unë nuk jam i tillë, anëtarësia e gjërë e PDSH-së dhe PDSH-ja pa prapashtesa, aspak s’ka të bëjë me këtë mbeturinë të oligarkisë që për fat të keq është ende funksionale në Maqedoni.
Dhe po, ne s’kemi asgjë të përbashkët me partinë e Menduh Thaçit dhe ne zgjedhjet parlamentare të rradhës, atë bashkë me Ali Ahmetin do i mundim.
Që nga momenti i shpalljes së kandidaturës suaj për kryetar të Strugës, u sollën afera të ndryshme se në këtë formë Menduh Thaqi po e kufizon veprimtarinë e Ziadin Selës që mos të rris simpatitë ndaj qytetarëve në foltoren e Kuvendit. E në këtë mënyrë do shmang çdo rezik se ai është qysh thonë në gjuhën e popullit “Baba i PDSH-së”? 
Çdo herë njerëzit i’a gatuajnë vet fundin vetes, frika që ata kanë shndërrohet në fundin real të tyre. Në politikë kam hyrë nga dashuria që kam për popullin tim dhe përgjegjësia që duhet të kemi për gjeneratat që do të na trashëgojnë. Unë për vete s’kam patur ndonjë qëllim për t`u bërë  baba i PDSH-së, as që pretendoj që të bëhem as baba i LR-PDSH-së(Lëvizja për Reforma-PDSH) dhe për këtë qëllim me statut të partisë mandati i kryetarit është i kufizuar në maksimum dy mandate. Frika ime e vetme është ardhmëria e shqiptarëve në Maqedoni dhe me gjërë, shpresoj që po e njëjta frikë, ardhmëria e shqiptarëve të jetë edhe fundi im politik.
Jemi dëshmitarë të një krize politike historike në Maqedoni. Si mund të zhbllokohet ky ngërç politik?  
Nuk mund të jetë krizë politike historike dhe në të njëjtën kohë, vetëm ngërç politik. Ju keni të drejtë kur i përfshini që të dyja bashkë në pyetjen që bëni sepse realisht kështu janë zhvilluar ndodhitë politike në Maqedoni, që nga momenti aferës së përgjimeve e deri më sot. Me fjalë tjera, nga një krizë politike historike që duhej të sillte ndryshime të mëdha sa i përket qasjes diskriminuese që shteti, sistemi, ka ndaj shqiptarëve në Maqedoni, u shndërrua vetëm në një ngërç politik  qeverisës dhe një luftë për ndërrim pushtetesh.
Kuptohet, prandaj janë të instaluar në pushtet dhe në opozitë, në skenën politike në përgjithësi njerëz të vegjël që i thonë vetes lider, e që janë aq të vegjël sa hyjnë e dalin nëpër sirtaret e shërbimeve sekrete sllave, sa herë që është e nevojshme në mënyrë që, problemet reale me të cilat përballen shqiptarët të shndërrohen në çështje të politikave ditore dhe të problemeve që opozita ka me pushtetin.
Eshtë e çuditshme se në bisedimet që zhvillohen nën patronatin e diplomacive të huaja perëndimore, kërkush nuk flet tanimë për Sopotin, për Monstrën, për Kumanovën dhe, më e rëndësishmja për përgjegjësinë ligjore të konstruktorëve të këtyre proceseve të montuara politike për të cilët unë mendoj se nuk duhet të ketë aspak mëshirë, në mënyrë që kurrë më mos të përsëriten gjëra të tilla. Dhe kjo përgjegjësi duhet të fillojë me shpalljen e pafajshmërisë të të dënuarve, zhdëmtimin e tyre dhe kuptohet burgosje për gjithë pa përjashtim prej te hetuesit, prokurorët, gjykatësit e deri te ai inspektori që ka guxuar me kërcënim dhe pistoletë në kokë të detyrojë dikënd të jap dëshmi të rrejshme.
Dhe kur jemi këtu LR-PDSH sapo të marr legjitimitetin do t`i hap të gjitha këto çështje sepse gjykojmë se krimet e këtyre “pushtetarëve” janë të barasvleshme me gjenocid, ashtu siç heshtja ndaj një çështje të tillë të bën bashkëpjesmarrës në gjenocid; fjalën e kam për Ali Ahmetin dhe BDI-në që janë bashkëpjesmarrës direkt të këtij gjenocidi.  Prandaj ngërçi politik  mendoj se do të zhbllokohet, gjithmonë nëqoftëse do të ketë zgjedhje fair dhe korrekte, ndërsa kriza politike në Maqedoni nuk mund të marrë fund pa u zgjidhur të drejtat kolektive të shqiptarëve. Kjo nuk do të ndodh derisa bllokun politik shqiptar e udhëheqin njerëz që janë nën kontrollin direkt të shërbimeve  sekrete .
A është zgjidhje vetëm përcaktimi i një Prokurori Special pa Gjykatë Speciale?  
Lëvizja për Reforma- PDSH që në fillimin e aferës së përgjimeve është deklaruar publikisht që në Maqedoni duhet të zbarkojnë gjykatat europiane. Në mbledhjen e parë të kuvendit qendror, menjëherë pas kongresit që mbajtëm në mars të këtij viti, është ripërsëritur ky qëndrim nga kuvendi qendror i LR-PDSH-së si organ më i lartë i partisë ndërmjet dy kongreseve. Kemi kërkuar që në Maqedoni të vijnë gjykatat speciale të Europës, proces ky që duhet të zhvillohet në  kuadër të dekriminalizimit që po ndodh në shtetet e rajonit, proces që me shumë se në çdo shtet duhet të zhvillohet në Maqedoni dhe që i njëjti është i përjashtuar nga ky proces.
Vazhdojmë ta mbajmë këtë qëndrim të cilin e ripërsëris edhe në çdo takim që kam me diplomatët e BE dhe SHBA. Diplomatët vlerësojnë se ky do të ishte hap mbrapa në rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE-së, konstatim të cilin kuptohet që ne e kundërshtojmë sepse më mirë do të ishte një kthim pas në këtë rrugëtim disa hapa në mënyrë që pastaj të hecim shumë më tepër hapa drejt kësaj familje të madhe, sesa një vendnumëro që Maqedonia e ka nga 2005 e deri më sot. Me këtë lloj sistemi drejtësie të korruptuar dhe të politizuar, Maqedonia kurrë nuk do të bëhet pjesë e BE-së. Kuptohet që, Prokurori Special nuk mund të jetë zgjidhja e krizës politike, e ngërçit politik po, ndoshta?! Kjo për vet faktin që çdo lëndë që prokurori do të përgatisë për në gjykatë do te përfundoj në gjykatësit të instaluar nga partia mëm dhe lideri baba.
Epilogu do të dihej tanimë dhe prandaj gjykojmë, se prokurori special nuk është zgjidhja e problemit, por tejkalim i ngërçit politik dhe anashkalim i krizës reale politike. Nuk e besoj që ndërmjetësit e bisedimeve nuk janë të vetëdijshëm për këtë fakt, por mendoj unë se ata një gjë duan të arrijnë.  Prokurori special mund të bllokojë zhirollogaritë bankare të këtyre oligarkëve dhe njerëzit e tyre ti fus në paraburgim, ky verpim do ti hapte rrugë zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, do të tejkalonte ngërçin politik dhe pastaj do të hapeshin proceset politike historike.
Çka i jep aq shumë siguri kryeministrit Nikolla Gruevski, meqë ky pa problem poireziston cdo akuze korruptive dhe presioni të opozitës, e kohës fundit nuk merr në dorë as ndërkombëtarët?  
Kontrolli që ai ka në të gjithë nivelet e pushteteve, dhe këtë siguri do e ketë derisa të ushtrojë këtë kontroll. Ai kontrollon pushtetin legjislativ (parlamentin), ekzekutivin (qeverinë), gjyqësorin (gjykatat), mediat dhe gjithë këtë komoditet ia krijojnë z. Ahmeti dhe z.Thaçi të cilët, Nikolla Gruevski poashtu i ka nën kontroll të plotë. Nëqoftëse nuk do të ishte kështu atëherë të jeni të sigurt që nga 2011 por edhe sot në këtë krize politike nuk do të ishte e nevojshme aspak të bëhet ndërhyrja e ndërkombëtarëve, por do të kishte shumicë tjetër dhe VMRO do të ishte në opozitë ndërsa lideri i tyre para përgjegjësisë.
Gjykata e New Yorkut para disa ditëve ka publikuar dëshmi nga afera e “MagyarTelekom”, ku thuhet se janë të inkriminuar lideri i Bashkimit DemokratikpërIntegrim z. Ali Ahmeti dhezv/kryeministër për Implementimine MO- z. Musa Xhaferi, duke marrë 5 milion euro nga kjo kompani. Si do të ndikojë e gjithë kjo te opinioni? 
Në kushte të demokracive perëndimore dhe të njerëzve me moral politik, nuk do të pritej epilogu nga opinioni por nga akti moral i dorëheqjes së tyre dhe nga gjykatat. Drejtësia mungon sepse gjykatat janë të politizuara. Sa për moralin e Musës dhe të Alisë të mos flasim. Opinionit iu qartësua përfundimisht se cili është çmimi i tradhëtisë që ju bë gjakut të dëshmorëve, cili është çmimi i fëmijëve të dëshmorëve që sot e kësaj dite vuajnë mungesën e prindërve.
Pesë milion euro kushtuan lotët e nënave për fëmijët e tyre, kaq e paska pas çmimin gjaku i shqiptarëve të Lubotenit; dhe po e njëjta shumë e ndarë dysh ndërmjet Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit. Kaq qenka çmimi i Sopotit, Monstrës, Kumanovës, nxënësve të rrahur, enciklopedisë… Liria për këta qenka e shitshme dhe e bleshme. Ky qenka çmimi për mosimplementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Opinioni kuptoi edhe një gjë tjetër me rëndësi me këtë rast, që hajdutllëqet e saja BDI çdoherë mundohet t`i fsheh  si gjoja luftë speciale qe shërbimet sekrete sllave i bëjnë BDI-së. Harrojnë se New Yorku s’ është as Moskva e as Beogradi dhe harrojnë se shërbyes më të mirë se këta sllavët kurrë nuk kanë pas, prandaj s’ kanë pse i luftojnë.
Po afrohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Lëvizja për Reforma në PDSH në këto zgjedhje do të dalë me një platformë të përbashkët me RDK-në, pse jo edhe meLëvizjenBesa? 
Sepse Lëvizja BESA nuk e pranoi një ofertë të tillë dhe vazhdon të mos e pranojë të njëjtën. Të tre subjektet kemi pasur disa takime të cilat për korrektësi nuk po permend se ku janë mbajtur dhe nën patronatin e kujt janë mbajtur . Për hir të opinionit po ju them se janë diskutuar tre çështje. E para platformë e përbashkët, e dyta lista të përbashkëta zgjedhore dhe e treta koordinim i aktiviteteve të përbashkëta. Në të tre këto çështje BESA minoi bisedimet.
Ne si LR-PDSH dhe RDK  rramë dakord në të tri çështjet dhe për rezultat kemi bërë bashkimin e që quhet Aleanca për Shqiptarët, kuptohet që dyert janë të hapura për të gjithë opozitarët e vërtetë.  Eshtë e çuditshme se kur ne flisnim për gjëra konkrete për platformën, BESA thoshte “jo ne jemi për të hap biseda”, a thua ti se deri tani kërkush s’ka hap biseda dhe shqiptarët paskan prit këto “shpëtimtarët” që dinë te flasin . Kur ne flisnim për shtetin binacional ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, ata na përgjigjeshin me një terminologji që unë besoj as vet se kanë të qartë çfarë do të thotë.
Thonin se: “ BESA është për shekullarizim në aspektin etnik”! Kur i pyet se a ka ndonjë model diku që keni marrë për bazë, ata heshtnin në ndërkohë që modele të tilla ka, jo tani por në mesjetë kur shtetet nacionale nuk egzistonin. Kur i pyet çdo me thënë kjo përsëri janë konfuz në sqarimet që i japin. Kur i pyet se cila do të ishte gjuha zyrtare në variantin që ja po pranojmë sekularitetin në aspekt etnik, nuk kanë përgjigje. Dhe pastaj habitesh kur i dëgjon tek thonë që janë  Autentik, Autonom dhe Autokton. Asnjë nga ketë tre “A” nuk shkojnë pa identitetin kombëtar, pa gjuhën si element bazë i kombit e mos flasim për çështje tjera që hap ky term “ sekularizim në aspekt etnik”. Shtrohet pyetja kujt i shërben gjithë ky konfuzion që po i servohet opinionit shqiptar nga ana e BESA-s?
Sa i përket çështjes së dytë lista të përbashkëta zgjedhore, ne si LR-PDSH dhe RDK kemi pranuar që në zgjedhjet e ardhshme të konkurojmë me lista të përbashkëta, në ndërkohë që Lëvizja BESA e ka kundërshtuar një gjë të tillë. Bashkimi opozitar nuk është materie abstrakte e promovuar për çdo ditë nëpër media, por është akt shumë konkret dhe që s’ka asnjë kuptim pa lista të përbashkëta zgjedhore. Dhe në ndërkohë që zhvilloheshin bisedimet në Prishtinë, koordinatori i Lëvizjes BESA paralajmëroi bisedime tjera tani në New York! Kuptohet se unë nuk i kam pranuar këto bisedime të reja pa përfunduar ata që kishim nisur, sepse kjo ishte tendencë e koordinatorit të lëvizjes BESA, ose i atij që rri prapa kësaj lëvizje, për t`i ik përgjegjësisë dhe asaj që ishim marr vesh në takimin e parë.
Po e njëjta strategji vazhdon edhe sot,  por tani me një motiv më shumë, e që është prishja e Aleancës për Shqiptarët, aleancë kjo ndërmjet LR-PDSH dhe RDK-së. Kësaj i shërben edhe takimi i përbashkët PPD dhe BESA si edhe propozimi i BESA-s për këshillin mbipartiak. Me pak fjalë, shpresoj të jem gabim por siç duket BESA deklarativisht kërkon bashkimin opozitar, por punon orë e çast për të mos u arrit kurrë ky bashkim. Pa marrë parasysh gjitha këto, dyert e Aleancës për Shqiptarët janë të hapura për të githë që bashkimin opozitar nuk e kanë lojë politike të radhës për të ruajtur status quonë politike të të sotshmes, por që e mendojnë këtë bashkim si mjet për zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve në Maqedoni.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here