Paris Saint-Germaini e ka konfirmuar se Neymari do të mungojë në të dyja ndeshjet kundër Manchester Unitedit për fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, për shkak të lëndimit që e pësoi një javë më parë.

Braziliani e lëndoi kyçin e këmbës së tij të djathtë gjatë ndeshjes së PSG-së kundër Strasbourgut në Kupën e Francës, më 23 janar. Gjendja e tij u analizua nga mjekët e klubit të martën dhe tani PSG-ja i ka publikuar rezultatet e testeve mjekësore, transmeton Gazeta Express.

Neymari do të mungojë për plot dhjetë javë, që ia pamundëson atij të marrë pjesë në disa nga ndeshjet më të rëndësishme të kampionit francez gjatë këtij sezoni, siç janë ndeshjet e Ligës së Kampionëve.

Lëndimi i Neymarit është një lajm shumë i keq për PSG-në dhe trajnerin Thomas Tuchel, pasi që 26-vjeçari ka një ndikim të madh në skuadër. Ai ka arritur t’i shënojë plot 19 gola në vetëm 21 ndeshje të zhvilluara këtë sezon, duke i ndihmuar kështu PSG-së të jetë lidere në Ligue 1.

Tucheli e pranoi edhe në fillim të kësaj jave se do të ishte shumë e vështirë që Neymari të kthehet në kohë për ndeshjet kundër “Djajve të kuq” dhe për fatin e keq të tij, parashikimi i doli i saktë.

Varësisht nga shërimi i Neymarit, ai mund të mungojë edhe në fazën e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, nëse PSG-ja arrin të fitojë kundër Manchester Unitedit. Tuchel nuk mund të mbështetet te ndihma e tij as për ndeshje të tjera të rëndësishme të Ligue 1.

Neymari i kishte humbur edhe një pjesë mjaft të madhe të ndeshjeve të sezonit të kaluar për shkak të një lëndimi tjetër, të ngjashëm me lëndimin që e ka pësuar tani.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here