Vetvendosje e portretizon në të zeza 100 ditëshin e qeverisë

0

Lëvizja Vetvendosje nuk ka gjetur asnjë pikë të bardhë në qeverisjen 100 ditëshe të Qeverisë së Republikës së Kosovës. “Kjo Qeveri ishte votuar më 9 dhjetor të vitit të kaluar pa ua dhënë mundësinë deputetëve që të diskutojnë për ministrat e prezantuar për herë të parë atë ditë dhe pa pasur fare program në të shkruar me të cilin do të duhej të zotohej kryeministri dhe qeveria që e kërkonte votën”, nisi fjalën e tij sot në konferencën për media mbi 100 ditëshin e kësaj Qeverie, Visar Ymeri, Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ai konstatoi se që në fillim e kjo qeveri dëshmoi se do të jetë sikur ajo e shkuara, duke nënshkruar marrëveshjen një ditë para themelimit, në me dy partive, e ku ato ishin dakorduar që ta vazhdojnë kapjen e shtetit, përveç se tash do ta ndanin këtë kapje mes dy subjekteve të koalicionit, duke u zotuar në pikën 8 të saj që t’ia nënshtrojnë të gjitha pozitat e themeluara nga Qeveria dhe Kuvendi parimit të ndarjes së barabartë. “Përveç kësaj ishin dakorduar që ta instrumentalizojnë Kuvendin e Republikës duke ua ndaluar deputetëve të tyre të jenë deputetë dhe duke insistuar që këta t’i shërbejnë qeverisë dhe jo qytetarëve. Kështu nisi së ndërtuari Republika qeveritare. Së pari si planprogram për t’u zbatuar pastaj në praktikë”, tha Ymeri.

Më tutje, Visar Ymeri tha se marrëveshja shtesë e koalicionit me Listën Serbe e portretizon Kosovën si dy njësi dhe zotohet se do ta ndërtojë këtë dyzim. Këtë ai e ilustroi me shembujt si marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dakordimin për tretman të veçantë gjatë procesit të privatizimit në valët e ardhshme në komunat me shumicë serbe, përqendrimin vetëm në kthimin e serbëve pa e përmendur fare po ashtu kthimin e shqiptarëve nëpër pronat e tyre, etj.

Ndërkaq, duke folur për buxhetin, ai tha se ky buxhet nuk adreson asnjë nga problemet akute te Kosovës, njëjtë dhe ai i parashikuar për 2016 dhe 2017. “Në shëndetësi nuk ka asnjë rritje të buxhetit si dhe nuk është parashikuar asnjë cent për ngritjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, në bujqësi shuma totale është 60 milionë, ngaqë 15 milionë janë bartur nga viti i shkuar dhe realisht janë dedikuar vetëm 35 milionë euro, nuk ka as rritje as projekte të rëndësishme kapitale për furnizimin me ujë dhe as për rrjetin e ujitjes dhe kanalizimeve, për sistemin arsimor nuk parashikohen përveç projekteve partikulare të komunave për ndërtimin e ndërtesave asnjë buxhetim që do ta adresonte gjendjen shqetësuese në këtë fushë, sikurse asnjë rritje ose parashikim serioz nuk ka as për FSK-në edhe pse ky është viti kur pritet që ajo të shndërrohet në Forca të Armatosura. Projekti i vetëm kapital i parashikuar në buxhet është ai i Bechtel Enkës”, specifikoi Visar Ymeri.

Albulena Haxhiu në fjalën e saj tha se Kryeministri Mustafa po vazhdon pikë për pikë modelin (keq) qeverisës të Hashim Thaçit, duke theksuar se ky është koalicion i Gjykatës Speciale, i negociatave të padrejta me Serbinë dhe koalicion i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që do ta bosnjëzojë Kosovën. Ajo tërhoqi vëmendjen se ndër vendimet e para dhe të dëmshme të Isa Mustafës, ishte edhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Drejtësinë, me anë të së cilës u shpërfill në mënyrë flagrante sistemi i brendshëm i drejtësisë në Kosovë, duke u krijuar enkas për serbët Gjykata e Apelit në veri dhe duke aplikuar diskriminimin mbi baza etnike për drejtuesit e gjykatave dhe prokurorisë. “Sistemi i drejtësisë në Kosovë më as nuk është i pavarur, as i paanshëm dhe as nuk garanton barazi për të gjithë” tha ajo.
Haxhiu poashtu vuri në pah situatën në Këshillin Prokurorial, si pasojë e “Sistemit të Drejtësisë” që e kanë servuar Hashim Thaçi dhe Hajredin Kuçi, e që po shpërfaqë kacafytje për interesa klanore dhe individuale, pa parime në këtë institucion.
Se sa e papërgjegjshme është kjo Qeveri karshi qytetarëve dhe deputetëve e dëshmon edhe sjellja e saj karshi Kuvendit. Albulena Haxhiu tha se përveç që nuk është sjellë të paktën një ligj i cili është në interes të qytetarëve, mungon edhe përgjegjësia e Qeverisë për çfarëdo çështje të ngritur në Kuvend, e cila e shpërfill Kuvendin sidomos në kohën e pyetjeve parlamentare, interpelancave dhe debateve të tjera!

Në fund ajo njoftoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! si Grup Parlamentar më 18 mars, ka proceduar ne Gjykatën Kushtetuese komentet karshi amendamenteve për Gjykatën Speciale si dhe gjithashtu, tri Grupet Parlamentare: Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK dhe Nisma, dje, kanë dorëzuar në Kuvend, mocionin përmbajtësor, për organizimin e një debati të veçantë në lidhje me punën 100 ditëshe të Kryeministrit Mustafa si dhe Programin Qeverisës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here