VV: “Kosova e re” 100 për qind private e vë Kosovën në pozitën e të kapitulluarit

0

PRISHTINË, 9 SHKURT – Lëvizja Vetvendosje e ka tërhequr vërejtjen sot përmes një komunikate se projekti “Kosova e Re” do të jetë plotësisht në pronësi private duke përjashtuar tërësisht interesin publik të Kosovës nga një projekt madhor që pritet të ndërtohet në Kosovë. “Përfitimet e vetme që pritet të ketë Kosova sipas këtij projekti janë tatimet, tantiemat si dhe të punësuarit që me gjithë rëndësinë janë shumë pak krahasuar me përfitimet që do të vinin nga një TEC në pronësi publike apo publiko-private”, është theksuar nga VV. Në komunikatë është folur për një çmim të lartë të këtij projekti dhe pamundësinë e krahasimit të ofertave meqenëse nuk ka patur ofertë të dytë. Dhe kjo kosto e ndërtimit të TEC-it “Kosova e Re” sipas VV-së do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e prodhimit të energjisë elektrike e që si pasojë do të ndikojë më pas në tarifën e energjisë elektrike që e paguan ekonomia e Kosovës dhe qytetari i Kosovës. VV është shprehur për një TEC në pronësi 100% publike që sipas saj do ta vendoste “Kosovën e Re” në një pozitë të favorshme kontrolli dhe kushtëzimi ndaj furnizimit dhe kostos së furnizimit me energji elektrike për ekonominë vendore. Në rastin e tanishëm ndërkaq “sikur me Bechtel-Enkën, në raste të tilla është kompania, konkretisht ‘Contour Global’ ajo që i përcakton kushtet e kontratës ndërkohë që institucioni publik vendoset në pozitën e të kapitulluarit dhe i pranon të gjitha kushtet”. “Republika e Kosovës e ka të domosdoshme që të investojë në burimet e energjisë në mënyrë që t’i shfrytëzojë resurset e veta energjetike për të ndërtuar përparësi krahasuese për industrinë e vet. Kjo bëhet duke e kuptuar energjinë si infrastrukturë zhvillimi, e jo vetëm si mall për shitje”, ka vequar VV. “Euforia privatizuese dhe shkatërruese e publikes po e shndërron çdo gjë në mall. Kështu, mund të rritet potenciali përfitues për kompani të veçanta, por po shkatërrohet mundësia e zhvillimit të një ekonomie prodhuese në shkallë, që do t’i zëvendësonte importet e rriste eksportet. Pa të nuk ka rritje të vendeve të punës, rrjedhimisht nuk ka rritje të mirëqenies për qytetarët. Dhe m’u këtyre qytetarëve pa mirëqenie politikat e tilla po ua shtrenjtojnë edhe çmimin e energjisë elektrike”, ka tërhequr vërejjten Lëvizja Vetvendosje.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here