Viktimat serbe dhe kriminelët shqiptarë

0

FADIL LEPAJA

Civilët janë qytetarë të botës. Në një konflikt, pavarësisht të gjitha karakteristikave, ata, formalisht dhe moralisht, mbeten obligim i të gjitha palëve. Kur ndodh e kundërta ata janë viktima. Ata nuk kanë etni, as identitet tjetër, përpos numrit personal, emrit dhe mbiemrit, dhe përkatësisë së llojit njerëzor. Qoftë si civil, qoftë si viktima, pastaj.

Pra, janë edhe lloj i veçantë i njerëzve, i mbrojtur me ligje të luftës. Por, ata, zakonisht nuk trajtohen ashtu. Palët në luftë kanë telashe të tjera më të mëdha. Qëllime më të mëdha.

Pra, doni të rriheni? Ok, nuk i ndalim dot luftërat, sepse ato janë biznes i madh dhe i pakontrollueshëm, sidomos kur kanë interesa të mëdhenjtë, por… mos prekni civilët! Tash, ata, nuk janë as fis, as komb, as civilizim më vete. Janë vetëm njerëz si ti e unë, të ndodhur pa dëshirën e tyre në një hapësirë ku luftohet. Nuk duan të luftojnë për arsye të ndryshme. Përkundër qëllimeve të mëdha që kanë grupet që luftojnë, ata nuk duan, apo nuk kanë mundësi të tjera, përpos të shohin punët e veta.

Strukturat luftarake, gjithsesi duan që nga civilët të kenë rekrutë, të marrin ndihmë, përkrahje qoftë edhe morale, por… civilët kanë një shtëpi për t’u kujdesur. Shumica nuk duan të rreshtohen, në formacione. Kështu, viktimizohen. Vriten, u digjen shtëpitë, dhunohen, rrihen…

Të kthehemi te titulli! Në konfliktin, apo luftën mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, përkundër qëllimeve të mëdha dhe përkundër dallimeve, kishte më së shumti viktima civile. Qytetarët shqiptarë, në konfliktin me Serbinë për shembull, u trajtuan si palë ndërluftuese, dhe u përzunë nga “fushëbeteja” me dhunë të organizuar për shkak të refuzimit kolektiv. Por, përkundër “fajit kolektiv”, viktimat kishin emër dhe mbiemër. Secili është një individ. Secili është rrëfim në vete. Edhe qytetarët serbë.

“Viktimat serbe, dhe shqiptarët kriminelë”, kështu thonë sloganet zyrtare të shtetit serb. Apo ishte e kundërta? “Viktimat shqiptare dhe kriminelët serbë”, si thotë kryesisht bota e qytetëruar. Apo ishte herë ashtu e herë kështu? Apo kryesisht ashtu?

Kush më shumë e kush më pak, goditi mbi civilët. Po, nuk duhet harruar se kishte disbalancë të tmerrshme, pra aq sa kishte secili kapacitet dhe prirje të bëjë keq, ndaj civilëve!

Por gabimi qëndron diku tjetër. Edhe i propagandës serbe por edhe anës tjetër. Nuk ka viktima serbe. Nuk ka viktima shqiptare, përpara ligjit. Ata janë civilë të vrarë, viktima të luftës dhe si të tillë duhen identifikuar, duhet konstatuar dhuna mbi ta dhe duhen ndëshkuar dhunuesit! Me dhunën këtu mendojmë të gjitha format e dhunës ndaj civilëve.

Sidoqoftë, kjo temë nuk ka të bëjë me arsyet përse Serbia e ka nisur një luftë, për të nënshtruar një popull i cili nuk dëshironte të jetonte më nën pushtimin e saj, një popull i cili ishte rebeluar paqësisht, duke mohuar institucionet e pushtetit serb. Dhe kjo gjithsesi nuk ka të bëjë as me luftën e një populli, i cili po mbrohej, po përpiqej të vetorganizohej për të refuzuar pushtimin dhe po përpiqej të realizonte vullnetin e vet politik të shprehur në një referendum gjithëpopullor të viteve ’90.

Ky ishte referendumi më masiv që kishte mbajtur ndonjëherë në Kosovë, krejtësisht vullnetar, në të cilin mosdalja në referendum ishte zgjidhja më e lehtë dhe më pak e rrezikshme. Por, dalja ishte masive dhe votimi gati plebishitar. Vullneti i shprehur për mëvetësi dhe refuzimi i institucioneve serbe nuk i bënte qytetarët e Kosovës palë në luftë. Ata po shprehnin vetëm vullnetin e tyre politik.

Por, ajo që është e sigurt është se, konflikti, përkatësisht lufta që erdhi si përmbyllje e kësaj gjendjeje, solli shumë viktima. Sikur të ishin jetët patate, me siguri do të mund të bënim një matje edhe me kilogramë të dëmit të bërë. Por, edhe përkundër disbalancës së tmerrshme në numra, po aq e tmerrshme është se kishte viktima civile nga komunitete të ndryshme dhe se as 15 vite pas kësaj lufte shoqëria serbe dhe ajo shqiptare në Serbi dhe Kosovë nuk janë ballafaquar ende me krimet ndaj civilëve, duke u fshehur pas patriotizmit dhe qëllimeve të mëdha nacionale dhe shtetërore.

Pra, kjo sugjeron se për një qasje të ndershme dhe të ligjshme ndaj këtij fenomeni duhet të ndodhë një de-politizim dhe denacionalizim i krimit.

Fatkeqësisht, shumë viktima këndej apo andej, ishin dhunuar në emër të ideve të mëdha kombëtare apo fetare, me bindje se mund të merret jeta e njerëzve vetëm sepse nuk janë pjesë e komunitetit, apo sepse mendojnë ndryshe. Thjesht sepse ata janë ata e nuk janë ne! Apo thjesht, nga pafuqia me u përballë me armikun e armatosur, hakmarrja ra mbi civilët!

Pyetja e cila natyrshëm na imponohet është: A kanë viktimat përkatësi? Apo tjetra: të kujt janë kriminelët që vrasin civilë?

Derisa për viktimat, shpesh në mënyrë të heshtur gjendet një konsensus, qoftë edhe në formulën ogurzezë se “vetëm një shqiptar apo një serb i vdekur është i mirë” kur vjen fjala te kriminelët, fillon debati. Dikush thotë janë heronj e dikush se janë kriminelë. Natyrisht, civilët prapë heshtin. Nga frika prej heronjve, apo kriminelëve. Si të doni!

Fatkeqësisht, kjo qasje duket të jetë e gabuar, qoftë nga vendorët apo nga ndërkombëtarët, sidomos ata perëndimorë, që njihen për një gjyqësi të depolitizuar dhe të paanshme. Viktimat do të duhej të ishin të të gjithëve dhe kriminelët të askujt!

Pra, nuk ka viktima shqiptare apo serbe, ka vetëm viktima! Ato u përkasin të gjithëve! Nuk ka kriminelë serbë apo shqiptarë! Ka kriminelë, vrasës dhe ata kanë emër dhe mbiemër! Pavarësisht, se a kryen krime në emër të idealeve, nga urrejtja, apo thjesht për të plaçkitur! Pavarësisht, a kryen krime me urdhër apo me kokë më vete! Gjithnjë kishte një zgjidhje! Kjo mund të jetë rrethanë lehtësuese, por jo edhe amnisti!

Civilët janë qytetarë të botës. Janë njerëz të thjeshtë, apo ka edhe nga ata të “komplikuar”. Kanë emër, mbiemër, numër personal. Kanë një shtëpi, dy apo tri. Kanë veturë, apo ecin këmbë. Kanë një fëmijë, prindërit apo gjyshen dhe gjyshin, ose nuk i kanë asnjërin nga këta. Kanë një qen, mace apo nuk kanë fare. Janë veç njerëz të zakonshëm, të frikësuar, që duan të mbijetojnë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here