VETVENDOSJE dënon dhunën e Qeverisë Gruevski në Kumanovë, kritikon edhe reagimin e MPJ-së

0

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi konferencë të jashtëzakonshme në lidhje me ngjarjet e fundit në Maqedoni. “Qeveria e Gruevskit ka mobilizuar artilerinë më të rëndë ushtarake për ta sulmuar Kumanovën. Janë sulmuar vetëm lagjet e shqiptarëve me autoblinda e helikopterë, tamam siç sulmohej Kosova nga Milosheviqi gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mediat po raportojnë se ka të vrarë shqiptarë dhe disa të plagosur nga ana e policisë maqedonase”, ka thënë me këtë rast, shefi i Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca.
“Arsyetimi i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë për këtë sulm është supozimi se po i ndjekin grupet e armatosura në Kumanovë. Kjo është një alibi e papranueshme për ta maskuar një fushatë të armatosur për terrorizimin e shqiptarëve. Nga xhirimiet e deritashme mediatike vërehet se si breshëria e plumbave dhe predhave nga helikopteri bie mbi shtëpitë e lagjeve shqiptare në Kumanovë. Në anën tjetër, në qytetin e Kumanovës, shihen pamjet e policisë të shoqëruar me autoblinda se si arrestojnë qytetarë të rëndomtë shqiptarë nëpër sheshe dhe rrugë publike”, ka tërhequr vëmendjen më tutje Konjufca.
“Gruevski e ka shndërruar Maqedoninë në një shtet shtypës i cili shqiptarëve iu qaset vetëm përmes dhunës policore dhe represionit ushtarak. Qeveria Gruevski është në krizë të thellë të legjitimitetit politik.”, ka spikatur ai.
Po ashtu, Konjufca kritikoi ashpër mënyrën e reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës duke qenë se ky reagim i shkon përshtati jashtëzakonisht shumë Gruevskit, i cili, sikurse Hashim Thaçi, po e justifikon sulmin e tij ndaj shqiptarëve me gjoja luftimin e grupeve të armatosura. “Mënyra e reagimit të Qeverisë sonë është plotësisht e gabueshme. Nuk e shohim asnjë fjali në reagimin e MPJ-së së Kosovës që e dënon sulmin mbi popullatën shqiptare atje”, ka përmbyllur Konjufca.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here