Ymeri: Thaçi po përpiqet t’i zvogëloj sadopak protestat gjithëpopullore…

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka dalë sot me një reagim kundër deklarimeve të zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi rreth qëndrimeve të opozitës.

Ymeri duke e quajtur një “hartim” adresimin e Thaçit ka thënë se ai po përpiqet “të zvogëloj sadopak protestat gjithëpopullore që do nisin në 9 janar, e që do të vazhdojnë deri në largimin e këtij pushteti të papërgjegjshëm.”

“Gjykata Kushtetuese tregoi që marrëveshja e 25 gushtit shkel 23 nene të Kushtetutës. Thaçi në vend që të japë llogari, siç kishte premtuar, po insiston në ringjalljen e ‘Zajednicës” është shprehur ndër të tjera Ymeri.

 

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të kreut të LVV-së, Visar Ymeri:

 

“Zëvendëskryeministri që mezi pret të bëhet president sot ka shkruar një hartim ku si zakonisht kërcënon opozitën. Hashim Thaçi, pretendent për president po përpiqet të zvogëlojë sadopak protestat gjithëpopullore që do nisin në 9 janar, e që do të vazhdojnë deri në largimin e këtij pushteti të papërgjegjshëm.

Hashim Thaçi i cili kritikon opozitën se kinse po vepron “për pushtet” harron që ai vetë “u nominua” për president njësoj si personazhet e Big Brother-it, pasi nënshkroi një marrëveshje të fëlliqur të ndarjes së pushtetit me aleatët e tij, Isa Mustafën edhe Listën Srpska, bashkë me të cilët ai krijoi Qeverinë e Rashkës. Për pushtetin e presidentit, pra për post e për pozitë, ai themeloi një Qeveri që ka punuar vetëm për Serbinë në Kosovë, e kundër Kosovës si republikë e qytetarëve të saj.

Këta partnerë qeverisës fillimisht kishin premtuar qindra mijëra vende pune, por në aspektin ekonomik sollën vetëm rritje të pasurisë së tyre milionere, e varfërim të skajshëm të popullit.

Kjo qeveri nuk solli asnjë investim të ri e të menccëm në ekonomi, në infrastrukturë, në bujqësi, në shkolla, në spitale. Kjo qeveri nuk nisi ndonjë fushatë për luftën ndaj korrupsionit dhe për vendosjen e drejtësisë. Të vetmet “dhurata” që i ka bërë kjo qeveri popullit të saj në 2015 kanë qenë negociatat e pambarimta me Serbinë, deklaratat raciste të Jabllanoviqit, themelimi gjarpëror i Gjykatës Speciale, marrëveshja ku i falen Malit të Zi 8200 hektarë, dhe marrëveshja për krijimin e “Zajednicës”, e cila e shkel Kushtetutën e Kosovës në plot 23 pika, dhe së fundi, nënshkrimi shumë i dëmshëm i memorandumit për “Kosovën e Re” me Contour Global.

Sot Thaçi nuk guxon të flasë fare për marrëveshjen e 25 gushtit, por bën sikur e ka harruar atë. Gjykata Kushtetuese tregoi që ajo marrëveshje shkel 23 nene të Kushtetutës. Thaçi në vend që të japë llogari, siç kishte premtuar, po insiston në ringjalljen e “Zajednicës”.

Si frikacak i pandershëm, Hashim Thaçi nuk guxon të flasë për dështimet e qeverisë dhe të ministrisë së tij. Si mashtrues i kahmotshëm ai edhe sot dredhon prej përgjegjësisë së vet, dhe flet për protestat e opozitës, që sipas tij do të jenë të dhunshme.

Janë të njëjtat gënjeshtra që këta i thonë sa herë që duan të shtypin opozitën. Të njëjtat gënjeshtra i thanë edhe para protestës masive opozitare në 28 nëntor. Por kësaj qeverie dhe vetë Thaçit po i afrohet fundi i pushtetit. Këta njerëz të stërkorruptuar, që jetojnë në luksin e vjedhur prej popullit të stërvarfëruar, nuk do të mund ta shesin Kosovën.

Protesta e 9 janarit ka për të qenë madhështore, dhe vendimtare. Hashim Thaçi dhe shefi i tij Isa Mustafa, janë të ftuar të numërojnë pjesëmarrësit, dhe të shkruajnë statuse, nëse s’kanë punë tjetër. Në qeveri janë kallëzuar të paaftë dhe kriminalë. Opozita e bashkuar me qytetarët ka për të fituar.”

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here