Vuajtjet e familjes së Sulejman Osmanit (komandant Sulës),të arratisurit nga policia maqedone

0

Gruaja e Sulejman Osmanit, i cili shpëtoi nga duart policisë maqedonase pasi e kishin kapur gjatë konfliktit të fundit të armatosur në Kumanovë, ka treguar për Gazetën Express, se ka ikur së bashku me nusen e djalit dhe fëmijët e saj drejt Kosovës. Thotë se po bëhet gati se një muaj nuk di asgjë për fatin e bashkëshortit dhe djalit të saj që mbetën atje.

Zaidja tregon se e keqja për ta nisi gati një javë para se të shpërthente konflikti në Kumanovë. Sipas saj, policia maqedonase ua bastisi disa herë shtëpinë në Malinë të Maqedonisë, duke mos ditur se çka po ndodhte. Ajo thotë se 3 net para 9 majit edhe ia sulmuan burrin me të cilin që atëherë humbi kontaktin, pasi Zaidja së bashku me nusen dhe fëmijët e djalit u nisën nëpërmjet maleve drejt Kosovës.

E konak bënë te të afërmit e nuses në Letnicë të Vitisë, që po ashtu janë të vendosur si refugjatë në këtë fshatë të Anamoravës që nga viti 2001.

Madje edhe shtëpia ku aktualisht janë 35 banorë është pronësi e kroatëve, të cilët që nga lufta e fundit në Kosovë i braktisën ato troje.

“Sot 3 jave jemi ardhë këtu. Na kanë gjujtë përpara. E gjujtën burrin, erdhën policia na hallakatën. Kom ikën meniher prej natës që ma kanë gjujtë burrin. Ma përpara, katër a pesë herë na kanë rrethu policia, para sabahit”, tregon  Zaidja për Gazetën Express, derisa rrëfimi i saj nuk ishte i njëjtë prej fillimi deri në fund.

“Kam ardhë me ni taksi, teposhtë malit kam vazhdu kamë e prej atëherë për burrin skam haber për ta. Skam asni informatë për ta. Her na kanë thanë a gjallë herë i vramë. Kurgja nuk dimë. As telefon s’ka”, vazhdon të rrëfejë ajo dhe bënë me dije se bashkë me bashkëshortin në Maqedoni i ka mbetur edhe djali.

Për ‘Komandat Sulën’ (Sulejman Osmani) thuhet se ishte kapur nga policia në Kumanovë të cilët kishin nisur ta rrahin. Por që në ato momente kishte ndërhyrë një polic shqiptar që kishte insistuar të ndalnin dhunën ndaj tij. E kjo kishte shkaktuar një konflikt mes këtyre policeve që i dha Sokolit mundësinë të arratisej me duar të lidhura. Këto i kishte rrëfyer edhe ai vetë nga arratia për televizionin publik të Kosovës, një rrëfim të cilin gruaja e tij thotë se vet nuk e ka dëgjuar.

Zaide Osmani shpreson që shumë shpejt të largohet nga Letnica për tu kthyer në shtëpinë e saj në Malinë atje edhe ku kujton me mall tokën, të afrimit e tjerë dhe bagëtinë që i kulloste me burrin gjatë verës.

“Si të bahet mire na mënojnë me u kthye. Gjethkush ka qef me u kthy në shtëpinë e vet”, shton ajo duke treguar se në shtëpinë e fshatit ‘të braktisur’ të Vitisë e kanë shumë ngushtë dhe nuk kanë kushte për jetesë pasi nuk kanë as shtroja dhe mbulesa kur flenë, madje shpesh herë u mungon edhe ushqimi i mjaftueshëm.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here