Vetëvendosje: “Shteti është i kapur nga koalicioni PDK-LDK”

0

Lëvizja Vetëvendosje po insiston se shteti në Kosovë është i kapur. Këtë ky subjekt e ka përsëritur edhe sot përmes një komunikate.

“Etja e pakufizuar për pushtet dhe dëshira e pangopur për pasuri janë karakteristikat më tipike të forcave që po e qeverisin aktualisht Kosovën.

Për të mirëmbajtur sistemin e tyre klientelist, partitë në pushtet, pra PDK e LDK kontrollojnë përmes bordeve të gjitha ndërmarrjet publike, autoritetet që me ligj janë të pavarura dhe institucionet kushtetuese. Po ashtu, përmes kontrollit të bordeve këto parti sigurojnë edhe zhvatjen që ia bëjnë ekonomisë sonë.
Në një llogari të thjeshtë, vetëm në bordet e KOSTT, Aeroportit të Gjakovës, Ibër-Lepencit, Infrakos-it, PTK-së, Trainkos-it, AKP-së, ARKEP-it dhe ZRRE-së janë plot 34 individë të cilët kanë lidhje të ngushta me partitë në pushtet si edhe me persona të caktuar të qeverisë. Kjo lidhje nuk është për ide e projekte, por për favore e për tendera.

Këta persona, emrat e të cilëve ne sot po i publikojmë, janë një hallkë e rëndësishme në zinxhirin urdhërues që varet prej Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit.

Me këtë shtrirje të korrupsionit, me këtë kapje të të gjitha enteve e ndërmarrjeve, e institucioneve asnjëherë nuk do të mund të kemi një shtet të së drejtës, apo një shtet zhvillimor. Mungesa e efikasitetit ekonomik dhe ndarjes së drejtësisë do të jetë karakteristikë e përhershme e këtyre ndërmarrjeve dhe institucioneve, edhe pse ato kanë potencial.

Nuk po i bëjmë thirrje qeverisë t’i pastrojë bordet e institucionet prej njerëzve partiakë instrumente të korrupsionit, meqenëse ata në 16 vite kanë bërë vetëm të kundërtën. Por tashmë kemi kërkuar që Qeveria vetë të largohet, dhe këtë do ta arrijmë edhe nëpërmjet protestave që nisin në 9 janar.

E me qeverinë e re, këta që janë aty si duar të zgjatura të korrupsionit qeveritar nëpër borde e institucione, që e mbajnë peng Kosovën, nuk do të jenë më, ndërsa në vend të tyre do të jenë profesionistët, punëtorët dhe menaxherët, pra njerëzit e ndershëm e të guximshëm nga fushat përkatëse”, ka shkruar ky subjekt.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here