Vrasja e Gaz Çollakut, roli dhe lëvizjet e funksionarit të policisë

0

Dy personat e dyshuar dhe të vënë nën akuzën e rëndë të pjesëmarrjes në rrëmbimin, masakrimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut, duket se kanë qenë në sinkronizim të plotë ditën e djeshme për t’u paraqitur në mediat vizive. Ndonëse Denis Shtraza është i prangosur dhe ende nuk iu ka dhënë mundësia të shprehet vetë publikisht, kanë qenë familja e tij që ka mohuar në mënyrë kategorike që djali i tyre të jetë i përfshirë në atë ngjarje, pasi ata besojnë se Gaz Çollaku ka qenë mik i tij. Po ashtu, edhe ish-zyrtari i Policisë së Tiranës, i cili është rrëfyer me zë dhe figurë nga një mjet, me të cilin ka qenë duke lëvizur, pasi ai është i shpallur në kërkim dhe se mendohet që pasi ka dhënë edhe intervistën e tij, ku jo vetëm mohon se nuk është i përfshirë, po ai pranon se ka mik Denis Shtrazën, personin që sipas policisë dhe prokurorisë, është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe një person me probleme të vazhdueshme me drejtësinë në vendin tonë. Po, ndërsa dy të akuzuarit, kanë folur nga pozicione të ndryshme, janë prokuroria dhe policia që tashmë kanë në duar prova të forta kundër dy të akuzuarve. Denis Shtraza pritet të dalë sot para gjykatës që të njihet me masën e sigurisë, ndërkohë që sipas të dhënave të policisë, janë një mori të dhënash që implikojnë, jo vetëm Shtrazën, por madje edhe ish-shefin e krimit ekonomik të Policisë së Tiranës. Dalipaj, sipas policisë, mendohet të ketë qenë garancia e personave që kanë kryer krimin, që ata të mund të lëviznin të qetë në drejtim të paditur

Shtraza shok i policit dhe i Çollakut     

Policia, bazuar në të dhënat e dyshimta që janë mbledhur që natën e rrëmbimit të Gaz Çollakut, tregon se që në fillim u dyshua se vrasësit arritën të përdornin në lëvizje disa mjete, aq sa për të bërë të mundur nga ana e tyre, jo vetëm shmangien e policisë, por madje edhe mbajtjen nën kontroll të lëvizjeve të bluve. Sipas burimeve saktësohet se në mjetin me të cilin udhëtonin oficeri i policisë me gradën e “komisarit”, i cili është liruar për dekonspirim, kishin në makinë jo pak, por nëntë aparate celularësh me vete. Madje, sipas të dhënave, telefonat kanë qenë të fikur dhe policia, pasi ka bërë kontrollet e duhura, ka mundur të kryejë edhe identifikimin e të gjithë aparateve telefonikë. Pasi janë marrë masat për të vijuar punën hetimore, fillimisht Shtraza e pastaj Dalipaj janë lënë të lirë. Por ndërsa vijohet të dyshohet se dy të akuzuarit për ngjarjen që tronditi vendin, janë të përfshirë në këtë krim, i ati dhe vëllai i Shtrazës flasin për njohjet e njeriut të tyre me viktimën, ndërsa punonjësi i policisë flet për miqësinë e tij të vjetër me Shtrazën. Madje vetë Dalipaj ka pranuar edhe ditën e djeshme në rrëfimin e tij për “News 24” se e kishte në rrethin miqësor prej kohësh personin e dënuar për disa akte kriminale, ndërsa natën orëve të mesnatës së 6 janarit, duke u gdhirë data 7, ai ka pranuar se ka qenë duke bërë shoferin e Denis Shtrazës. Ai ka pretenduar se janë miq dhe meqë Shtraza nuk kishte makinë, ish-zyrtari i policisë e ka marrë në vendin e quajtur “21 Dhjetori” dhe e ka dërguar në drejtim të Durrësit.

Dalipaj        

“Më fabrikojnë akuza kolegët e mi, po unë s’kam lidhje me ngjarje të tilla, ndaj edhe nuk dorëzohem dot, pasi unë nuk kam besim te policia. Do të dorëzohem atëherë kur prokuroria dhe gjykata të marrin në duar ngjarjen, pasi unë e di se çfarë fshihet pas kësaj ngjarjeje”. Kështu është shprehur ditën e djeshme, një prej emrave më të njohur të policisë për shkak të një sërë detyrash të rëndësishme që Ervin Dalipaj ka mbajtur në këtë drejtori, ndërsa ka sfiduar policinë dhe prokurorinë, duke bërë të ditur agjendën e gjithë asaj pasditeje kur u rrëmbye dhe u vra Gaz Çollaku. Njëkohësisht ai zgjedh qelizat e telefonit dhe pamjet filmike të lokaleve ku ka qëndruar për t’i thënë policisë së në fakt nuk ka qenë në ngjarjen që pretendohet, ndonëse ai ende nuk është etiketuar si pjesëmarrës i drejtpërdrejt në krimin monstruoz. Tashmë dyshimet mbi ish-drejtuesin e krimit ekonomik spostohen në garancinë e lëvizjes së Denis Shtrazës, shokut të dy viktimave, ku policia dhe prokuroria vijojnë ta konsiderojnë si të përfshirë në vrasjen e 20 dhjetorit në Durrës. Dalipaj nuk ka pranuar që në mjetin e tij, me të cilin po shoqëronte në drejtim të Durrësit Shtrazën, të ketë patur njolla gjaku. Nga të dhënat e prokurorisë mësohet se gjatë marrjes në pyetje të Shtrazës, nga ato pak fjalë që ai ka thënë, janë edhe akuzat e forta të hedhura në drejtim të policisë, duke pretenduar se njollat e gjakut në mjet i ka vënë vetë policia.

Viktimat, të akuzuar dhe të dyshuar, të gjithë miq!

Policia pas çdo ngjarjeje të bujshme, bën me dije se: Po hetohet pista e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale për pazaret e drogës! Me kaq duket se mbyllet historia e një krimi tronditës për të vijuar me tjetrin, kurdo që të kenë mundësinë dhe kohën e duhur vrasësit, pasi askush nuk i pengon. Ngjarja, nga e cila janë tri viktima, dy me breshëri kallashnikovi dhe Gaz Çollaku, viktimë e një masakrimi të frikshëm për të ndodhur në vendin tonë, bëhet me dije se ka në mes pazare droge, por flitet edhe për një gjobëvënie për të cilën pretendohet se Çollaku ka qenë garancia. Policia dhe prokuroria, që secila sipas mënyrës së vet, publikojnë herë pas herë të dhëna nga hetimi i ngjarjeve të bujshme, ndërsa del që Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj paskan qenë, jo vetëm shokët e Gaz Çollakut, por respektivisht edhe miqtë dhe të njohur të Shtrazës dhe të Dalipajt. Kështu, ideja e të qënurit miq mes njëri-tjetrit të të gjithë protagonistëve, të lë përshtypjen e një grupi tjetër rival që po kërkon vrasjen e të gjithë grupit, ndërsa hetimi ditën e djeshme ka mbyllur dosjen paraprake për Shtrazën. Nuk dihet se si do të veprohet me ish-zyrtarin e Policisë, ndërsa gjykata do shqyrtojë masën e arrestit!

Droga në autobusin e FRESH, akuzat mes pozitës dhe opozitës

Ndonëse bëhet fjalë për një trafik të një sasie lënde narkotike, akt që u zbulua nga policia turke, ndërsa mjeti me shqiptarët po hynte në tokën e tyre, politika edhe kësaj radhe gjen rast të përfshihet publikisht në akuza dhe kundërakuza. Ishin mediat turke që bënë me dije se një sasi droge është gjetur në autobusin shqiptar që po transportonte 35 anëtarë të Forumit Rinor  të PS-së dhe disa pasagjerë të rastësishëm në Pikën Kufitare të Turqisë. Sipas të dhënave mësohet se autobusi ishte nisur nga Tirana në drejtim të Stambollit, duke kaluar më parë mes për mes Greqisë. Droga është zbuluar në pikën doganore të Ipsala-s, që ndodhet në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë. Sipas informacionit zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme, konsullata shqiptare ka ndjekur ngjarjen dhe konfirmohet arrestimi i shoferit të kompanisë turistike, ndihmësit të tij si dhe dy personave që shërbenin si guida, një prej të cilëve mendohet të jetë përgjegjës.

Ndërkohë, grupi i anëtareve të organizatës politike FRESSH, mes të cilëve ndodhej edhe zëvendëskryetari i FRESSH, Artur Micka, është lejuar të vijojë udhëtimin me një tjetër autobus. Ata kanë mbërritur në Stamboll, duke vijuar udhëtimin dhe sipas informacioneve, bëhet me dije se do të kthehen ditën e sotme. Ata kanë postuar në faqet e tyre në “Facebook”, fotot e udhëtimit që po bënin përgjatë paradites së djeshme nëpër Stamboll, ndërsa mësohet se udhëtimi i organizuar nga një kompani turistike në Tiranë, përfshinte një paketë 3-ditore kundrejt 155 eurove për person, nga data 28 janar deri më 31 janar, me një natë fjetje në Selanik dhe dy në Stamboll./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here