Xhavit Haliti:autoritetet kosovare nuk duhet të heshtin për pjesmarrjen ose jo të kosovarëve në përleshjet e Kumanovës

0

Ish anëtari i SHP të UÇK-së në Kosovë dhe nënkryetari aktual i Parlamentit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës Xhavit Haliti deklarohet përmes rrjetit social Facebook lidhur me ngjarjet e fundit në Kumanovë,përkatësisht në Republikën e Maqedonisë.Një ndër shqetësimet e Xhavit Halitit është heshtja e organeve kompetente të Republikës së Kosovës lidhur me deklarimet e Qeverisë së Maqedonisë për pjesmarrjen e disa qytetarëve kosovar në kuadër të grupit që u përlesh me policinë dhe ushtrinë maqedonase.

“Nuk kemi informacione rreth këtyre personave, nëse janë në Kosovë apo vërtetë janë kapur apo vrarë në Maqedoni”,thotë Xhavit Haliti.

Ja postimi i plotë i tij:

“Rreth ngjarjeve të fundit në Kumanovë

Besoj që të gjithë e kemi parë atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë më 8 dhe 9 maj. Vlerësoj se situata është shumë e rëndë, me shumë viktima, të arrestuar dhe me shumë dëme materiale.

Mbi bazën e asaj që kanë deklaruar në medie, organet shtetërore maqedonase, pasi këto të Kosovës janë tepër të mbyllura, duket se disa persona që kanë marrë pjesë në këto ngjarje janë nga Kosova, persona të njohur për opinion kosovar. Nga organet e Kosovës nuk kemi informacione zyrtare që e mohojnë ose e pohojnë këtë fakt, dhe është e pakuptimtë heshtja e tyre. Nuk kemi informacione rreth këtyre personave, nëse janë në Kosovë apo vërtetë janë kapur apo vrarë në Maqedoni.
Nëse janë atje, cili ishte roli i tyre? Janë vërtetë pjesë e një grupi, siç po quhet në medie UÇK, apo kemi të bëjmë me njerëz me precedente penale që janë përfshirë në akte kriminale në bashkëpunim me shtetas të Maqedonisë. A kanë informacione organet kompetente të Kosovës: policia, agjensitë informative të intelegjencës rreth tyre, për veprimet e tyre në Kosovë, apo në Maqedoni.
Për më tepër, a ka patur një plan, pjesë e të cilit kanë qenë këta persona nga Kosova për ta destabilizuar Maqedoninë.
Kjo duhet të sqarohet, pasi politikanë në Maqedoni po flasin hapur për një plan të tillë. Presidenti maqedonas, Ivanov, deklaroi publikisht se tre muaj më parë kishte informuar KS të OKB-së dhe vendet e NATO-s për një grup personash që kërkojnë ta destabilizojnë Maqedoninë. A mos e pati fjalën për grupin që u godit dhe që u tha se është përgjegjës për sulmin në Goshincë?
Të na thonë hapur organet tona: A dinë gjë rreth këtij grupi, pasi kryetari i Partisë Dinjiteti në Maqedoni, Angelov, deklaroi më 4 prill: “Dikush në vendin tonë ka bërë një plan monstruoz për konflikt ndëretnik, dhe kemi informacion se u janë dhënë 2 milionë euro shqiptarëve, të cilët nuk kanë lidhje me UÇK-në. Detyra e tyre ishte të paraqitën si UÇK dhe të bëjnë vrasjen e disa pjesëtarëve të policisë apo ushtrisë dhe të shkaktojnë konflikt ndëretnik. Dikush tjetër ka përgatitur një skenar të tillë, për atë dola me këtë deklaratë. Në ditët e ardhshme mund të ketë përshkallzim të situatës, por këtë gjë nuk e lejojmë”.
Këtë e ka deklaruar një maqedonas dhe jo një shqiptar. A e ka marrë kush seriozisht këtë deklaratë nga agjensitë ligjzbatuese, pasi ajo është thënë para medieve?
Nisur nga ajo që deklarova më lartë, kërkoj që në sallën e Kuvendit apo dhe në komisionet parlamentare, organet e ngarkuara me ligj për sigurinë të raportojnë dhe të nxjerrin përgjegjësitë, nëse ka vërtetë përgjegjësi nga Kosova për gjithë atë masakër që u bë në Kumanovë.
Uroj që ne të mos jemi përgjegjës me neglizhencën tonë për atë çka ka ndodhur te shqiptarët e Kumanovës, se në të kundërtën do të ishte e pafalshme”.

XHH

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here