Vjollca Hajdari: “Emigrimi, pasojë e politikës së keqe të BE-së dhe politikanëve të Kosovës”

0

Njohësja e politikave të Bashkimit Evropian, Vjollca Hajdari, ka fajësuar Bashkimin Evropian dhe politikën e Kosovës për emigrimin e shqiptarëve të Kosovës.  Në një intervistë për portalin Online dhënë gazetarit Uran Krasniqi, Hajdari ka thënë se BE-ja e ka bllokuar Kosovën ndërsa politika kosovare është shumë e padrejtë, gjëra këto sipas saj që kanë ndikuar që qytetarët të tentojnë të gjejnë shpëtim përmes mësymjes drejt shteteve të tjera. Ajo ka treguar edhe për qëndrimin e Gjermanisë në raport me azilkërkuesit.  Hajdari ështe politiloge, publiciste dhe etnologe.  Si e ngarkuar/ zyrtare për Evropën Juglindore dhe Ballkanin, ajo është në kryesi të Global Cooperation Council – dhe Inter Press Service, të cilat veprojnë në kooperim me OKB- në. Hajdari shkruan për EurActiv, portali informativ rreth BE-së dhe lajmeve rreth botës.

Cili është vlerësimi i juaj për emgrimin e shqiptarëve të Kosovës?

Emigrimi i shqiptarëve është fatura e politikës së keqe të Bashkimit Evropian gjegjësisht prezencës ndërkombëtare në vend si dhe është poashtu rezultat i katastrofës që e kanë krijuar politikanët tanë vendorë.

Si po mendoni me konkretisht?

Së pari: në njëren anë populli e ka parë që Kosova është e bllokuar politikisht. BE-ja, e cila përpos problemit Kosovë-Serbi, nuk çan kokën për problemet në vend, jo vetëm që ka fatin e zhvillimin e Kosovës në duar, por në të kundërtën ajo po bën një politikë që po dëmton dhe bllokon vendin. Tani edhe mediat e jashtme raportojnë se ndërkombetarët më keq po e lënë popullin se sa që e kanë gjetë. Populli ka parë se gjithë shpresat për t’u zhvilluar ekonomikisht janë shuar. Ai sheh se si para syve i merren territoret, bëhen provokime politike, zhvillohet konkurrencë jo e shëndoshë, i mbyllen vendet e punës. Ai sheh se si bllokohet Trepça, merret Brezovica, KEK-u, Aeroporti etj. Vie turku, serbi e shumë ndërkombetarë që pasurohen e e marrin rolin e komandantit në vend të tyre, perderisa ai nuk ka çka të bëjë. Ai sheh se si te huajt sillen sikur kolonialë arrogantë, marrin rrogën e majme dhe ikin pa ndonjë rezultat të treguar. Së dyti: politikanët e këqinj vendorë me strukturat e tyre mafioze, kriminale e klanore. Populli sheh se si politikanët e papërgjegjshëm e rrjepën shtetin, pasurohen e u japin vende të punës familjarëve e miqve. Kuadrot dhe rinia e talentuar nuk marrin vend pune sipas meritës, por duhet të shohin se si i biri apo e bija e ndonjë funksionari zë vend pa pikë kompetence a njohurie. Çdo kund dihet se rinia e talentuar dhe e kualifikuar është motori për progres dhe zhvillim. Në Kosovë jo. Shteti ligjor nuk ekziston. Padrejtesitë të ndodhin para syve dhe fakti që e di se nuk mund të ndryshosh asgjë. Populli sheh se si gjithë sistemi shtetëror e administrativ është i infektuar me ideologji partiake e dogmatizëm, me nepotizëm  e korrupsion, egoizem e hedonizëm. Çdo ditë nëper Facebook e media sociale ai sheh fotografi me politikanë barkmëdhenjë që lavdërohen me ushqime nga më të ndryshmet, përderisa një pjesë e popullatës nuk ka bukë në shtëpi. Atij i servohen pornoklipe të kinse këngëtarëve e këngëtareve, me operacione plastike përderisa për operacione emergjente e për ilaçe, njeriu vdes rrugës për në spital. Populli sheh se si mediat (me përjashtime), në vend se të kritikojnë e të bëhen avokat i së drejtes, ato janë bërë dorë e zgjatur e shtetit e e partive. Krimit. Ky koktej i përzier me bllokadë politike e ekonomike, anarki, padrejtësi, korrupsion, nepotizëm, me mangësi ligjesh e mjekësie, me mungesë të ujit e energjisë elektrike në shekullin 21, bën që njerëzit të bëjnë hapa radikalë: ta braktisin vendin e të ikin.

Keni zhvilluar disa takime me përfaqësues të lartë të politikës gjermane. A mund të na tregoni cili është qëndrimi i tyre përballë kësaj që po ndodhë?

Kur jam takuar me kryetarin gjerman, ja kam shprehur drejtpërdrejtë shqetësimin tim mbi gjendjen reale në Kosovë dhe ikjen masive të shqiptarëve. E kam informuar rreth studimeve mbi shkaqet dhe arsyet e ikjes dhe ai është treguar i vëmendshëm e i interesuar. Ka kërkuar që t’ia dërgoj materialet e hulumtimeve dhe shkrimet. Edhe me kancelaren Merkel ka pasur biseda të tilla dhe të njëjtin reagim e kam vënë re edhe te ajo. Megjithatë nuk ka pasur reagime të tilla nga të gjithë politikanët. Në përgjithësi politika gjermane është e rezevuar sa i perket ikjes masive. Ka pasur politikanë të atillë që shqiptaret i kanë quajtur “njerëz që kanë ardhur për pushime dimërore” apo janë shprehur se “Gjermania nuk është ent social” për shqiptarët e shumë reagime negative që thjeshtë shfaqin frymën e një atmosfere jomirëseardhëse. Ka aty këtu edhe të tjera qëndrime, por ato jane të pakta. Disa nga politikanët thonë se përgjegjësinë për këtë emigrim masiv e mban politika e BE-së dhe Gjermania. Ndër ta është politikania e të majtëve Ulla Jelpke e cila thotë: “në vend që të flisni kundër njerëzve që ikin nga mjerimi, Gjermania dhe BE-ja duhet më në fund ta pranojnë përgjegjësinë e tyre për katastrofën në Kosovë”. Ka edhe të tjerë që fajin i japin thjesht politikës vendore në Kosove. Reagimet janë të ndryshme.

Çka e shtynë këtë shtet që të shohë me rezerva azilkërkuesit shqiptarë dhe si po reagojnë mediat dhe shoqëria gjermane, a kanë dëshirë të shtohen me shtetas të huaj apo jo?

Së pari shteti gjerman nuk sheh arsye azili te shqiptarët, sepse Kosova konsiderohet si një vend që nuk paraqet rrezik për jetë. Në këtë kontekst politika gjermane e renditë Kosovën ndër vendet e sigurta. Kjo bën që Gjermania dhe shoqëria gjermane në shumicë tani t’i shohin shqiptarët vetëm si “refugjatë ekonomikë” dhe i fusin në kategorinë e njerëzve të varfër që kane ardhur si thonë ata “për të kërkuar lëmoshë”. Mua vet më ka ndodhur të dëgjoj që thonë “si nuk kane aspak krenari këta njerez” dhe t’ju them të drejtën nuk jam ndjerë aspak mirë. Mediat informojnë se si njerëzit në Kosovë kanë dëgjuar se në Gjermani jipen para si gjest i mirëseardhjes dhe bëhen pagesa mujore, gjë që psikologjikisht shoqerinë gjermane e pozicionojnë kunder, si i quajne ata, “ardhacakëve që shfrytezojnë shtetin social”. Poashtu mediat kur informojnë për shqiptarët e cekin shumë shpesh se 90% të tyre janë myslimanë dhe kjo i frikëson gjermanët. Ata mendojnë se shqiptarët janë të ngjashëm me sirianët, arabët, turqit dhe menjëherë u asociojnë me rrezikun nga ndonjë rast ekstrem apo ndonjë rast terrori që do mund të paraqitej. Për dallim nga fillimi, ku mediat projektonin panikë, tani ato kanë filluar të fokusohen më shumë në shkaqet që i bën njerëzit të ikin dhe merren me informata nga sfondi që për temë kanë njashtu politikën e Bashkimit Evropian. Tani edhe EULEX-i dhe joefiçienca e tij vëhen në pah dhe kështu shpresoj që do balancohet informimi ndaj shqiptarëve. Shpresoj gjithashtu që Gjermania të mendojë më gjërë për inkuadrimin sezonal të kuadrove të kualifikuara, meqë ky shtet është duke u shtrydhur demografikisht.

A janë shtetet e Perëndimit vërtetë “Toka e premtuar”, apo janë duke u ballafaquar edhe ato me krizë?

Varësisht prej këndit të vështrimit dhe situatës që ka secili vend veç e veç, mund të shihet një vend si “Toka e premtuar”. “Tokë e premtuar” mund të quhen edhe shtetet e varfëra afrikane dhe ca aziatike, që bashkë me punëtorët e tyre krahu shfrytëzohen si vatra për prodhimet e produkteve të shteteve perëndimore, e ku vendet e pasura perëndimore prodhojnë më pak para. Çfarë dua të them me këtë? Vendet e Perëndimit kanë traditë të gjatë të përfitimit reciprok “win-win”, ndaj asgjë nuk “japin” pa pasur interes apo përfitim. Kjo ndodh edhe me emigrimin. Vendet perëndimore e sidomos Gjermania dëshirojnë të kenë migrues, por ata duan ta kontrollojnë rrjedhën e migrimit, posaçërisht kur bëhet fjalë për kuadrot e kualifikuara. Tani Gjermania është duke debatuar për implementimin e një sistemi pikash, sipas modelit kanadez që përzgjedh kuadrot sipas kritereve. Këtë procedurë selektive (që njihet edhe nga koha e Marksit) dëshiron ta fusë në fuqi edhe shteti gjerman. Natyrish se edhe Gjermania ka probleme të tjera dhe të brendshme, ku p.sh. vet kuadrot e papuna ankohen se nuk gjejnë vende pune, por ja që në tregun punues ka shumë vende të lira në profesione që ndoshta jo të gjithë gjermanët do i pranonin. Për këto vende në veçanti tani është duke lobuar Gjermania.

Si mund të ndikojë emigrimi në proceset integruese evropiane të Kosovës?

Nuk besoj që vetëm përmes migrimit do të ndikohen proceset integruese, pasiqë unë kam bindjen e plotë se BE-ja apo politika ndërkombëtare e ka të programuar planin të cilin ajo do ta zbatojë ashtu ashtu, pavarësisht se çfarë ndodhe. Ku ta dimë? Ndoshta ky lloj migrimi ka qenë pjesë e ndonjë planprogrami apo organizimi të caktuar? Mirëpo nga ana tjetër sado bizare e me plotë peripeci që duket kjo lëvizje drejt Perëndimit, në një mënyrë ajo ka tundur ndërgjegjen shqiptare, por edhe atë ndërkombëtare. Ka bërë që edhe një herë bota të përqendrohet në problemet që ka popullata dhe të shpalosë masakrimin politik dhe ekonomik që po i bëhet Kosovës nga të gjitha anët. Poashtu ka ndikuar që ca përfaqësues të BE-së të mendojnë rreth aferave të EULEXIT, të mendojnë seriozisht rreth liberalizimit të vizave, zbatimin e marreveshjes së Stabilizim Asociimit dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare. Pra duket se ka vënë në lëvizje një sërë zhvillimesh. Sa do t’i afrohemi integrimit evropian, kjo do te varet nga negociatat me Serbinë dhe rezultatet e tyre. Aspekti politik është barra/pengesa e vetme, përreth së cilës sillen Serbia dhe BE-ja. Migrimi është vetëm instrumenti për të ushtruar presion apo edhe për të zhvendosur vëmendjen nga potezat thelbësorë politikë.

Çfarë duhet të bëjnë institucionet dhe shoqëria në një situatë të tillë?

Të jenë vigjilentë dhe të përgatitur për lëvizje të mëdha politike e ekonomike. Por meqë flasim për migrimin: së pari ato duhet të kujdesen që shqiptarët nga Kosova mos të pajisen me pasaporta serbe. Marrja e nënshtetësisë serbe nga të paktën 60.000 shqiptarë është një grusht i fortë kunër Kosovës. Pastaj të përkujdesen që shqiptarët të mos bëhen pre e krimit të organizuar, të nisur nga bandat tregtare me njerëz e deri në strukturat mafioze në administrata. Të sensibilizojnë popullatën se nuk ka shanse azili, ndaj mos ta marrin rrugën plotë rreziqe derisa të implementohet ndonjë mundësi legale. Gjithashtu të kujdesen që edhe ata kuadro që duan të integrohen në treg të punës, të mos bien viktima të rrjeteve ilegale të punës, ku shumica do të mashtrohen me pak para, pa sigurime shëndetësore e benefite tjera. Para së gjithash një herë në histori insitutucionet shtetërore t’i harrojnë interesat e veta e të përvjelin mënget për ta menaxhuar këtë situatë emergjente, me qëllim që të implementohet ndonjë mënyrë legale institucionale e migrimit të kontrolluar, pa e rrjepur popullin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here