Ylli i Kosovës, Arbër Zeneli, është afër transferimit në klubin francez, Stade de Reims. Marrëveshja mes klubit aktual të kosovarit, Heerenveenit, dhe francezëve pritet të kompletohet gjatë ditëve në vazhdim.

Kontrata e 23-vjeçarit përfundon në qershor të këtij viti dhe atij i është dhënë leja për të udhëtuar në Francë për ta arritur marrëveshjen me Reims, që pritet të jetë klubi i tij i ri, transmeton Gazeta Express.

Ende nuk dihet nëse Zeneli do ta nënshkruajë një marrëveshje tani për t’iu bashkuar klubit të Ligue 1 qysh tani, apo do të mbetet deri në fund të këtij sezoni në Heerenveen. Nëse ai transferohet tani, Reims do të duhet t’ia paguajë një shumë ta caktuar klubit holandez. Nëse presin deri verës, atëherë Zeneli do të shkojë si transferim i lirë.

Për Zenelin ishin interesuar edhe disa klube të tjera, ndër të cilat fillimisht kishte shprehur interesim gjiganti turk, Fenerbahce. Megjithatë, kosovari nuk e kishte pranuar ofertën e klubit turk, pasi që kishte bërë të ditur se synon të luajë në liga më të mëdha.

“Më vjen keq për tifozët. Me gjithë respektin për klubin turk unë dua të shkojë në ndonjë ligë më të madhe si në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani, apo diçka ngjashëm. Futbollit kur nuk i dihet dhe të shohim se çfarë do të ndodh”, kishte deklaruar Zeneli për mediat holandeze. 

Javën e kaluar, mediat angleze kishin raportuar edhe gjiganti i Premierligës, Chelsea, është i interesuar t’i sigurojë shërbimet e Zenelit. Ky i fundit, i pyetur nga Gazeta Express, kishte thënë se për momentin është i interesuar vetëm për të tashmen.

“Për momentin dua të fokusohem në ndeshjen ndaj Ajaxit e më pas do të mendoj për të ardhmen”, ishte shprehur Zeneli për “Express”. 

Zeneli ka arritur ta fitojë interesimin e të gjitha këtyre klubeve përmes paraqitjeve mbresëlënëse gjatë këtij sezoni, si për Heerenveen, ashtu edhe për Kosovën. Për klubin holandez, ai i ka bërë 20 paraqitje gjatë këtij sezoni. Gjatë këtyre ndeshje, ai i ka shënuar katër gola dhe i ka asistuar 11 të tjera.

Federata e Futbollit të Kosovës e zgjodhi Zenelin si futbollistin më të mirë për vitin 2018, pas kontributit që dha ai në Ligën e Kombeve. Në këtë garë të UEFA-s, djelmoshat e Bernard Challandes arritën ta fitojnë grupin 3 të Ligës D, duke e siguruar promovimin në Ligën C dhe një vend në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here