Veseli: Objekti i Kuvendit në Gërmi të shndërrohet në Universitet të Teknologjisë Informative

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në Forumin “Zhvillimi ekonomik përmes Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit”, të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Hotelin “Emerald” në Prishtinë.
Duke e përgëzuar ministrin e Zhvillimin Ekonomik për këtë iniciativë, kryetari Veseli theksoi se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa përvetësim dhe përparim të teknologjisë së informacionit. Kreu i Kuvendit tha se teknologjia e informacionit tashmë është një domosdoshmëri, për faktin se zhvillimi i saj po ecën shumë shpejt dhe ne duhet t’i zëmë trendët e këtij zhvillimi.
Duke garantuar mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për çdo iniciativë të qeverisë e cila pretendon të nxisë zhvillimin e këtij sektori dhe t’i eliminojë barrierat eventuale, kryeparlamentari Veseli vlerësoi se me një bashkim të forcave të të gjitha palëve: institucioneve, sektorit privat dhe donatorëve, mund të bëhet më tepër në këtë drejtim.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se është koha që Kosova ta ketë Universitetin e Teknologjisë Informative. Në këtë funksion, kryetari Veseli propozoi që Objekti i Kuvendit në Gërmi t’i dorëzohet sektorit të TI-së, për t’u shndërruar në Universitet të Teknologjisë Informative.
“Mbështetja për këtë fushë tejet të rëndësishme, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, me theks për rininë, do ta ketë mbështetjen time të plotë në vazhdimësi”, tha kryetari Veseli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here