Veteranët e luftës protestojnë të hënën për kërkesat e papërmbushura

0

Veteranët e luftës kanë vendosur që të protestojnë të hënën kundër Qeverisë, për të shprehur revoltën e tyre për mospërmbushjen e premtimeve, sa i përket kategorive të dala nga lufta.

Këto protesta do të vijnë si rrjedhojë e asaj që, ditë më parë, u tha se rreth pesë mijë veteranë të luftës së UÇK-së rrezikojnë që sivjet të mbesin pa pensionin e tyre prej 170 eurosh.

Për tu paguar të gjithë veteranët që u është njohur statusi dhe janë të papunë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka deklaruar më herët se duhen edhe 15 milionë euro shtesë, përveç 25 milionëve që janë ndarë për këto kategori, raporton lajmi.net.
E kjo situatë ka shqetësuar veteranët e luftës pasi, siç thonë ata, vazhdimisht po u bëhet e padrejtë dhe se nuk po zbatohet ligji për këto kategori.
Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e veteranëve  të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi bëri të ditur për lajmi.net se për shkak të kësaj situate është vendosur që të hënën të mbahet protestë pasi nuk po jepet sqarim për këto vonesa që po bëhen.
“Tash dihet më se një numër i veteranëve kanë mbet pa i gëzuar pensionet edhe pse kanë apliku me kohë. Nuk po u jepet as asnjë sqarim se përse po bëhen këto vonesa. Kështu që është kërkesë  e jona e vazhdueshme çdo ditë që të ndërmarrim hapat të protestojmë sepse po u bëhet e padrejtë  dhe ne si Këshill kemi marr  vendim që ditën e hënë të protestojmë rreth këtyre padrejtësive që po u bëhen veteranëve të luftës, dmth nuk po zbatohet ligji për këto kategori”, tha Qeriqi për lajmi.net.
Thotë se premtimet e qeveritarëve kanë qenë se nuk ka vend për brengosje, pasi për këto kategori ka fonde të mjaftueshme.
“Disa herë ministri i financave, Avdullah Hoti, e ka potencuar se nuk duhet të brengosen veteranët e luftës sepse kemi fonde të mjaftueshme e tash do të kishte me qenë mirë nëse ai do të jepte ndonjë sqarim se përse po ndodhin këto, pasi ka premtuar vazhdimisht në vitin e kaluar që nuk duhet brengosur pasi ka fonde të mjaftueshme”, tha Qeriqi më tutje.
Për mungesë të fondeve për këtë kategori të veteranëve ditë më parë, Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, tha në Prishtinë se rritja e të hyrave për këtë kategori paraqet rrezik dhe se presin diskutime të mëtejme me Qeveri në për të siguruar që totali i përgjithshëm i paraparë për këtë vit prej 25 milionë euro të mos ndryshojë në mënyrë që mos të rrezikojë asgjë.
E këto deklarime, Qeriqi i konsideron si kalkulime të Qeveris me FMN-në. Madje ai akuzon FMN-në se ata asnjë herë nuk kanë reaguar në bisedimet e fundit që janë bërë rreth buxhetit për veriun e që është ndarë nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Çdo herë ka reaguar vetëm kur është fjala për veteranët e luftës. Për ne këto nuk janë deklarata serioze por janë krejta kalkulime bashkë me qeveritarët sa për tu arsyetuar në njëfarë mënyrë”, përfundoi ai./lajmi.net.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here