Veseli kërkon të tejkalohet retorika për dashurinë vëllazërore mes Kosovës e Shqipërisë, do një bashkëpunim ekonomik pa barriera

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në takim ministrin e Mirëqenies sociale dhe rinisë së Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosin. Në takim sipas një njoftimi nga Kuvendi i Kosovës u diskutua për aspektet e mirëqenies sociale, tregun e punës, edukimin profesional të rinisë dhe çështjet tjera me interes të përbashkët.

“Kryetari Veseli mirëpriti këtë vizitë duke vënë në pah gatishmërinë e legjislativit për bashkëpunim të gjithanshëm, në veçanti me Komisionin që mbulon fushën e mirëqenies sociale, punën dhe rininë. Z. Veseli tha se raportet në mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të lëvizin përtej shprehjes verbale të dashurisë vëllazërore dhe të hyjnë në fazën e bashkëpunimit konkret ekonomik, duke hequr barrierat që po e pengojnë ende këtë bashkëpunim”, është bërë e dituer në njoftimin publik.
“Sot, agjenda ekonomike dhe mirëqenia sociale është prioritet jo vetëm i legjislativit por tërë institucioneve tona. Projektet konkrete në fushat e caktuara me interes të përbashkët mund të fillojnë menjëherë, jo vetëm për edukimin profesional, duke vënë në theks specifikat dhe komplementaritetin e këtij lloji të edukimit por edhe përvojat e mira me kurikula, punësimin e të rinjve nëpërmjet edukimit profesional. Rinia jonë duhet të jetë e aftësuar jo vetëm për tregun tonë të punës, por edhe për tregun global, ngase ajo përbën aset të rëndësishëm nacional”, ka theksuar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Ndërkaq, Ministri Klosi ka vënë në pah nevojën e të dyja vendeve për aktivitete të përbashkëta që i lëvizin iniciativat e deritanishme drejt konkretizimit të projekteve.
“Përvojat e mira që kanë sjell rezultate në vendet tona mund të jenë pikënisje e mirë për thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm për edukimin profesional, tregun e punës dhe trajnimet profesionale, por edhe në trajtimin e fëmijëve pa përkujdesje prindërore”, ka theksuar ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here