Veseli: Liria nuk guxon të keqpërdoret në asnjë rrethanë dhe nga askush

0

Duke marrë pjesë në shënimin e Ditës së dëshmorëve të UÇK-së në Mitrovicë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Mitrovica me rrethinën e saj, “si e gjithë Kosova, brez pas brezi ka qenë pjesë aktive e lëvizjeve kombëtare”.
“E tillë ishte Mitrovica edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mijëra djem e vajza të kësaj ane u rreshtuan në njësitë e kësaj ushtrie, luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Qindra prej tyre dhanë edhe jetën, për tu shndërruar në shenja të përjetshme të lirisë sonë. Sot ne jemi këtu për tu përkulur para veprës së tyre heroike”, theksoi Veseli. Ai tha se nderimi për dëshmorët e lirisë nuk nënkupton vetëm takimet në përvjetorët e rënies së tyre, apo vetëm buqeta lulesh mbi varret e tyre. Nderimi më i madh për ta, sipas tij, është puna e përditshme në ndërtimin e një Kosove, ku liria e arritur me aq mund e sakrifica, nuk guxon të keqpërdoret, në asnjë rrethanë dhe nga askush.
“Nderimi më i madh për dëshmorët është puna jonë e përditshme për të ndërtuar një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, me vende pune për të gjithë, me edukim cilësor për fëmijët dhe të rinjtë tanë, me shëndetësi bashkëkohore dhe siguri për familjet tona, me institucione demokratike që u shërbejnë njësoj të gjithë qytetarëve pavarësisht dallimeve”, tha kreu i Kuvendit të Kosovës.
Kryetari Veseli vlerësoi se liria është amaneti i dëshmorëve dhe duhet të dihet se ka vetëm një rrugë për ta garantuar dhe fuqizuar lirinë: kjo është rruga e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
“Nga ky vend ku jemi tani, përballë kemi qytetin tonë të dashur Mitrovicën – qytetin me të cilin është krenuar gjithmonë Kosova. Sot Mitrovica kërkon t’i rikthehet krenaria e humbur. Ne duhet t’i lëmë anash ndasitë grupore dhe të përqendrohemi në projekte serioze për ta nxjerr qytetin tonë nga gjendja e tanishme. Ne ja kemi borxh këtë gjë Mitrovicës. Të gjithë së bashku”, tha ndër të tjera kryetari Veseli.
Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit foli edhe për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në vendlindjen e tij.
“Këto ditë qyteti ynë po përjeton emocione të fuqishme krenarie me rastin e rivarrimit të heroit tonë kombëtar- Isa Boletinit, në vendlindjen e tij. Të gjithë së bashku të manifestojmë krenari, por të njëjtën kohë edhe të jemi dinjitoz dhe tolerant. Ashtu siç i ka hije Mitrovicës dhe burrit të madh të saj, Isa Boletinit”, tha kryetari i Kuvendit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here