VETËVENDOSJE i thotë Zaevit se primare është barazia kombëtare e shqiptarëve

0

Lëvizja VETËVENDOSJE ka tërhequr vërejtjen se më me rëndësi se sa barazia qytetare, për shqiptarët në Maqedoni është barazia kombëtare. Këtë mesazh ky subjekt ia ka përcjellë opinionit të gjerë dhe opozitës maqedonase e cila po tenton ta rrëzojë nga pushteti Nikolla Gruevskin dhe aleatët e tij.

 

Lexojeni më poshtë komunikatën e plotë të VETËVENDOSJES rreth zhvillimeve aktuale në Maqedoni

 

Jo vetëm barazi qytetare, duhet barazi kombëtare

Të dielën në Shkup u mbajtën protesta të mëdha të organizuara nga shoqëria civile dhe nga opozita, duke kërkuar dorëheqjen e Gruevskit, kryeministrit tashmë të faktuar si antishqiptar.

Është e domosdoshme që qeveria Gruevski të rrëzohet, por e pamjaftueshme. Opozita maqedonase, që pretendon të zëvendësojë Gruevskin, nuk ka dhënë shenja për ndryshime përmbajtësore sa i përket shqiptarëve. Zoran Zaev flet për barazi qytetare, pra barazi të individëve, por Maqedonia mund të jetë një shtet i mirë për të gjithë vetëm atëherë kur të sigurojë barazinë kombëtare për shqiptarët. Barazia ose është e plotë, ose nuk është.

Insistimi vetëm tek barazia qytetare nënkupton mirëmbajtje dhe riprodhim të diskriminimit që i bëhet shqiptarëve. Ata nuk diskriminohen pse janë individë apo qytetarë, por për shkak të faktit që i përkasin një kolektiviteti politik siç është kombi shqiptar i cili gjer më tash është konsideruar si problem për Maqedoninë. Tejsimbolizimi i qenies politike të kombit çon në keqpërdorim të flamujve dhe në përqeshje. Shqiptarët nuk kërkojnë barazi flamujsh.

Nën regjimin e Gruevskit shqiptarët u getoizuan, u zhvendosën prej territoreve ku kanë banuar gjithnjë, u kategorizuan në mënyrë fyese, u dhunuan dhe u keqgjykuan nga shteti. Kjo ndodhi në bashkëpunim me BDI, pra me partnerët shqiptarë të qeverisë e cila duhet rrëzuar patjetër. Por, diçka më e rëndësishme se sa rrëzimi i qeverisë, është që të ndryshohet karakteri i vetë shtetit të Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit nuk mjafton!

Më herët Zaev ka thënë se ka fakte që dëshmojnë se rasti Monstra ishte i montuar nga shteti, ai deri më tash nuk ka bërë publike asgjë për të. Është e mirë dhe e rëndësishme që kreu i LSDM-së po i zbardh rastet e korrupsionit të pushtetit, dhe përdaljet fashiste të eksponentëve të saj (ish kryepolicja Jankullovska). Por këto nuk janë asgjë nëse nuk zbardhen krimet e orkestruara nga shteti të cilat i janë mveshur dhe montuar shqiptarëve duke i gjykuar e dënuar në mënyrë drakonike ata. Pikërisht këto montime që përfshijnë ekzekutivin e gjyqësorin e shpërfaqin të vërtetën e shtetit të Maqedonisë, krahas të vërtetës së pushtetit aty. Ta dish të vërtetën dhe ta mbash atë të fshehur është të bëhesh bashkëfajtor në krim.

Mënyra se si është e ndërtuar Maqedonia përherë për shqiptarët rrezikon që të prodhojë “Gruevskë” të rinj, prandaj shqiptarët duhet të bashkohen e të angazhohen për ta ndryshuar atë. Është e domosdoshme që në këto momente të dëgjohet zëri i të papërfaqësuarve shqiptarë, jashtë klientelave të kapura e të kontrolluara prej Gruevskit e Mijallkovit.

Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova duhet të njësojnë politikat diplomatike, ato të sigurisë e të mbrojtjes me synim ruajtjen dhe avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së shqiptarëve në Maqedoni. Ky njësim politikash duhet të iniciohet, të sanksionohet e të mbikëqyret prej dy Kuvendeve.
18 maj 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here