Vrasja në Fier, viktima u ndoq nga Tirana

0

Zbardhen detajet e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së premtes në autostradën Fier-Lushnjë, ku një person u ekzekutua me armë zjarri dhe dy të tjerë u plagosën në vendin e quajtur “Mulliri i Artë” në dalje të Mbrostarit.

Policia sqaron se “autorët kanë qëlluar me breshëri  kallashnikovi në drejtim të makinës  tip “Benz” me targa AA 414 LC,  ku udhëtonte viktima dhe dy të plagosurit. Ende nuk është verifikuar si është djegur makina e viktimës. Më pas autorët janë larguar me një automjet tjetër tip “Toyota”  veturë  me targa të huaja ku i kanë vënë flakën në mes të një are rreth një kilometër  nga vendngjarja”.

Autorët e atentatit të ndodhur të premten në mbrëmje në Fier i kanë ndjekur tre personat që udhëtonin me automjetin tip “Benz” me targë AA 414 LC që nga Tirana, deri në hyrje të qytetit të Fierit, ku dhe kanë kryer ekzekutimin.

Kur automjeti i tyre ka hyrë në vendin e quajtur “kthesa e Mullirit të Artë” ka pasur shkëmbim zjarri, ku për pasojë mbeti i vdekur Denis Kasaj, 44 vjeç nga Patosi. Ndërsa u plagosën Elton Margariti, 42 vjeç nga Patos dhe Klement Kastrati, 31 vjeç nga Fieri.

Kasaj ndodhej si pasagjer në automjetin tip “Benz”, ndërsa një prej të plagosurve ishte shofer kurse tjetri ishte ulur në sediljen e pasme. Në vendngjarje janë gjetur dy armë kallashnikov, njëra në makinën ku udhëtonte viktima, ndërsa arma tjetër u gjet pak metra larg makinës.

Dy të plagosurit Elton Margariti dhe Klement Kastrati 31 vjeç janë dërguar në Spitalin Rajonal të Fierit. Ky i fundit në vitin 2008 është përfshirë në plagosjen e një personi pranë Spitalit Rajonal të Fierit, për një vend parkimi.

Kjo është vrasja e tetë që ndodh në vend brenda 8 ditëve të para të janarit në Shqipëri, pas dy krimeve të dyfishta në Sarandë e Shkodër, dy ekzekutimeve në Vlorë dhe Durrës si dhe vrasjes për një plep në Kavajë./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here