Vullnetarja italiane: Shqiptarja e arrestuar për terrorizëm islamik deri vonë hante mish derri

0

Shtypi italian i ka kushtuar një vëmendje të veçantë arrestimit të dy familjeve shqiptaro-italiane, nën akuzën e terrorizmit. Së fundmi janë publikuar dëshmi të reja mbi jetën e familjes shqiptare në Itali. Një vullnetare italiane e Caritasit, e cila ndihmonte në rritjen e dy fëmijëve të Arta Kacabunit, shqiptares 41-vjeçare, tezja e muxhahedinit Aldo Kobuzi në Siri, e arrestuar në Itali me akuzën e terrorizmit ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Martesa”, ka përcjellë në media detaje nga jeta e shqiptares së arrestuar.
“Arta deri në fund të gushtit të 2013, ishte një grua normale, i pëlqente të bënte tualet, madje hante dhe salsiçen e derrit të ndaluar nga Kurani”, ka thënë ajo. Por një vizitë në Shqipëri e transformoi atë dhe ajo u kthye në Itali e mbuluar kokë e këmbë. Sipas saj, e motra Donika Çoku e kishte bindur të përdorte veshjet myslimane. Madje e motra nuk e lejonte të punonte as në vreshtat e të mblidhte rrushin, pasi me të bëhej verë e konsiderohej mëkat nga Kurani.
Donika Çoku, e motra e Arta Kacabunit dhe Baki Çokut, 37-vjeçarit të arrestuar në Shqipëri, ndodhet në Siri së bashku me djalin e saj, Aldo Kobuzin, e bashkëshorten e tij Fatima az-Zahra (Maria Giullia Sergio). Gjithashtu, së bashku me Donikën, në Siri ndodhet edhe vajza e saj, Seriola Kobuzi, me fëmijën e lindur nga martesa me Maringlen Dervishllarin, pogradecarin e vrarë pak muaj më parë në luftime. Sipas vullnetares italiane, Arta Kacabuni fliste shpesh me motrën e saj Donikën, e cila punonte e ndjehej mjaft mirë në Siri. Madje Arta Kacabuni komunikonte pothuajse çdo ditë dhe me familjen e italianes Fatima az Zahra (Maria Giulia Sergio).
Sipas saj, Arta Kacabuni i detyronte fëmijët e vegjël të luteshin pesë herë në ditë e të respektonin Ramazanin. “Tre ditë para se të arrestohej, Arta më thotë se duhet të ndryshoj emrat e fëmijëve në emra të vërtetë mysliman. Përballë mendimit tim kundër, ajo replikon se këtë gjë ia kishte kërkuar e motra në Siri e se donte që emrat e nipërve të saj të ishin emra të vërtetë myslimanë”, ka thënë ajo. “Aldo Kobuzin e kam takuar disa herë në shtëpinë e Artës. Ishte gjithmonë i lidhur në internet me sitet radikale islamike. Një ditë më tregoi se një grua myslimane kishte vdekur, pasi kishte hequr vellon. Allahu mori hak, duke e zhdukur”, ka vijuar më tej ajo.
Vullnetarja tregon edhe për njohjen me Fatima az Zahra, të cilën e ka takuar në shtëpinë e Artës. “Shkolla sapo kishte nisur e duhet të ishte fillimi i muajit shtator, më 2014. Ma prezantuan si bashkëshorten e Aldos. Në shtëpi nuk mbulohej, i kujtoj flokët e saj ngjyrë gështenjë. Më pyeti nëse isha e krishterë e shtoi se dhe ajo ishte dikur, por kishte përqafuar fenë islame si një besim fetar më i pastër”, ka thënë ajo. Pak ditë më vonë, më 21 shtator të 2014, Aldo Kobuzi, së bashku me Fatime az Zahra u larguan nga Italia drejt Turqisë e më pas në Siri, në mbështetje të Shtetit Islamik (ISIS).
Autoritetet italiane kanë vënë nën hetim dhe një çift shqiptarësh, si të përfshirë në celulën terroriste që u zbulua nga krushqia mes dy familjeve shqiptare dhe italiane, përmes operacionit “Martesa”. Nën hetim është çifti shqiptar Dritan Gjecaj e Ljubjana Gjecaj, rezidentë në Bergamo. Materiali hetimor vërteton se çifti Gjecaj, jo vetëm u ka ofruar shtëpinë si bazë qëndrimi çiftit të ri, por dhe ka paguar biletat e tyre të avionit për të udhëtuar nga aeroporti i Fiumiçinos në Romë drejt Turqisë e më pas në Siri. Apartamenti i Ljubjana e Dritan Gjecaj është kontrolluar imtësisht nga policia italiane. Çifti Ljubjana e Dritan Gjecaj nuk janë të arrestuar, por janë persona nën hetim për favorizim në organizim terrorist.
Sot pritet të nisë procesi i marrjes në pyetje për katër personat e arrestuar në Itali, pjesëtarë të celulës terroriste italo-shqiptare. Përballë hetuesit të çështjes Ambroxhio Moçia në ambientet e burgut Bollate të qytetit të Milanos do të ulet shqiptarja 41-vjeçare Arta Kacabuni, tezja e Aldo Kobuzit. Ndërsa marrja në pyetje për familjarët e Maria Giulia Sergio (Fatima az Zahra), bashkëshortes së Aldo Kobuzit, Sergio Sergio 61 vjeç, babai i Maria Giulia Sergio; Assunta Buonfiglio 60 vjeç, nëna e Maria Giulia Sergio dhe Marianna Sergio 30 vjeç, motra e saj, do të kryhen në ambientet e burgut San Vittorio, po në qytetin e Milanos.
Gjithashtu, organi i akuzës në Itali bën publik faktin se është aktivizuar procedura e ekstradimit drejt Italisë për Baki Çokun, 37 vjeç, daja i Aldo Kobuzit, arrestuar në Shqipëri. Autoritetet italiane po koordinojnë hetimet në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës dhe forcat e policisë së disa vendeve. Në dosjen hetimore i kushtohet vëmendje të veçantë tre personave, të konsideruar mjaft të rrezikshëm e që kanë influencuar në aktivitetin e celulës terroriste italo-shqiptare. Ata janë: emiri Ahmed Abu Alharith, koordinuesi i mbërritjes së luftëtarëve të huaj në Siri, Abu Sauarin, përgjegjës i luftëtarëve francezë që mbërrijnë në territorin islamik, si dhe një nënshtetas libian, Bassiouni Abdallah, koordinues i nisjes së luftëtarëve të xhihadit nga Libia./Shekulli/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here