Vuçiç thotë se kishte bisedime të vështira dhe të ndërprera disa herë

0

PRISHTINË, 10 SHKURT – Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç e ka paraqitur si avantazh të delegacionit serb në marrëveshjen e nënshkruar sot në Bruksel sigurimin e pjesëmarrjes së gjyqtarëve serbë në veri të Kosovës. “Bisedimet ishin të vështira, por mendoj se ne nxorëm maksimumin në bazë të rrethanave,” ka thënë Vuçiç pas bisedimeve që filluan të hënën në mbrëmje dhe përfunduan sot në orët e hershme të mëngjesit. Ai ka bërë me dije se gjatë këtij raundi të bisedimeve “delegacioni i Prishtinës” i kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa ka insistuar në temat e rasformimit të mbrojtjes civile në veri dhe në heqjen e “Parkut të Paqes”, siq e ka quajtur ai barrikadën mbi lumin e Ibrit. “Ne nuk kemi dashur të bisedojmë rreth këtyre temave por kemi provuar ta ngrisim në bisedime çështjen e Trepçës dhe Bashkësinë e Komunave serbe”, ka shpjeguar Vuçiç. Ai ka tërhequr vëmendjen se “bisedimet ishin jashtëzakonisht të vështira dhe se ato janë ndërprerë disa herë”.  Kryeministri serb e ka falenderuar përfaqësuesen e BE-së Mogerini për mirëkuptim dhe ka shfaqur shpresën se “ky përparim” në bisedime siq e ka quajtur ai ka pwr të ndikuar për të hapur kapitullin e negociatave për pranimin e Serbisë në BE dhe integrimin e saj më të shpejtë në strukturat evropiane. Vuçiç ka deklaruar në gazetën “Novosti” se për shkak të bisedimeve të vështira dy delegacionet nuk kanë arritur të merren vesh për raundin e ri të bisedimeve por ka shfaqur shpresën se ai do të ndodhë së shpejti. “Novosti” ka shkruar se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë pas nënshkrimit të marrëveshjes mbi gjyqësorin se ajo është e rëndësishme për Kosovën, “sepse siguron një sistem unik gjyqësor në tërë Kosovën”. “Ne do të vazhdojmë me çështje të tjera në mënyrë që të gjitha pjesët e vendit të jenë të integruara dhe që sovraniteti të sigurohet në gjithë territorin”, e ka cituar “Novosti” Mustafën. Kryeministri i Kosovës sipas gazetës serbe ka thënë se gjyqtarët dhe prokurorët do të jenë të të dyja palëve dhe sipas tij nuk është marrë ndonjë vendim për ndarjen e rasteve. Mustafa sipas të njëjtit burim ka këmbëngulur që të shpërbëhet “mbrojtja civile” në veri të Mitrovicës pasi “pa zgjidhjen e kësaj çështjeje nuk mund të shkohet tutje në tema të tjera”. Mustafa ka insistuar se duhet hapur ura mbi lumin Ibër dhe të sigurohet liria e lëvizjes dhe sipas fjalëve të tij dy tema janë në proces të vendosjes, numri hyrës dhe energjetika. “Data e takimit të ri nuk është përcaktuar por duke patur parasysh temat pres që të përcaktohet së shpejti”, ka thënë Mustafa sipas “Novostit”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here