Vuçiq në muajin maj ia “kthen” vizitën Edi Ramës në Tiranë

0

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq do të jetë në Tiranë në fund të muajit maj, për të marrë pjesë në takimin e kryeministrave të vendeve anëtare të Procesit të bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, “Seecp”, nismë e cila kryesohet nga Shqipëria.

Këtë e konfirmuan për Zërin e Amerikës burime diplomatike në Tiranë, ndërsa është pohuar dhe në Beograd edhe nga vetë kryeministri serb.

Ai ka deklaruar se ka pranuar ftesën dhe se do të marrë pjesë edhe në një forum ekonomik që do të mbahet po në datat 27-28 maj. Kjo do të jetë vizita e parë e kryeministrit të Serbisë në kryeqytetin shqiptar, ndonëse jo pjesë e marrëdhënieve dy palëshe mes Tiranës dhe Beogradit.

Pavarësisht acarimit që u krijua mes palëve pas incidenteve të rënda në ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, si dhe tensionit me të cilin u shoqërua vizita e Rama në Beograd, e para pas më shumë se 60 vitesh, raportet duket se morën shpejt një kthesë më pozitive.

Të dy kryeministrat shtrënguan duart me njëri-tjetrin, edhe dhjetorin e kaluar sërish në Beograd, gjatë takimit mes Kinës dhe vendeve të Europës qendrore dhe lindore.

Të dy vendet kanë nënshkruar disa marrëveshje këto muajt e fundit.

Ndërsa në janar me nismën e Italisë, për të nxitur dialogun mes dy vendeve, të konsideruara nga Roma si boshtet kryesore të politikës në rajonin e Ballkanit, ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë u takuan në kryeqytetin italian. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here