VETËVENDOSJE: Demonstrata, jo luftë! Në Shkup, jo në Kumanovë!

0

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon terrin informativ dhe censurën e medieve në Maqedoni, rreth ngjarjeve të sotme në Kumanovë dhe rrethinë.
Kjo parti ka shprehur mirëkuptim ndaj shprehjes së pakënaqësisë nga shqiptarët e Maqedonisë por nuk është pajtuar me formën e veprimit. “Ne mendojmë se kjo revoltë duhet të shprehet në demonstrata dhe angazhim qytetar masiv e jo në konflikt të armatosur të grupeve”.
“Ka ditë që po qarkullon agjitacioni i dyfishtë ndër shqiptarë e për të cilin po na pyesin edhe neve në VETËVENDOSJE!. Së pari, se shqiptarët duhet të shkojnë në luftë meqë gjoja ‘amerikanët’ u paskan thënë se do t’i mbështesin. Dhe, së dyti, se për instalimin e ‘Zajednicës’ në Kosovë shqiptarët do të kompensohen me një rrip në perëndim të Maqedonisë. Këto lojëra që kanë për qëllim sprapsjen e shqiptarëve nga Mitrovica e Trepça dhe ‘normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë’ janë shumë të dëmshme për kombin e shoqërinë tone”, ka theksuar LVV.
“Shqiptarët duhet të ngrihen në demonstrata qytetare dhe të kërkojnë largimin e Gruevskit. Këto demonstrata duhet të mbahen në Shkup. Qendra politike e shqiptarëve është Shkupi. Gruevski rrëzohet në Shkup e jo në lagje e fshtara të Kumanovës”, ka sugjeruar ky subjekt.
“I bëjmë thirrje qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës të jenë të qarta dhe të prera në mbrojtjen e integritetit, të të drejtave, dinjitetit dhe interesave të shqiptarëve në Kumanovë, si dhe të këmbëngulin zyrtarisht te faktorët ndërkombëtarë kundër përfshirjes së Ministrisë së Brendshme të Serbisë në ndihmë të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, për këtë çështje e cila aspak nuk i prek serbët. Përqendrimi i policisë serbe në kufirin Serbi-Maqedoni është njëkohësisht kërcënim për shqiptarët në Kumanovë si dhe për ata në Preshevë. Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës duhet t’i reagojnë Serbisë, hegjemonia luftënxitëse e së cilës është aktivizuar sërish”, ka sugjeruar për pushtetet e Shqipërisë dhe Kosovës, VETËVENDOSJE.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here