Veseli: Vizioni për integrimin evropian është vizion konsensual i shoqërisë së Kosovës

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në Konferencën Gjithëpërfshirëse me temën “Roli i Kuvendit në Procesin e Integrimit Evropian”, të organizuar sot nga Komisioni për Integrime Evropiane, ka thënë se “vizioni për integrimin evropian është vizion konsensual i shoqërisë së Kosovës dhe se kjo është një pikënisje tejet e rëndësishme”. “Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë i shtetit, është i përkushtuar tërësisht që të ndihmojë të gjitha proceset që lidhen me integrimin evropian të vendit tone”, ka theksuar ai.
“Vetëm pak javë më parë, Kuvendi i Kosovës me procedurë të përshpejtuar, ka miratuar ligje që dalin nga pakoja e procesit të liberalizimit të vizave, duke i dhënë mbështetje plotësimit të kritereve që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ne do të vazhdojmë ta trajtojmë këtë proces me prioritet të lartë, duke ushtruar edhe presion mbi institucionet përgjegjëse për zbatim sa më të shpejtë të obligimeve të tyre, me qëllim të avancimit të agjendës evropiane”, ka shtuar kreu i Kuvendit të Kosovës.
Miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga ana e Komisionit Evropian, kryetari Veseli e ka konsideruar një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, e cila, sipas tij, do të hap një kapitull të ri të këtyre marrëdhënieve.
Roli i Kuvendit në proceset integruese të Kuvendit, sipas kryeparlamentarit Veseli është i shumfisht dhe shtrihet edhe nëpërmjet zhvillimit të diplomacisë parlamentare, sidomos me vendet fqinje, “nëpërmjet fqinjësisë së mirë dhe pa konflikte, si standard dhe vlerë euro-atlantike, parlamentarizmit ekonomik dhe fuqizimit të mbikëqyrjes parlamentare, sidomos të mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit”.
“Unë jam i bindur se Kuvendi i Kosovës ka të gjithë vullnetin dhe mundësitë që në kohën e duhur të përmbushë këtë rol të shumëfishtë në të mirë të vendit dhe qytetarëve”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Veseli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here