Vetvendosja e anulon protestën e ftuar për nesër, pas largimit të Jabllanoviqit

0

PRISHTINË, 3 SHKURT –Lëvizja Vetvendosje e ka anuluar protestën e ftuar për nesër në Prishtinë. “I njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se protesta e ftuar për nesër shtyhet për një ditë tjetër. Është çështje ditësh se kur do ta organizojmë protestën tjetër dhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë. Protesta i ka pasur dy kërkesa: shkarkimin e Jabllanoviqit dhe shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje publike. E para është plotësuar e dyta ende jo”, kanë thënë në një konferencë për media Visar Ymeri dhe Aida Dërguti pak kohë pasi kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar se Jabllanoviq nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar. Largimin e ministrit Aleksandër Jabllanoviq nga kabineti qeveritar krerët e VV-së e kanë quajtur fitore të qytetarëve. “Vendimi i Qeverisë për largimin e Jabllanoviqit dëshmon se kërkesat e qytetarëve kanë qenë të drejta dhe legjitime”, janë shprehur ata duke kërkuar që pas përmbushejs së kësaj kërkese të lirohen menjëherë të arrestuarit që po mbahen në paraburgim nga protestat e kaluara. “Gjithashtu, kërkojmë nga Prokuroria që të vazhdojë hetimin mbi kallëzimin penal që kemi bërë sot, ndaj dhunës së Policisë në protestën e kaluar”, janë shprehur përfaqësuesit e VV-së.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here