Vetëvendosje i thotë Stavilecit: “Fajet e pushtetit kriminal nuk mund të rëndojnë mbi fëmijët”

0

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është e shqetësuar për gjuhën e përdorur së fundi nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, sipas tyre, një gjuhë kjo përbuzëse për popullsinë e varfëruar të Kosovës, e veçanërisht për gratë.

Në një komunikatë për media ky subjekt ka thënë se ky ministër në vend se të shpjegojë arsyet e mjerimit dhe të moszhvillimit ekonomik në Kosovë, që vijnë si pasojë e konceptit keq-qeverisës të pushtetit ku ai është pjesë, e hedh fajin për këtë varfëri tek masat e gjera që në Kosovë i përkasin shtresës së varfër të shoqërisë. “Me 300 euro rrogë mos i bëni 7 fëmijë”, tha ministri i zhvillimit ekonomik Blerand Stavileci, duke shpërfaqur kështu gjithë ideologjinë e biopushtetit, e cila pasi i ka zhveshur shumicën e shqiptarëve të Kosovës prej shumë të drejtave qytetare, politike e ekonomike, tashmë po synon t’i zhveshë ata edhe prej kontrollit mbi jetët e tyre, mbi familjet e tyre, mbi të vetmen pronë që u ka mbetur, e që është trupi i tyre biologjik”, ka shkruar subjekti që drejtohet nga Visar Ymeri. “Gjuha e tillë nuk i përket vetëm këtij ministri. Jemi dëshmitarë të deklaratave të ndryshme nga shumë zyrtarë të qeverisë, të cilët barazinë gjinore dhe të drejtat e grave i shndërrojnë në riprodhim të kushtëzuar, në fajësi mbi vdekshmërinë foshnjore, apo si në këtë rast, si fajësi për varfërinë e përgjithshme. Kjo gjuhë është përdorur edhe më parë nga aparati racist i Millosheviqit, që i akuzonte nënat shqiptare si “gra te egra” të cilat dinë vetëm të “bëjnë fëmijë””. Sipas Vetëvendosjes, kjo gjuhë e përdorur nga pushtetarët synon që ta shpjegojë mërgimin masiv, arratisjen e popullit të Kosovës prej kushteve të mjerueshme ekonomike e shoqërore, përmes fajit biologjik të këtij populli. “Sugjerimi i ministrit nuk ka të bëjë me planifikimin familjar, por me dëshirën për të shfajësuar qeverinë, e cila është fajtori i vërtetë për kushtet e pajetueshme të ndërtuara në Kosovë.Nuk do të mund të ketë kurrë barazi, as ekonomike, as qytetare e as gjinore, me një qeveri që ka mendësi të tillë, pushteti i së cilës rrjedh edhe riprodhohet prej pabarazisë. Gruaja në Kosovë vazhdon të mbetet shtylla kryesore e shoqërisë, jo për shkak të pjesëmarrjes së saj simbolike në strukturat e pushtetit, por për shkak të pozitës së saj në shtresat e mesme dhe të ulëta të shoqërisë. Përderisa pabarazia rëndon mbi supet e saj, ajo kryen dy të tretat e punës në këtë shoqëri, pasi detyrohet të punojë si në profesion ashtu edhe në shtëpi”, ka shkruar ky subjekt. “Gruaja nuk është fajtore për moszhvillimin dhe për varfërinë në Kosovë, ajo është viktimë e këtij moszhvillimi, i cili është rrjedhojë direkte e hajnisë dhe e injorancës e prapambeturish, që fatkeqësisht ka uzurpuar poltronat e ministrive në Kosovë”.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here