VETËVENDOSJE: Bazamenti i Gjykatës Speciale është njëanshmëria

0

Gjykata Speciale e paralelizon sistemin tonë gjyqësor. Bazamenti i kësaj Gjykate është njëanshmëria. Krimet masive i ka kryer Serbia në Kosovë, kurse shqiptarët po përfundojnë me një tribunal special për UÇK-në. Këto janë disa çështje që u diskutuan në tryezën e Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për politikën e jashtme të Kosovës në rajon, me shtetet e strukturat e Bashkimit Evropian dhe SHBA, dhe në raport me vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit në kushtet e kërkesës për krijimin e Gjykatës Speciale sipas Rezolutës së Këshillit të Evropës bazuar në raportin e Senatorit Dick Marty. Në këtë tryezë, përpos deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! morrën pjesë edhe përfaqësues nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga Nisma për Kosovën, nga organizatat e shoqërisë civile dhe profesorë të së drejtës dhe njohës të fushës së drejtësisë.

Kryetari i Grupit Parlamtar Glauk Konjufca tha se kjo Gjykatë është e njëanshme dhe madje e përmbysë realitetin historik. “Serbia ishte okupimi, shtypja, apartheidi, represioni, dhuna, diskriminimi… kurse populli shqiptar ishte masa në të cilën ushtroheshin të gjitha këto kategori. Serbia ishte agresori. Shqiptarët ishin viktima. Gjykata Speciale merret me këta të fundit. Një procedurë e tillë e shtrembëron realitetin historik”, tha Konjufca. Ai foli edhe për përbërjen e dhomave të Gjykatës Speciale. “Për ta pasur kredibilitetin e nevojshëm etik dhe profesional u dashka të jesh ndërkombëtar! Kjo është e papranueshme dhe raciste në thelb”, shtoi ai.

Ndërkaq deputeti Albin Kurti tha se është e nevojshme që të diskutohet për dështimet e EULEX-it, por në vend që të ndodh kjo, në Kuvend po vjen një debat për Gjykatën Speciale dhe atë jo për shqyrtim, por më shumë për miratim e legjetimim. “Nëpërmjet Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë sadokudo do bëhet shfajësimi i EULEX-it për dështimin e tij duke ia faturuar këtë Kosovës, në emër të dëshmitarëve që s’mbrohen dot”, ka thënë ai. Kurti e përmendi edhe faktin që kjo Gjykatë nuk do t’i raportojë Kuvendit, sikurse nuk e ka bërë as UNMIK-u, e as EULEX-i.

Ish kyetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi tha se kjo gjykatë e suspendon sistemin e drejtësisë në tërësi. “Kërkesa për themelimin e kësaj gjykate është kryekëput politike dhe nuk nuk ka aspak lidhje me drejtësi”, tha ai.

Panelistët kanë diskutuar gjatë rreth kësaj teme. Ata kanë dhënë kritikat dhe alternativat sipas këndvështrimeve të tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here