Veseli i nderoi komandantin legjendar të UÇK-së dhe liderin e lëvizjes pacifiste

0

PRISHTINË, 17 SHKURT – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga nënkryetarët, Xhavit Haliti e Sabri Hamiti, deputetë e bashkëpunëtorë të tjerë, sot, në kuadër të shënimit të 7-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e ka vizituar Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz. Kryetari Veseli ka bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve dhe ka vendosur kurorë lulesh pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari. “Është ky vendi heroik, Prekazi, në të cilin prehet Komandanti Legjendar Adem Jashari. Është vend i përkujtimit dhe njëkohësisht i reflektimit se sa shumë duhet bërë ende për vendin tonë, në mënyrë që ta kemi atë më të zhvilluar për të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka thekduar me këtë rast kryetari Veseli. Më pas, kreu i Kuvendit të Kosovës e ka vizituar edhe Kullën e Jasharajve, ku është pritur nga Murat Jashari dhe anëtarë të tjerë të familjes Jashari. Pasi ua ka uruar ditën e pavarësisë, Veseli ka folur aty për të arriturat e shtetit të Kosovës gjatë shtatë viteve, por edhe për punën e madhe që duhet bërë në të ardhmen.”Nuk di nëse ka vend më të veçantë për t’u uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, 7-vjetorin e pavarësisë”, ka thënë kryeparlamentari Veseli. Në vazhdën e aktiviteteve të shënimit të 7-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit: Xhavit Haliti e Sabri Hamiti, ka bërë homazhe edhe pranë varrit të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe ka vendosur një kurorë lulesh. Me këtë rast kryeparlametari Veseli ka thënë se meqë është përvjetori i shtatë i pavarësisë së Kosovës përkujtojnë sot të gjitha ato figura dhe lëvizje të cilat më në fund arritën të realizojnë idealin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. “Përkujtojmë sot liderin e lëvizjes pacifiste Ibrahim Rugova dhe në të njëjtën kohë e përkujtojmë edhe lëvizjen e rezistencës së armatosur të Komandantit Legjendar Adem Jashari”, ka theksuar kryetari Veseli, duke i konsideruar ato lëvizje që i dhanë fuqi bashkimit, i cili kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here