Visar Ymeri: “Synimi ynë t’ua kthejmë Kosovën qytetarëve…”

0

Visar Ymeri ka thënë se e ka pranuar kandidaturën për të qenë kryetar i lëvizjes Vetëvendosje dhe se mendon se është i gatshëm të përballet me sfidën. Por ka thënë se a do të jetë ai kryetar, për këtë do të vendosin aktivistët e këtij subjekti.

Ymeri në një fjalim që e ka mbajtur të dielën ka thënë se lëvizja Vetëvendosje do të jetë zëri i Kosovës së nëpërkëmbur, vota e saj, dhe ekzekutimi i së drejtës dhe interesit të saj.

“E tërë organizata jonë këtë synim ka: T’ia kthejë Kosovën qytetarëve, institucionin publik publikut, pasurinë mirëqenies së popullit, tregun prodhuesve vendorë, tokën dhe makinerinë bujkut, fabrikën punëtorit, minierën minatorit, arsimin mësuesit e nxënësit, shëndetësinë mjekut e pacientit:, a thënë Ymeri.

 

Fjala e Visar Ymerit, gjatë prezantimit të kandidaturës, planit dhe angazhimit të tij për ndryshim

 

Shpresa na është dhënë për shkak të të pashpresëve. Kështu e përfundon një ese të tijën për Geten, filozofi gjerman i teorisë kritike të Shkollës së Frankfurtit, Valter Bengjamini. Dhe vërtetë nuk ka vend në gjeografi ose kohë në histori ku flitet më shumë për shpresën, për besimin, sesa aty ku numri i të pashpresëve është i madh dhe aty ku situata është përgjithësisht e pashpresë – ashtu siç janë shumica e njerëzve në Kosovë, dhe ashtu siç po bëhet për çdo ditë e më shumë po në Kosovë.

 

 

Të dashur aktivistë e simpatizantë të Lëvizjes,

 

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

 

Bashkëkombas të respektuar,

 

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj, shoqe dhe shokë të pranishëm në këtë takim,

 

 

Shpërngulja masive e qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre për në Gjermani e Francë, Austri e Zvicër, përmes Serbisë e Hungarisë, është shenjuesi i kësaj kohe në të cilën jemi dhe të cilën duhet ta lëmë pas. E ardhmja e këtyre qytetarëve në asnjë mënyrë nuk mund të quhet e ardhme e mirëqenies, edhe nëse në rastet individuale, pavarësisht a janë këto shumë a pak, u përmirësohet cilësia e jetës. Mirëqenia është e lidhur ngushtë me lirinë. Nuk ka mirëqenie pa liri, e as liri nëse kjo nuk është liri për të qenë mirë. Shpërngulja është shpërngulje nga shtrëngimi e jo nga liria. Është lëvizje e detyrueshme, e rrezikshme e aspak e lirë.

 

Pushtetarët e pasur i akuzuan këta qytetarë të varfër se po e lëshojnë vendin, sepse po kërkojnë një jetë më të mirë. E artikuluar në këtë mënyrë, shpërngulja massive fillon të merr fytyrë normaliteti, mirëqenie dhe lirie. Si e tillë ajo nuk mund të jetë brengosëse, por përkundrazi e këshillueshme. Sepse, ma gjeni një njeri në tërë globin që nuk e kërkon një jetë më të mirë. Dhe ma gjeni një mbështetje politike a morale, që i jep të drejtë tjetrit ta pengojë atë që kërkon një jetë më të mirë.

 

Por, e vërteta nuk është kështu. Qytetarët nuk është se po shpërngulen në kërkim të jetës së mirë. Në të vërtetë, shumica prej tyre po përfundojnë në një jetë më të keqe. Sepse jeta në burg, apo kamp azilkërkuesish, nuk mund të jetë më e mirë sesa jeta në shtëpinë tënde, në shoqërinë tënde, pranë atyre që i do dhe të duan. Të shpërngulurit po shpër – ngulen. Ata po çrrënjosen nga rrënjët e veta shoqërore e ekonomike. Ata mbase edhe presin se do t’i ngulin ato diku tjetër, por në momentin e vendimit e kanë vetëm një gjë në mendje – ikjen nga këtu. Ky është akti i tyre i revoltës. Definitivisht jo mënyra e duhur e shprehjes së revoltës, por revoltë gjithsesi po.

 

Në vazhdën e vizitave të Jahjagës nëpër qytetet e Kosovës, për të folur për shëprnguljen, një qytetar i Gjilanit e përmbledhi kërkesën që mendoj se është e shumicës së qytetarëve. Ai e pyeti Jahjagën: si u bë që për qytetarët nuk po ka para e për rrogat tuaja po. Një specialist ekonomie i zhytur në tabelat e statistikat e pafundme të zhvillimeve ekonomike, të konvertuara në financa, me cinizmin e pashmangshëm të kësaj mënyre të të menduarit do ta hidhte poshtë këtë thënie të këtij qytetari automatikisht. Sepse do të thoshte se kjo nuk ka kuptim kur e marrim parasysh se pagat e zyrtarëve të lartë në Kosovë, pavarësisht sa të mëdha janë, janë megjithatë pak në shumën agregate, sepse zyrtarë me paga të mëdha lartë ka pak, krahasuar me shumësinë e njerëzve dhe të nevojave poshtë. Por qytetari Gjilanit, e ai i Kosovës, nuk mendojnë si ky ekonomisti vetëm matematikisht. Ata mendojnë politikisht dhe sociologjikisht. Shprehur kështu, fjalia e mësipërme e qytetarit nga Gjilani përmblidhet në vetëm një fjalë: Barazi. Kjo është kërkesa – shpërndarje e barabartë e pasurisë, e të ardhurave, dhe e të mirave publike. Aq sa ka le të ketë për të gjithë.

 

Dhe kjo kërkesë nuk ndalet vetëm te pagat, por te i tërë spektri i shërbimeve që duhet ta ofrojë shteti. Sepse shpërndarje të pabarabartë ka në secilin sektor.  Për ta përdorur fjalinë e qytetarit të Gjilanit: Si u bë që për dikë po ka shumë të drejta e për dikë aspak drejtësi? Si u bë që për dikë po ka shërim efikas e për të tjerët jo? Si i bëhet që për dikë ka arsim efektiv e për të tjerët jo? Si i bëhet që disa e zgjedhin gjellën e të tjerët nuk e kanë të mjaftueshme as bukën? Disa e përdorin një burim uji për pastrim e tjetrin për pije, e të tjerët nuk e kanë asnjë burim për pjesën më të madhe të ditës. Disa kanë rrymë 24 orë e të tjerët vetëm 4 gjatë ditës. Disa i marrin nga 5 rroga e të tjerët as ndihma sociale. Kjo e ndan shoqërinë në dysh, dhe si të tillë krijon një gjeografi të re krahas asaj territoriale gjeografinë shoqërore. Në të janë dy Kosova. E epërmja dhe e poshtmja. Meqenëse e ndarë vertikalisht kjo është e pabarabartë. Nga kjo pabarazi po ik qytetari. Dhe këtë pabarazi po don ta ndryshojë qytetari.

 

Kjo është politika, dhe do të mbetet politika e VETËVENDOSJE!-s. Ne nuk jemi të ndryshëm pse jemi të pakorruptueshëm dhe vetëm pse jemi të pakorruptueshëm. Ne jemi të pakorruptueshëm për shkak se jemi të ndryshëm, për shkak se mendojmë ndryshe, angazhohemi ndryshe dhe për ndryshim, duam dhe vlerësojmë gjëra tjera prej atyre që i duan partitë politike në Kosovë. Ne nisemi nga e mira e përgjithshme, nga parimi bazë i Republikës që e ka barazinë në pikënisje dhe e mbanë atë vazhdimisht si pikësynim, për ta reflektuar atë në secilin vendim të vetin, në secilin zhvillim, e në secilën ditë e kohë të saj. Ky parim është i pakorruptueshëm, sepse edhe kushtëzohet nga e mira e përgjithshme, kundrejt përfitimit personal, por edhe e kushtëzon aktivitetin politik kundrejt dhe përtej përfitimit personal.

 

Dhe këtu jemi një me popullin. Jo me popullatën, e aq më pak me secilin pjesëtarë në të, por me popullin e angazhuar politikisht. Me popullin e protestës dhe të ndryshimit. Edhe ky në rritje. Ky shenjues i kohës që po vjen. Në të njëjtin moment me rritjen e numrit të qytetarëve që po e lëhojnë vendin, po rritet edhe numri i qytetarëve që po dalin në protesta. Pavarësisht se mund të duket paradoks empirik, ky është moment i rëndësishëm politik. Është momenti sovran i qytetarit, sepse të dyja nënkuptojnë ngjizje të qytetarit të aktit, dhe të aktit të të bërit popull. Të dyja po thonë se kështu nuk durojmë më.

 

Të nderuara zonja e zotërinj, shoqe e shokë aktivistë,

 

Koalicioni i të djathtëve në pushtet nuk e duan këtë kohë. Atyre nuk u pëlqen kur Kosova e poshtme lëviz. Ata e duan Kosovën e poshtme statike, të atomizuar e të pa zë, dhuruese e të mirave materiale, e pranuese e vendimeve të tyre, të dinamikës në Kosovën e epërme. Prandaj përgjigja e tyre për secilin problem është policia, sepse duan ta mirëmbajnë këtë statikë të eksploatueshme përherë. Migrimin duan ta ndalin me polici, merren vesh me Serbinë që të ndihmojë në këtë drejtim. Protestat duan t’i ndalin me polici, i armatosin dhe ushqejnë mirë për këtë qëllim.

 

Këta do të vazhdojnë kështu për sa kohë që janë në pushtet: ta koncentrojnë pasurinë në pak duar përmes tatimeve të sheshta, privatizimit e uzurpimit të pasurisë publike, koncesionimit të minierave, orientimit të parasë publike në projekte super të shtrenjta kapitale, në korporatat e huaja. Këta do të vazhdojnë t’ia shkelin dinjitetin punëtorit përmes rritjes së hapësirës eksploatuese të tij, nga cilido punëdhënës, në cilindo sektor të afarizmit. Këta do të vazhdojnë ta rrisin hapësirën përfituese për bankat, e hapësirën uzurpuese për bizneset e tyre private, familjare, miqësore e financuese. Këta do të vazhdojnë ta nëpërkëmbin dinjitetin e shtetit e të qytetarit, përmes nënshtrimit politik ndaj Serbisë, e komprador ndaj tregtisë. Qytetarin në shpërngulje këta nuk e dëgjojnë, e as vizitojnë.

 

E ne duhet të organizohemi. Ne duhet të lidhemi me Kosovën e poshtme.

 

Për këtë na duhet ta vazhdojmë krijimin dhe zgjerimin e një hapësireje të pavarur politike e ideore. Dhe kur them kështu nuk mendoj në ndarje fizike, por në pavarësi idesh, organizimi dhe veprimi politik. Në mënyrë që artikulimi individual i kërkesës për barazi të bëhet zë i fuqishëm kolektiv i të nëpërkëmburëve. Që ajo të merr trajtë të qartë politike dhe rrugë të vendosur para. Këtu vie në shprehje roli i pazëvendësueshëm i organizatës, dhe në të ai i pazëvendësueshëm i aktivistit.

 

Aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet të jetë njëkohësisht dhe pandashëm reflektim i VETËVENDOSJE!-s në popull, dhe reflektim i popullit në VETËVENDOSJE! Vetëm kështu ai do ta ketë aftësinë edhe t’i bëjë të tjerët VETËVENDOSJE! por edhe ta bëjë VETËVENDOSJE!-n për të tjerët. Ky është moment vetëmohimi. Ky kulmim i aktivistit është vetërealizimi i tij politik, vetëm përmes shkrirjes në organizatë, dhe vetëm përmes shkrirjes në popull. Ne nuk japim shpresë, e as nuk kërkojmë besim. Ne angazhohemi politikisht, mendojmë besnikërisht, e veprojmë bashkërisht.

 

Lëvizja jonë nuk është korporatë burokratësh që robotizon, por organizim vullnetarësh që bashkon. Pavarësisht detyrave dhe funksioneve tona të veçanta, ne nuk bën të kufizohemi në to. Të gjithë duhet ta japim maksimumin aty ku ka nevojë Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe përpjekja jonë politike e emancipuese. Aktivisti nuk mendon se ku po mbetet ai për vete, por ku po shkon Lëvizja, Kosova e Kombi Shqiptar. Ashtu siç kemi vepruar përherë!

Në 10 vjetorin e ekzistencës së saj, Lëvizja VETËVENDOSJE! është më e fortë se kurrë. Më me rëndësi, potenciali i saj organizativ e politik është jashtëzakonisht i madh. Kjo për shkak të punës dhe angazhimit të palodhshëm e vetëmohues në të kaluarën. Për 10 vite rresht ne kemi dërguar letra te qytetarët tanë përmes tubimeve të panumërta, aksioneve simbolike, protestave, demonstratave, paraqitjeve publike e mediale. Këto letra përmbanin porosinë e qartë kritike dhe kundërshtuese të Lëvizjes karshi degradimit të potencialit shoqëror, politik e ekonomik të vendit. Sot, të gjithë ata që gjykojnë drejtë, na japin të drejtë për qëndrimet tona në të kaluarën. Dhe të gjithë ata që qëndrojnë konsistentë në gjykimin e tyre të drejtë, na japin të drejtë edhe për analizat tona për të ardhmen.

 

Ky potencial i ndërtuar nga Lëvizja është meritë e aktivistëve që ishin dhe qëndruan në Lëvizje përgjatë viteve. E atyre që u angazhuan në të gjitha nivelet tona organizative. Që nuk kursyen as punën e tyre e as qenien e tyre për idealin që na mban bashkë. E aktivistit që punon pa kurrfarë kompenzimi personal as material e as statusor. E anëtarëve të pikave, e udhëheqjes së tyre. E anëtarëve në Qendra dhe udhëheqjes së tyre. E delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm. E Komiteteve të Lëvizjes dhe e Sekretaritit të Përgjithshëm. E deputetëve të Grupit tonë parlamentar. E asambleistëve komunalë, e ekzekutivit në qeverinë lokale. E Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të gjithë anëtarëve të saj. Por, sidomos e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurtit, i cili pëgjatë viteve e barti peshën më të madhe të përgjegjësisë dhe barrën më të madhe të punës në Lëvizje. Me drejtimin e tij ai e krijoi një hapësirë të qëndrueshme barazie brenda organizatës, e shtroi një rrugë të sigurtë qartësie në ligjërimin publik politik dhe vendosi një standard të lartë të aktivistit politik. Këtë duhet ta vazhdojmë.

 

Me përfundimin e zgjedhjeve të brendshme ne do ta zgjedhim kryesinë e re. Do të jetë përgjegjësi e kësaj kryesie dhe e kryetarit që ta vazhdojnë forcimin e organizatës. Forcimi i Pikave dhe Qendrave të Lëvizjes do të jetë synim prioritar në muajt në vijim. Lëvizjes i duhet një kryesi e re, e tillë që kapërcimin cilësor të sasisë e kthen në kapërcim sasior të cilësisë. Kështu do të lidhemi me të nëpërkëmburit, me Kosovën e poshtme, me ata që e epërmja nuk i do në Lëvizje. Është imperative që t’i politizojmë e organizojmë të varfërit e të papunët, por edhe punëtorët që eksploatohen. Ata tashmë janë aty të ndarë, duke jetuar në vehte. Ne duhet t’i nxjerrim në hapësirën publike, në rrugë, për t’i bërë për vehte.

 

Kjo nuk nënkupton vetëm organizim me bazë territoriale, por edhe, po aq e rëndësishme, organizim me bazë shoqërore. Ne do ta lidhim punën tonë ngushtë me sindikatat e punëtorëve dhe do të punojmë ngushtë me punëtorët që të krijojnë sindikata. Do ta shumëfishojmë kontaktin me të varfërit, që bashkë ta kuptojmë shkakun strukturor të varfërisë dhe rrugën që na nxjerrë nga ajo. Do ta intensifikojmë punën tonë me studentët. Të varfërit e të papunët e bashkuar, punëtorët e organizuar, bashkë me studentët e aktivizuar, janë forca që e sjellë ndryshimin. Ndryshimi i vetëm i qëndrueshëm është ai që vjen nga masat. Kështu ka ecur historia. Kështu duhet të ecim edhe ne.

 

Prania jonë në institucione kudo, në Kuvendin e Republikës, në Asambletë Komunale, në qeverinë lokale në Prishtinë, do të jenë zëri i kësaj Kosove të nëpërkëmbur, vota e saj, dhe ekzekutimi i së drejtës dhe interesit të saj.

 

Kryesia e re do të përqëndrohet në organizimin politik të shtresave të shoqërisë, por edhe në artikulimin konceptual të politikave për këto shtresa. Bashkë me komitetet do ta pasurojmë dhe zgjerojmë Alternativën tonë Qeverisëse, për t’ia forcuar asaj bazën konceptuale, por edhe për ta pasuruar me mekanizma e metoda të zbatimit të parimeve të saj programore. Shteti i së drejtës është drejtësi kolektive për shoqërinë, e zbërthyer në drejtësi individuale për të gjithë. Shteti zhvillimor është zhvillim i prodhimit shoqëror e shpërndarje e pasurisë për të gjithë. Shteti social është barazi shoqërore, e rezultate të barabarta për të gjithë.

 

Në vend se të kërkojmë një shoqëri tjetër për ekonominë, në insistojmë në një model tjetër ekonomik që i shërben shoqërisë. Mirëqenia e qytetarëve nuk ka alternativë. Çdo gjë tjetër është mjet në këtë drejtim, e jo qëllim në vete. Publikja është garancë e kohezionit shoqëror, e pronësia publike garancë e barazisë në të mira dhe e vënies së pasurive në funksion të mirëqenies. Nuk është ekonomi e zhvilluar ajo që krijon pabarazi. Sepse pabarazia e keqzhvillon shoqërinë. E nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar mirë kur shoqëria pëson keqzhvillim. Shpërndarja me e barabartë e pasurisë e rritë fuqinë blerëse të masave shoqërore, dhe kështu konsumin masiv. Kjo përveç se e drejtë, dhe mirëqenie e shtuar, nënkupton kërkesë më të madhe për mallra, që nënkupton rritje të kapaciteteve prodhuese, e që nënkupton rritje të punësimit. Prandaj është e domosdoshme ta rrisim prodhimin, dhe konsumin e prodhimeve tona. Në mënyrë që ta rrisim ekonominë, për ta rritur kështu pasurinë, të cilën e shpërndajmë më mirë dhe më drejtë tek të gjithë.

 

Barazia nënkupton barazi për të gjithë. Ajo nuk mund të jetë barazi vetëm për njërin prej kombeve, apo vetëm për njërën prej feve, ose vetëm për njërën gjini. Çfarëdo cenimi i të drejtave të barabarta për cilëndo kategori është cenim i të drejtave për të gjithë shoqërinë. Dhe, asnjë prej këtyre përpjekjeve nuk mund të spostohet për të ardhmen. Në përpjekjen për të drejta shoqërore nuk ka sekuencim kohor të nënpërpjekjeve barazitare. Nuk ka shoqëri kohezive e as zhvillim të plotë pa gruan e angazhuar në mënyrë të barabartë në jetën publike dhe pa pjesëmarrjen e barabartë të saj në pasurinë publike e të drejtat politike e shoqërore. Dhe kjo jo vetëm të figurojë formalisht, por të zbatohet realisht. Nuk do të jemi të lirë duke shtypur, e as të zhvilluar duke përjashtuar.

 

Dhe kjo bëhet kur bashkohemi dhe kur punojmë bashkë. Jo duke e eksploatuar, dominuar, e shtypur njëri tjetrin. Jo përmes privilegjeve politike, juridike e ekonomike për një pakicë njerëzish, por përmes të drejtave të barabarta e univerzale për të gjithë. Jo duke konkurruar për mbijetesë, por duke bashkëpunuar për mirëqenie. Përmes solidaritetit të institucionalizuar. Përmes bashkimit vullnetplotë e të vetëdijshëm.

 

Për drejtësi. Jo vetëm që të na e çlirojë të tashmen, e të na e garantojë të ardhmen, por për një drejtësi që nuk e harron të kaluarën. Sepse pa korrigjimin e padrejtësive të së kaluarës nuk mund të ketë as të tashme të lirë e të barabartë, e as të ardhme të sigurtë e të begatë. Pikënisja e angazhimit politik është vullneti kolektiv, drejt realizimit të së drejtës për ushtrim, kushtetim dhe shtetëzim të këtij vullneti kolektiv. Bashkimi kombëtar është çështje vullneti kolektiv, por edhe interesi kolektiv. Angazhimi për të dhe drejt tij nuk është nacionalizëm kolonizues shovinist, që kërkon shtypjen dhe shpërbërjen e të tjerëve, por vetëvendosje popullore që garanton barazinë e popujve. Kështu ai është e drejtë, është i drejtë, demokratik dhe është në interes të të gjithëve. Çfarëdo zgjidhje tjetër do të kishte me qenë shtypje e vullnetit kolektiv të shumicës në Kosovë. Kjo shtypje na bën të pabarabartë.

 

Në Maqedoni, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në Mal të Zi shqiptarët sot janë të diskriminuar dhe të shtypur. Si në arsim, ashtu edhe në punësim, si në shëndetësi, ashtu edhe në kulturë. E vërteta për ta heshtet, ndërkohë që shpërngulja vazhdon. Është detyrë e Republikës së Shqipërisë dhe e asaj të Kosovës që t’u dalë në mbrojtje këtyre shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Ne do të vazhdojmë t’u jemi në krah dhe do ta forcojmë bashkëpunimin tonë me ta, në mënyrë që ta ndihmojmë organizimin e tyre dhe fuqizimin e tyre politik.

 

Të nderuara zonja e zotërinj, shoqe e shokë aktivistë,

 

Ne jemi të hapur dhe duhet të jemi të hapur për bashkëpunim. Me kryesinë e re do ta intensifikojmë punën në forcimin e marrëdhënieve tona me të tjerët. Do të punojmë në forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve tona me forcat politike të shqiptarëve, me të cilat na bashkon koncepti e na bashkojnë çështjet. Por një rëndësi të veçantë do t’i japim themelimit e forcimit të bashkëpunimit e marrëdhënieve me forcat progresive të rajonit e Evropës, për ta ndërkombëtarizuar kështu konceptin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, programin tonë socialdemokratik, përpjekjen tonë për sovranitet popullor, e organizimin tonë aktivist. Ligjërimi politik në Evropë po ndryshon. Politikat neoliberale që e sollën krizën po humbin terren. Evropa mund t’i kthehet shoqërisë, drejtësisë, barazisë, e solidaritetit. Të kthyer kah këto e duam edhe ne Kosovën. Bashkëpunimi politik është i domosdoshëm në këtë përpjekje.

 

Sovraniteti shtetëror e republika qytetare nuk arrihen duke u mohuar. Negociatat e vazhdueshme e koncesionet ndaj Serbisë po e mohojnë Republikën, për ta ndërtuar Asociacionin. I tërë aparati shtetëror i Kosovës i është vendosur në funksion negociatave. Republika e Kosovës duhet të jetë shtet që e vë dialogun në funksion të interesave të veta shtetërore dhe të reciprocitetit, e respektimit të dyanshëm të sovranitetit të shteteve. Pushtetet në Kosovë po ë bëjnë pikërisht të kundërtën, po e vëjnë shtetin në funksion të dialogut, e atë në funksion të interesave të Serbisë. Kjo natyrisht që nëpërkëmb dinjitetin e interesin publik të Kosovës dhe popullit këtu. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të pajtohet kurrë me këtë nëpërkëmbje. Ne nuk do të pajtohemi, e as nuk do të pushojmë së kundërshtuari padrejtësinë që po betonohet dhe atë renë që po krijohet përmes këtyre negociatave me Serbinë. Përpjekja jonë synon t’i ndalë këto koncesione, në krijim dhe në zbatim.

 

Muaji janar i këtij viti e vulosi ndryshimin. Protestat e fuqishme për shkarkimin e ministrit fashist Jabllanoviqit, dhe për Trepçën ndërmarrje publike, treguan se të bashkuar mund t’ia dalim. Të bashkuar do ta bëjmë Republikën të qytetarëve, duke e nxjerrë atë nga privatizimi që po ia bëjnë pushtetarët.

 

E tërë organizata jonë këtë synim ka: T’ia kthejë Kosovën qytetarëve, institucionin publik publikut, pasurinë mirëqenies së popullit, tregun prodhuesve vendorë, tokën dhe makinerinë bujkut, fabrikën punëtorit, minierën minatorit, arsimin mësuesit e nxënësit, shëndetësinë mjekut e pacientit.

 

Ne nuk tregtojmë shpresë, por i organizojmë të pashpresët. Ne nuk kërkojmë besim por angazhohemi në një program besnikërie. Ne veprojmë politikisht kritikojmë rrënjësisht, dhe kërkojmë ndryshime rrënjësore. Ne bashkëpunojmë shoqërisht e nuk dominojmë hierarkisht. Po jemi idealistë. Nuk do të rreshtim së qeni kurrë. Nuk do ta pranojmë kurrë botën ashtu siç është vetëm pse është ashtu siç është. Përherë do të angazhohemi për më mirë, duke mos u knaqur kurrë. Sepse mirëqenia kurrë nuk mjafton, dhe ajo kurrë nuk përfundon. Sepse barazia kurrë nuk është e tepërt dhe ajo duhet mirëmbajtur vazhdimisht. Sepse historia kurrë nuk përfundon. Ajo ecën prej kohe në kohë, e shtyrë aty nga shoqëria që lëviz prej stadi në stad.

 

Të dashura shoqe e shokë akivistë e anëtarë të Lëvizjes,

 

Unë jam aktivist i Lëvizjes që prej themelimit. Më 21 e 22 shkurt ju do të vendosni nëse më doni për Kryetar të Lëvizjes. Pavarësisht votës suaj, unë aktivist do të mbetem. Sepse kontributi më i madh që mund të jap për Lëvizjen si koncept dhe organizatë është duke qenë aktivist i saj. Detyrat dhe përgjegjësitë shtesë janë në funksion të kësaj. E kam pranuar kandidaturën dhe mendoj se jam i gatshëm të përballem me sfidën. Nëse vërtetë jam i gatshëm për një përgjegjësi të tillë do ta kuptojë nga ju.

 

Ju faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here