Vetëvendosje e fton Mustafën të mos shkojë në dialog me Serbinë

0

PRISHTINË, 8 SHKURT – “Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi po shkojnë në dialog me Vuçiqin dhe Daçiqin pa lejen e Kuvendit të Kosovës dhe pa prezantuar kurrfarë qëndrimesh, platforme apo qëllimesh. Nuk ekziston kurrfarë dokumenti zyrtar në kuvendin e Kosovës, e madje as në Qeverinë e Kosovës, mbi agjendën dhe karakterin e vazhdimit të dialogut. Takimi i nesërm po zhvillohet tinëz qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. Takimi i nesërm është jolegjitim dhe i papranueshëm”, ka thënë ndër të tjera sot në një konferencë shtypi deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetvendosje, GlaukKonjufca. Ai ka tërhequr vërejtjen se me 10 shtator të vitit të kaluar Isa Mustafa e kishte vendosur nënshkrimin e tij mbi një marrëveshje me 3 subjektet politike opozitare ku në pikën 5 të kësaj marrëveshje thuhej se “çështjet që do të dialogohen dhe korniza e dialogut të miratohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. “Dy muaj pas, Isa Mustafa i braktisi këto parime, dhe u përcaktua që dialogun me Serbinë ta vazhdonte gjurmëve të Thaçit”, ka tërhequr vërejtjen Konjufca. Deputeti tjetër i Vetvendosjes, Rexhep Selimi ka theksuar në këtë presskonferencë se Serbia po vazhdon t’i mbrojë kriminelët e luftës, me theks të veçantë shefin e Shtabit të Ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq, “për të cilin u dëshmua se është i përfshirë në krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë”. Selimi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që urgjentisht t’i ndalë këto negociata që janë në dëm të Republikës së Kosovës. “Tash kur Serbia po kërcënon me ushtri; kur i mbron kriminelet vrasës dhe i mban në krye të ushtrisë; kur i ka armatosur serbët dhe strukturat e Serbisë në Kosovë; kur zyrtarët e saj në Serbi dhe në Kosovë e proklamojnë Kosovën si pjesë të Serbisë; kur po vazhdon spastrimi etnik nga territoret e uzurpuara në Kosovë; kur shtypja ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc po vazhdon deri në terrorizëm shtetëror; tash më shumë se kurrë Kosova duhet urgjentisht që t’i ndërpresë negociatat me Serbinë, t’i ngritë kapacitetet ushtarake, t’i kthehet vetes dhe shtetndërtimit, t’i rrisë bashkëpunimet me shtetet demokratike, si dhe ta forcojë bashkëpunimin gjithëkombëtar në drejtim të mbrojtjes dhe zhvillimit të një Republike të vërtetë dhe sovrane”, ka thënë ndër të tjera Rexhep Selimi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here