Vetvendosje kërkon drejtësi për krimet serbe të 3 e 4 shkurtit 2000 në Mitrovicë

0

PRISHTINË, 4 SHKURT – Lëvizja Vetvendosje përmes një komunikate sot ka kërkuar drejtësi rreth krimeve të strukturave kriminale të Serbisë në veri të Mitrovicës të kryera me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000. “Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në veri të qytetit të Mitrovicës ndodhën trazira, të cilat ia përcaktuan fatin këtij qyteti në një drejtim krejtësisht të ndryshëm prej pjesës tjetër të Kosovës”, ka përkujtuar VV. “Në orët e mbrëmjes grupe të organizuara kriminale serbe kishin dalë për të sulmuar shqiptarët me armë të ndryshme e granata dore, në mbrëmjen e 3 shkurtit të vitit 2000 janë vrarë 10 shqiptarë dhe janë lënduar me qindra nga sulmet e një nate më parë, gjithçka para syve të KFOR-it francez. Si pasojë e këtyre sulmeve mbi 11.300 shqiptarë e kanë lëshuar veriun e Mitrovicës, duke u shpërngulur në jug të qytetit, e gjetiu nëpër Kosovë”, ka dhënë detaje VV. Ngjarjet e 3-4 shkurtit të vitit 2000, sipas këtij subjekti kanë pasoja direkte në atë që po ndodh sot në veri të Kosovës. “Ai sulm nuk ndodhi rastësisht, ishte sulm i organizuar dhe i orkestruar tepër mirë nga ana e strukturave kriminale të Serbisë, ai sulm kishte për qëllim spastrimin etnik të veriut të Mitrovicës nga shqiptarët dhe joserbët e tjerë, në mënyrë që vendi të sillej para një akti të kryer sa i përket përbërjes etnike dhe kontrollit të territorit”, ka vënë në pah VV. “Sot, 15 vite më vonë ende nuk janë gjykuar krimet e 3-4 shkurtit të vitit 2000. Përkundrazi, strukturat paralele kriminale të Serbisë ende funksionojnë në veri të vendit të financuara drejtpërdrejt nga Serbia dhe të toleruara nga Qeveria e Kosovës. Janë këto struktura kriminale të cilat pamundësojnë kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Familjet e viktimave, të shpërngulurit dhe e gjithë shoqëria jonë kërkon drejtësi”, ka tërhequr vëmendjen Lëvizja Vetvendosje.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here