Vrasësit e kunatave të moshuara, kokëulur në gjykatë

0

Tre të pandehurit e një prej krimeve më të rënda të shënuara në Shqipëri, ku për t`iu grabitur pak lekë, iu morën jetën dy të moshuarave të pambrojtura Gjenovefa dhe Elsa Vava, kanë dalë para gjykate. Kanë qëndruar si gjithnjë me kokën të ulur të mos fiksohen së paku nga kamerat, ndërsa janë të bindur edhe vetë për monstruozitetin e aktit të tyre, ndërsa ditën e djeshme e ka marrë fjalën edhe njëri nga protagonistet e aktit të rëndë. Indrit Shaqja është përpjekur të çlirojë nga përgjegjësia e vrasjes të dy shokët e tij, ndërsa ka marrë përsipër fajin. Ai i ka thënë gjykatës se nuk ka dashur t`i vrasë, por thjesht t`iu mbyll gojën që mos t`i linte të bërtisnin, por ai në dalje, pasi iu ka marrë monedhat e arit, nuk është kujdesur që të çlironte të moshuarat që jetonin të vetme dhe nuk kishte kush t`i ndihmonte. Ai i ka thënë gjykatës se Artur Kaçanolli nuk ka qenë i pranishëm në banesë, ndonëse ky i fundit është edhe personi që ka organizuar grabitjen e grave të moshuara, që më pas rezultoi të ishte fatale për jetët e tyre. Nga të dhënat hetimore, nga të cilat në fakt nuk kanë se si të devijojnë asnjëri nga të tre të arrestuarit të përfshirë në krimin monstruoz, është vërtetuar se nipi i shtëpisë, konkretisht Kaçanolli, nuk e ka ditur se çfarë ka ndodhur në banesë në momentin e grabitjes, ndërkohë që në shtëpi kanë hyrë Indrit Shaqja dhe shoku i tij nga Elbasani, Velson Elmazi. Ai i ka thënë hetimit dhe gjykatës se në fakt vdekjen e ka mësuar nga mediat, por atëherë ishte shumë vonë.

Ngjarja sipas prokurorisë

Prokuroria e Durrësit ka zbardhur skemën e vrasjes së dy të moshuarave që jetonin vetëm në një banesë në lagjen nr. 12 dhe që tronditi qytetin e Durrësit mbrëmjen e 2 shtatorit 2014, dhe që u mësua mëngjesin tjetër kur djali i njërës prej viktimave kishte shkuar në shtëpi për t`i parë. Sipas prokurorisë, Artur Kaçanolli, i cili ishte edhe i afërm i viktimave, ishte në dijeni se të moshuarat mbanin në shtëpi sende me vlerë dhe para në shuma të konsiderueshme. Për këtë arsye ai vë në dijeni shtetasin Indrit Shaqja, i cili organizon planin në bashkëpunim me shtetasin Velson Elmazi, në bazë të informacionit të dhënë nga i pandehuri Kaçanolli, dhe, në mesnatën e dt. 2 Shtator 2014, hyjnë në shtëpinë ku jetonin vetëm dy të moshuarat. Kanë qenë vetë të pandehurit të cilët kanë deklaruar rrethanat e kryerjes së veprës penale, ku Velson Elmazi dhe Indrit Shaqja kanë shpjeguar se janë futur në banesë të dy duke kaluar murin e avllisë dhe, që bie në një si tip kasolle magazinë dhe më pas kanë hapur me forcë dritaren e një dhome që binte në oborr. Pas hapjes së derës së brendshme të kësaj dhome kanë hipur direkt nëpërmjet shkallëve në katin e dytë të banesës ku ndodheshin dy dhomat ku flinin secila nga viktimat dhe dy dhoma të tjera. Pasi kanë hipur në katin e dytë, kanë hyrë me radhë te dhomat e dy viktimave. Gjatë tentativës së tyre për të vjedhur, të moshuarat i kanë ndjerë dhe janë zgjuar nga gjumi, por janë gjendur nën sulmin e menjëhershëm të Indritit dhe Velsonit, të cilët kanë goditur fizikisht të moshuarat, më pas i kanë lidhur këmbët e duart, si edhe u kanë mbyllur gojën me tufë leckash, duke u shkaktuar atyre vdekjen për shkak të dhunës dhe asfiksisë.

Zbulimi dhe arrestimi

Aksioni i grabitjes është kryer nga të pandehurit Indrit Shaqja dhe Velson Elmazi, në dijeni e plotë të Artur Kaçanollit. Vjedhja sipas prokurorisë ka vijuar rreth 30-40 minuta dhe më pas ata janë larguar pasi kanë marrë mbi 200 mijë lekë të reja, bizhuteri me vlerë, si edhe rreth 20 monedha franga ari. Në shtëpi, në një dhomë më vete, ka qenë edhe një e moshuar e tretë, motra e paralizuar e viktimës Gjenovefa, Marjana Vana. Në dhomën e Marjanës nuk ka pasur ndërhyrje dhe ajo nuk e ka kuptuar se çfarë po ndodhte në dhomat e tjera. Në lidhje me ngjarjen e rëndë prokuroria ka akuzuar edhe bashkëshorten e autorit kryesor të vrasjes, Indritit, Valbona Shaqjan, e cila ka qenë në dijeni të sendeve të vjedhura nga bashkëshorti i saj në shtëpinë e të moshuarave Vava. Është vërtetuar se pasi ka përfunduar kontrolli, Valbona i ka rikthyer sërish shumat e parave në shtëpinë e saj dhe më tej ia ka dhënë bashkëshortit, Indrit Shaqja, për t’i përdorur që të largohet në drejtim të Spanjës, atje ku edhe u arrestua!/Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here