Zbardhet vrasja e sarandjotit: Nuk ishin kosovarë vrasësit siq mendohej, dolën nga Kurbini

0

Katër ditë pas vrasjes së marangozit 30-vjeçar në Sarandë, Edmond Mehmetit policia e ka zbardhur këtë krim të rëndë, duke vënë në pranga tre të dyshuar dhe shpallur në kërkim tre të tjerë, të gjithë pjesëmarrës në ekzekutimin e të riut. Burimet policore bënë me dije se pavarësisht se fillimisht u mendua se ai ishte konfliktuar me një familje nga Kosova, mësohet se ata janë nga Kurbini, katër prej të cilëve nga fshati Gjorm dhe dy të tjerë nga qyteti i Laçit.
Informacioni për zbardhjen e vrasjes së Edmond Theodhorit (Mehmetit) është bërë publik nga Drejtoria e Policisë së Vlorës, e cila në bashkëpunim me Komisariatin e Sarandës dhe atë të Laçit kanë bërë të mundur arrestimin e tre prej autorëve të dyshuar të këtij krimi. Burimet zyrtare të policisë deklaruan se fillimisht, në pranga kanë përfunduar Ledi Hysa, 25 vjeç, dhe Ajman Zyba, 21 vjeç, të dy banues në Laç. Sa u përket dy të arrestuarve, policia tha se ata janë pa precedentë penalë, por Ledi Hysa njihet edhe me dy emra të tjerë, si Enkelejd Saba (Hysa) dhe Ben Saba (Hysa). Veç tyre, policia tha se ka arrestuar edhe Ylli Reçin, 23 vjeç, banues në Gjorm të Krujës dhe shok me dy të arrestuarit e parë. Burimet policore bënë me dije se identifikimi i tyre është bërë në bazë të dëshmive të mbledhura për makinat që ata përdornin, por asnjë prej tyre nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në konflikt. Sipas grupit hetimor, në konflikt me marangozin 30-vjeçar ishin përfshirë dy nga tre të shpallurit në kërkim, pikërisht xhaxha e nip po nga fshati Gjorm.
Sipas hetimeve të kryera nga policia, është konkluduar se gjithçka ka nisur në orët e para të datës 10 korrik. Rreth orës 00:10 minuta, Edmondi mësohet se ka pasur një konflikt me dy persona, xhaxha e nip, të cilët tashmë janë identifikuar si Gani Hysa, 41 vjeç, dhe Keivi Hysa, 23 vjeç. Menjëherë pas këtij konflikti mësohet se xhaxha e nip e kanë paralajmëruar 30-vjeçarin se hakmarrja e tyre nuk mbyllej aty, duke i thënë se “ti nuk i mbush 24 orë jetë me këtë që ke bërë”. Pa kaluar shumë minuta, rreth orës 01:00, Gani dhe Kejvi janë takuar edhe me vëllain e këtij të fundit, Elion Hysa, 31 vjeç. Ky i fundit mësohet se kur është kontaktuar nga xhaxhai dhe vëllai ka qenë bashkë me tre të arrestuarit e lartpërmendur.
Në gjaknxehtësi e sipër, ata janë nisur të gjashtë për të gjetur marangozin. 30-vjeçari është kërkuar vazhdimisht nga gjashtë personat e lartpërmendur, deri në momentin kur është gjetur në rrugën Turizëm ­ Kanali i Çukës, ku është ndaluar nga tre të dyshuarit e arrestuar dhe tre të tjerët në kërkim. Sipas të dhënave nga policia, mendohet se autorët, pasi e ndaluan Mehmetin, kanë thyer me shkop bejsbolli xhamat e mjetet dhe shoferin e kanë nxjerrë me forcë nga automjeti. Burimet policore thanë se në ato momente, shoferi 30-vjeçar, Edmond Mehmeti, është goditur me shkop bejsbolli, me qytën e një pistolete, me grushte dhe me shqelma. Pas dhunës çnjerëzore ndaj tij, një prej autorëve ka marrë pistoletën dhe e ka qëlluar 30-vjeçarin me plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia tha se menjëherë pas këtij krimi të rëndë, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa që në mëngjesin e së nesërmes, ata janë larguar nga Saranda. Në këto kushte, policia i ka përqendruar hetimet te dëshmitarët në momentin e konfliktit të parë, të cilët kanë dhënë përshkrimin e xhaxhait dhe nipit. Nëpërmjet këtyre dëshmive është gjetur vendi ku ata po qëndronin me pushime, por kur kanë ushtruar kontroll, nuk i kanë gjetur aty. Pronarët e ambienteve të lëshuara me qira për ta, kanë treguar se gjashtë personat nga Kurbini ishin larguar menjëherë, duke i ndërprerë pushimet, pavarësisht se nuk kishin shumë ditë që kishin shkuar për t’i kaluar pranë qytetit bregdetar. Në këto kushte, policia ka identifikuar gjashtë personat e dyshuar dhe i ka shpallur në kërkim. Madje, për kapjen e tyre është kërkuar ndihma e Komisariatit të Laçit dhe dje janë vënë në pranga tre prej tyre, ndërsa tre të tjerët nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre dhe janë shpallur në kërkim./Gazeta Shqip/

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here