Veseli thërret opozitën për dialog, Dërguti thotë se mund të dialogohet vetëm për datën e zgjedhjeve të reja

0

Megjithëse Kryesia e Kuvendit ka mbajtur takim, nuk është caktuar asnjë datë për seancën e radhës

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha se Kuvendi pritet të vazhdoj punën në fillim të shkurtit, pasi që deri atëherë një numër i madh i deputetëve gjenden jashtë vendit. Ndërsa mohoi që shtyrja e seancave po bëhet për shkak të krizës politike.

“Nuk kemi vendosur sot për seancën e radhës. Në konsultimet që i kemi pasur me Qeverinë e Republikës së Kosovës, për arsye se ne si Kuvend i kemi deri në fillim të shkurtit, e kemi një numër të madh të deputetëve të cilët janë jashtë Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dhe do ta kemi dhe një mbledhje të përbashkët të Kryesisë në fillim të shkurtit dhe pastaj do të përcaktohet edhe data e mbajtjes së seancave plenare, të cilat do të fillojnë shumë shpejt. Besoj që do të ketë iniciativa në mënyrën që të ulemi d he tregojmë seriozitet dhe maturi edhe para qytetarëve tanë, por në të njëjtën kohë edhe para partnereve tanë, se mund të dialogojmë dhe mund të merremi vesh, mes vete në mënyrë që të ecin proceset përpara. Më shumë ka gjëra të cilat na bashkojnë se sa janë do gjëra shumë të vogla të cilat në fakt s’ka arsye me na nda. Për arsye se ka përgjigje instititucionale për secilën prej atyre që janë konsideruar çështje të kontestuara”, tha Veseli.

Sipas tij seancat do të vazhdojnë dhe se do të ketë edhe dialog politik, për tejkalimin e krizës, pasi që qytetarët sipas Veselit janë lodhur me pamjet që e kanë përcjellë Kuvendin vitin e kaluar.

“Duhet të arrijmë gjithsesi. Besoj se kemi marrë një mësim nga ajo që kemi kaluar. Nuk po dua të prejudikoj as pozitën as opozitën, por të gjithë bashkërisht se e kemi lodh popullin. Njerëzit nuk janë të kënaqur me atë çfarë shohin, pavarësisht a janë pozitë apo opozitë. Sepse kanë qejf me pa më shumë seriozitet edhe përgjegjësi. Njerëzit dojnë me iu përmirësu jeta e tyre, e jo në të njëjtën kohë vetëm gjëra që s’kanë ndodhur askund, me na turpërua”, tha ai.

Ndërsa Aida Derguti, nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila mori pjesë në mbledhje të Kryesisë tha se ky takim ishte i pakuptimtë, pasi që nuk kishte qëllim caktimin e datës për mbajtjen e seancës.

“Tashmë gjithçka ka humbur kuptimin në qëndrimin e mëtejmë të Qeverisë në krye të këtij vendi dhe në pafytyrësinë më të madhe sot na kishin sjellë të përgatitur planin për Kuvendin, se cilat ligje do të sillen gjatë këtij sesioni pranveror. Kjo Qeveri e cila ka humbur legjitimitetin me shkeljen që i ka bërë të panumërta të Kushtetutës me marrëveshjet që na i solli, është e udhës që sa më herët të jap dorëheqje aq më mirë do të jetë, edhe për Kosovën”, tha Dërguti.

Ndërsa theksoi se edhe Kuvendi ka humbur legjitimitetin për zgjedhjen e presidentit, pasi që ka përkrahur një Qeveri e cila ka bërë marrëveshje që janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Ky Kuvend i cili ka lejuar dhe ka mbështetur një Qeveri, e cila ka sjellë marrëveshje të cilat janë në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës dhe vazhdon ta përkrah një qeveri të tillë, mendojmë se ka humbur legjitimitetin e zgjedhjes së presidentit. Prandaj nuk është urgjente zgjedhja e presidentit. Duhet të shkojmë sa më herët në zgjedhje. I vetmi dialog i mundshëm që duhet të bëhet tani ishte për caktimin e datës së zgjedhjeve. Pastaj pas zgjedhjeve të reja legjislatura e ardhshme le ta zgjedh presidentin e vendit”, tha Dërguti.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here