Veteranët e UÇK-së sërish paralajmërojnë protesta

0

Xhevdet Qeriqi, kryetar në Këshillin për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë se veteranët sërish po detyrohen të dalin në rrugë.

Ai ka thënë se nëse deri me 15 qershor nuk përfundon i gjithë procesi i listave, atëherë veteranët do të marrin masa, ku priten protesta dhe greva urie.

“Në rast se nuk përfundon deri me 15 qershor i gjithë procesi për publikimin e listave për veteranët, atëherë ne do të detyrohemi të dalim në rrugë. Nuk jemi të sigurtë nëse do të futemi në grevë, por që nëse nuk ka ndonjë zhvillim deri në këtë datë, do të ndërmarrin diçka, ose protest ose grevë”, ka thënë Qeriqi për Indeksonline.

Ai më tutje ka thënë se nuk u beson Komisionit për Verifikim të Statutit për Veteranët e Luftës, pasi që procesi i publikimit të listave është zgjatur për një kohë shumë të gjatë pa ndonjë arsye.

“Nuk jam duke I kuptuar se çka po bën ky Komision, pse po bëhen gjëra të tilla. Parregullsitë janë vërejtur, në të gjitha zonat ka pas parregullsi. Nuk e di se pse po zgjat kaq shumë ky proces. Nuk kam kontaktuar asnjëherë me ta sepse nuk iu besoj aq sat ë bisedoj me ta”, ka thënë Qeriqi për Indeksonline.

Ai ka shtuar se ka kërkesa të mëdha nga veteranët që të dalin në protesta, prandaj nëse nuk dalin listat deri me 15 qershor, ata do të dalin në rrugë.

“Çdo ditë veteranët po kërkojnë që të protestojnë sepse po u bëhet padrejtësi nga ana e Komisionit për Verifikimin e Statusit për Veteran të UÇK-së. Kërkesat janë të mëdhaja, kështu që ne do të detyrohemi që sërish të dalim në rrugë”, ka thënë ai.

Qeriqi ka shtuar se zyrtarë të Komisionit për Verifikim vetëm po dalin me deklarata se listat janë gati dhe se do të publikohen së shpejti, gjë që nuk ka ndodhur, por që këtë e bëjnë sa për t`i ftohur veteranët që të mos e ngrisin zërin./Indeksonline/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here