Ymeri: Ekonomia “trickle down” nuk ka rezultuar e suksesshme

0

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, i ftuar si panelist në diskutimin e organizuar nga Forumi 2015, me temë ruajtjen e pasurive publike në Kosovë, ka këmbëngulur në domosdoshmërinë strategjike për të ruajtur e për të zhvilluar sektorët strategjikë të ekonomisë së Kosovës, “jo vetëm përmes kapitalit privat por sidomos duke angazhuar edhe kapitalin publik”. Ymeri ka thënë se “prioritet duhet të jetë punësimi dhe shpërndarja sa më e gjerë e të ardhurave, pasi siç po e pohojnë edhe qëndrimet e fundit të FMN-së dhe të institucioneve ndërkombëtare financiare, ekonomia ‘trickle down’ nuk ka rezultuar e suksesshme në rritjen e mirëqenies, përkundrazi”.
Ymeri gjithashtu ka vënë theksin tek nevoja e përfshirjes më të madhe të aktorëve të ndryshëm shoqërorë, sindikatave, akademisë, medieve e sidomos edhe të Kuvendit të Kosovës në mbikëqyrjen e qeverisë, “e cila shpesh në mënyrë jotransparente ka marrë vendime në dëm të ekonomisë, duke cenuar sovranitetin ekonomik të Kosovës e duke rritur papunësinë”.
Në diskutim janë prezantuar disa studime nga instituti RIINVEST dhe organizata “Çohu!”. Në këto studime janë paraqitur shqetësimet “mbi proceset jotransparente, jodemokratike, shpeshherë edhe joligjore e me natyrë të dyshimtë, sa u përket proceseve të koncesionimit të aeroportit “Adem Jashari”, privatizimit të KEDS-it, projektit të ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup, dhe menaxhimit partiak e nepotist të PTK-së”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here