Zbulimi që mund të ndryshojë historinë e evolucionit

0

Është një nga paraardhësit më të afërt të njeriut. Dominoi Europën dhe pjesën më të madhe të territorit të Azisë për qindra e mijëra vjet, por Neandertali mund të jetë më i vjetër sesa mendohej.

Një studim i ri i gjeneticistëve ka treguar se një koleksion kockash të fosilizuara, të zbuluara në një shpellë në veri të Spanjës, i përket një anëtari të hershëm të familjes së Neandertalit. Ky është gjenomi më i vjetër i siguruar nga fosilet e njerëzve të parë, që na kthen në rrënjët e origjinës së familjes së Neandertalit, më tepër se 300 mijë vjet më parë.

Antropologët besonin se Neandertali evoluoi fillimisht rreth 400 mijë vjet më parë, me shumë mundësi nga një specie më e hershme humane, Homo heidelbergensis. Por, analiza e koleksionit të kockave 430-mijë vjeçare të zbuluara në malet Atapuerca në Burgos të Spanjës, tregon se ato i përkasin Neandertalit.

Sipas kërkuesve, analiza e ADN-së sugjeron që Neandertali mund të jetë shfaqur para kësaj periudhe. Dr Matthias Meyer, drejtues i kërkimit, sugjeroi se Neandertali dhe kushëriri i tij, Denisovan, mund të jenë ndarë nga paraardhësi i tyre i përbashkët me njeriun modern rreth 765 mijë vjet më parë.

Zbulimi mund të trondisë formën aktuale të pemës së familjes së njeriut. Besohet se njeriu modern, Homo sapiens, është shfaqur për herë të parë në Afrikë rreth 200 mijë vjet më parë, para se të shpërndahej në të gjithë botën. Ndërsa kushëriri i tij më i afërt, Homo neanderthalensis besohet se ka evoluar nga Eurazia, nga një paraardhës i përbashkët. Ndërsa studimi i ri sugjeron se dy speciet mund të jenë ndarë më herët sesa mendohej./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here