Viktimat e një rendi që po “vdes”

0

DAVID MILIBAND

Kriza e Ukrainës nuk duhet të na verbojë përballë rebusit të madh të çështjeve globale sot: ndërkohë që bota është më paqësore nga sa ka qenë për 300 vjet, kur e mat për nga numri i luftërave mes shteteve, niveli i mungesës së rendit po rritet. Në fakt ka një anarshi në rritje në pikat e nxehta të botës.
Kjo tendencë mund të shihet jo vetëm në shpërthimin e brendshëm të Sirisë dhe përhapjen e konfliktit, zhvendosjeve dhe vuajtjeve të mëdha njerëzore në vendet fqinjë. Në Nigeri, vendi më i madh i Afrikës, të paktën 2500 civilë janë vrarë prej grupit islamik terrorist Boko Haram vetëm gjatë muajit të fundit. 1.5 milion vetë janë zhvendosur në shtetet verilindorë të Yobes, Bornos dhe Adamavas, dhe dhuna u përhap më pas në Nigerin dhe Chadin fqinjë.
Veç kësaj, talebanët nuk janë zhdukur aspak nga Afganistani. Qeveria e Republikës së Afrikës Qendrore po vuan shumë për të vendosur pushtetin e saj edhe në kryeqytet. 1700 klane dhe grupe militantësh po luftojnë për pushtet në Libi. Në lindje të Kongos mbeten rreth 40 grupe të armatosur. Lista është e gjatë.
Në të gjithë këta vende, në vijën e frontit është hedhur një sektor humanitar i pamjaftueshëm dhe me staf të mangët, në përpjekje për të shëruar plagët më të këqia të një numri rekord njerëzish të zhvendosur nga shtëpitë e tyre prej konfliktit dhe fatkeqësive. Agjencitë e OKB dhe OJF-të partnere të tyre kanë vështirësi shumë të mëdha për të bërë punën e tyre përballë konfliktit kaotik, kohëgjatë mes shteteve.
Ekzistojnë tre shkolla mendimi për arsyen pse po ndodh kjo. Një pikëvështrim është që, ashtu si Reformimi e shkundi Europën një gjysmë mijëvjeçari më parë, bota sot po bëhet dëshmitare e një beteje me potencial po aq shpërthyes brenda botës islamike. Pavarësisht gjithë versioneve që përmenden për rrezikun që paraqet ekstremizmi islamik për perëndimin, ia vlen të mbahet parasysh ky mendim i shprehur nga Ahmed Rashid: “ISIS nuk po bën luftë kundër Perëndimit… Kjo është mbi të gjitha një luftë brenda Islamit: një konflikt e sunitëve kundër shiitëve, por edhe një luftë nga ekstremistët sunitë kundër myslimanëve më të moderuar”.
Lufta brenda Islamit vendos pluralizmin përballë purifikimit. Ajo po shkatërron shtete dhe rajone, po josh njerëz të udhëtojnë në gjysmën tjetër të botës për t’iu bashkuar xhihadit, dhe po rrezikon të shkaktojë më shumë dhunë kundër myslimanëve, ashtu sikurse edhe kundër të krishterëve, hebrenjve dhe të tjerëve.
Por lufta brenda Islamit nuk është një shpjegim i kënaqshëm apo i mjaftueshëm për gjendjen e anarshisë që shohim në vende si Sudani i jugut, 11 milionë banorët e të cilit e fituan pavarësinë vetëm pak më shumë se 3 vjet më parë. Ndonëse shteti më i ri i botës doli nga një luftë civile mes të krishterëve dhe myslimanëve, referendumi për pavarësinë mori një mbështetje 99%. Megjithatë, sot 1.5 milionë banorë të tij janë dëbuar, gjë që nuk ka aspak të bëjë me Islamin dhe ka gjithcka të bëjë me një luftë etnike për kontrollin e burimeve të vendit.
Janë të paktën edhe dy faktorë që ndihmojnë për të kutpuar krizën akute që ka mbërthyer 30 apo 40 shtete të brishtë sot. I pari është ana tjetër e monedhës së globalizimit: epoka jonë nuk është aspak e shenjuar nga homogjenizimi i popullsisë së botës apo zhdukja e dallimeve, përkundrazi, ajo është e shenjuar nga një theksim gjithnjë e më i fortë i identiteteve lokalë, etnikë, politikë dhe fetarë. Dhe një numër gjithnjë e më i madh shtetesh nuk janë në gjendje të mbajnë këta ndarje brenda kufijve paqësorë. Sistemet e tyre politikë janë shumë të brishtë, popullsitë e tyre shumë të varfëra dhe fqinjët e tyre i fusin shumë hundët, duke mos i lënë udhëheqësit e këtyre vendeve që të gjejnë mënyra për të ndarë pushtetin dhe plotësuar nevojat e njerëzve.
Por ka edhe një tjetër faktor që kontribuon për këtë ndjesi që kemi, sikur po hyjmë në një dekadë anarshie në të cilën krizat humanitare destabilizuese në shtetet e dështuar, apo ata që po dështojnë, nuk po adresohen në mënyrën e duhur. Eshtë një faktor i lehtë të thuhet dhe i vështirë të korrigjohet: Sistemi ndërkombëtar është i dobët dhe i përcarë.
Ndonëse Lufta e Ftohtë u shenjua prej një polarizimi global, me blloqe gjeopolitikë të dalluar mes tyre dhe konflikte mes të tretëve, ajo ishte gjithashtu një periudhë kur sistemi ndërkombëtar ishte më i rregullt se sa sot. Nuk duhet të vajtojmë që na iku koha e Luftës së Ftohtë; por duhet të pranojmë pasojat e zbrazëtisë që zuri vendin e saj në cerekshekullin e fundit. Sot, aftësia e botës për t’u bashkuar në një mënyrë të efektshme është thjeshtë një kujtesë e largët.
Mendoni për shpërthimin e Ebolës në Afrikë. Një reagim i ngadaltë dhe i dobët ndërkombëtar bëri që nismat lokale të komuniteteve morën barrën më të rëndë. Si rezultat, ndërkohë që me kalimin e kohës Ebola u spraps, numri i viktimave ishte më i lartë se sa duhej.
Panorama më e gjerë na shfaq para syve institucione ndërkombëtarë që janë të rrethuar prej kërkesave të pafundme dhe prioriteteve të shteteve. Këta institucione nuk janë aspak të sigurtë në vetvete, përkundrazi ata ngërthehen gjithnjë e më shumë në pozicionet e shteteve. Bashkë me strukturat e dobëta në shtetet e brishtë, kjo është një recetë për kaos.
Sektori humanitar po punon për të përmirësuar performancën e tij në një sërë fushash, që nga sqarimi i rezultateve të ndërhyrjeve, deri tek nxitja e programimit të bazuar në prova dhe ndërhyrjet e llojit “vlera-për-para”. Por ndërkohë që mund të përpiqemi të ngadalësojmë vdekjet, ne nuk mund të ndalim vrasjet. Kjo është një sfidë për politikën globale – një sfidë që lidhet me prioritizimin, organizimin dhe vlerat.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here