Vetevendosja protestoi në Bruksel kundër negociatave Kosovë-Serbi

0

PRISHTINË, 9 SHKURT – Lëvizja Vetvendosje ka njoftuar përmes një komuniate se aktivistë të saj nga diaspora kanë protestuar sot në Bruksel kundër negociatave që po mbahen në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Protestuesit sipas njoftimit mbanin në duar parulla si “Sovraniteti është i panegociueshëm!”, “STOP tolerimit të BE-së ndaj fashizmit”, “STOP tolerimit ndaj ekspansionit serb!”, “Serbia kurrë nuk ka kërkuar falje”, “Ktheni të pagjeturit në Kosovë!”, “Drejtësia është e panegociueshme!”, “Të drejtat tona janë të panegociueshme”, “STOP përkrahjes së BE-së ndaj politikanëve të korruptuar”, “RECIPROCITET!”, “Vetëvendosje për Kosovën”, “Duart larg nga Trepça!”, e të ngjashme. Aktivistja Vlora Haxhimehmedi sipas njoftimit ndër të tjera ka thënë se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi po vijnë në dialog me Vuçiqin dhe Daçiqin pa lejen e Kuvendit të Kosovës dhe pa prezantuar kurrfarë qëndrimesh, platforme apo qëllimesh. Dialogu 3 vjeçar sipas saj do të duhej të shqyrtohet e hetohet, e jo të vazhdohet nga Mustafa me avazin e vjetër sikurse Thaçi. “Tanimë dihet se temat e dialogut sot janë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe që na bosnjëzon dhe formalizimi i ndarjes së gjyqësorit në veri të Ibrit”, ka tërhequr vëmendjen Haxhimehmedi e cila ka folur edhe për Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe problemin e statusit të “Trepçës”.  Ajo ka përcjellë tek kryeministri Mustafa mesazhin e mosfutjes në tavolinën e bisedimeve të “Trepçës”. “Kosova po negocion me Serbinë thua se ajo i ka borxh Serbisë, e jo Serbia Kosovës. Vetëm nga lufta e fundit u vranë 12.000 shqiptarë, kishim mijëra të pagjetur e afër 20.000 gra të dhunuara, mbi 1600 persona ende të pagjetur, 120.000 shtëpi u shkatërruar ose dogjën, u plaçkitën fondi pensional, depozitat bankare dhe 1200 artefakte kulturore”, ka përkujtuar aktivistja e VV-së duke bërë me dije se do të vazhdohet me protesta kundër këtyre negociatave, në Bruksel.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here