VV: “Gjykata Speciale nuk i lë asgjë nga shteti i së drejtës, Kosovës”

0

 

PRISHTINË, 19 SHKURT – Procesi i themelimit të Gjykatës Speciale sipas Lëvizjes Vetvendosje nuk i lë asgjë nga shteti i së drejtës Kosovës. “Mbikëqyrja e punës së kësaj gjykate dhe zyra e prokurorit nuk i nënshtrohen asnjë mbikëqyrjeje nga Këshilli Gjyqësor, gjyqtarët pa përjashtim që të gjithë janë ndërkombëtarë dhe të njëjtit nuk emërohen sipas procedurave të parapara me legjislacionin në fuqi. Kontrolli ligjor dhe kushtetues kalon nëpër fazat procedurale tërësisht të pavarura me rregullimin aktual”, kanë vequar sot Albulena Haxhiu dhe Glauk Konjufca nga Vetvendosja në një konferencë shtypi. “Dhomat do të kenë selinë edhe në Kosovë krahas edhe një vendi tjetër, por ku, nuk specifikohet në ligj. Për zyrën e prokurorit është vënë opsionale që selia të jetë në Kosovë. Pra, në parim selia e prokurorisë është jashtë vendit”, kanë përmendur elemente të caktuara, ata. “Ndër veçoritë më të rëndësishme është se me ndryshimet kushtetuese, gjykatës do t’i jepet mundësia që të lidh marrëveshje të karakterit ndërkombëtar, pa kaluar procedurat për ratifikim siç është paraparë me Nenin 19 të Kushtetutës. Kemi të bëjmë me precedent në të drejtën ndërkombëtare, kur një gjykatë e fut një shtet të pavarur në obligime ndërkombëtare, qofshin ato bilaterale apo multilaterale”, ka qenë një shqetësim tjetër i përfaqësuesëve të VV-së. Aty është njoftuar se të gjitha gjykimet dhe dënimet nga Gjykata Speciale do të mbahen dhe ekzekutohen jashtë territorit të Republikës së Kosovës. “Kjo paraqet një problem në kuptimin e përgjithshëm, sepse Kuvendi është dashur që me një vendim të veçantë të njoh të drejtën e ekstradimit të qytetarëve të vet, e jo përmes një pakoje të kategorisë kushtetuese të njihet e drejta e ekstradimit dhe ekzekutimit të dënimeve ndaj shtetasve të një shteti të pavarur në këtë mënyrë”, kanë thënë reprezentët e VV-së. Dënimi më i lartë që mund ta shqiptojë kjo Gjykatë është dënimi me burgim të përjetshëm. Dhomat përbëhen nga gjyqtarët ndërkombëtarë që zgjidhen me një konkurs ndërkombëtar e që përzgjidhen nga një panel i veçantë, i përbërë prej tre anëtarëve. Pas përzgjedhjes së tyre, emërimi i tyre bëhet nga Shefi i Misionit të EULEX-it. Në Kapitullin 1 , neni 1.2 sipas njoftimeve të VV-së “specifikohet qartë” qëllimi i Gjykatës Speciale: “fushëveprimi i saj ka të bëjë me pretendimet e Raportit të senatorit zviceran Dick Marty”. Raporti i Dick Marty, siq kanë thënë deputetët e VV-së “është kurorëzim i një iniciative ruse e serbe dhe dështim mjaft serioz i politikës sonë qeveritare, i diplomacisë sonë pasive, si dhe i miqve tanë ndërkombëtarë”. Është tërhequr vërejtja se “Gjykata Speciale po krijohet edhe përkundër faktit që 3 instanca të rëndësishme ndërkombëtare, kanë përfunduar hetimet e tyre pa gjetjen e ndonjë fakti relevant”. “Krijimi i kësaj Gjykate enkas për UÇK-në është një dështim kapital me pasoja të pallogaritshme kombëtare, për popullin dhe interesat tona. Ky dështim është i barasvlershëm me çarmatosjen e UÇK-së, dhe ky proces i dëmshëm pa dyshim që simbol të vetin politik e ka ish kryeministrin Thaçi. Pasi UÇK-ja u çarmatos e u shkatërrua, pasi ajo u shporr nga vlerat tona institucionale e kushtetuese, tash po i nënshtrohet kapitullit të fundit të ndëshkimit moral e politik”, u tha në konferencën për shtyp të VV-së.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here