Veseli i jep mbështetje funksionalizimit të Zonës së lirë ekonomike në Gjakovë

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot ka qëndruar për vizitë në komunën e Gjakovës. Kryeparlamentarin Veseli e ka pritur kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila. E para e Gjakovës Kusari-Lila dhe i pari i legjislativit të Kosovës Veseli, në konferencën e mbajtur me përfaqësuesit e mediave kanë potencuar rëndësinë e bashkëpunimit të mirë të deritashëm në mes të këtyre dy institucioneve. Në këtë takim është diskutuar për miratimin e ligjeve që ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe përkrahjen e kërkesave komunale për krijimin e një fushe sa më të volitshme për bizneset dhe për investitorët e jashtëm, duke dhënë përkrahje funksionimit sa më të shpejtë të Parkut Industrial dhe zonës së lirë ekonomike në Gjakovë. Kryetarja Mimoza Kusari-Lila u shpreh se e ka njoftuar Kryeparlamentarin Veseli për planet e komunës së Gjakovës në zhvillimin ekonomik, për hapat e ndërmarrë lidhur me fillimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Gjakovë dhe për politikat zhvillimore të bizneseve në sektorin privat me qëllim që komuna të ketë një zhvillim më të madh ekonomik. Sipas kryetares së Gjakovës, tani është momenti për të vepruar sa më shpejtë në aspektin ekonomik që të kemi një zhvillim të gjithmbarshëm dhe se nuk ka kohë për të humbur. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi domosdoshmërinë e përmirësimit të gjendjes aktuale ekonomike dhe përkushtimin e Kuvendit për aprovimin e ligjeve që prekin drejtpërdrejtë zhvillimin ekonomik. Kryetari potencoi se komuna e Gjakovës do të ketë gatishmërinë e Kuvendit për t’i proceduar sa më parë projektet që varen nga ligjet në procedurë. Kryetarja e Komunës Kusari-Lila, në këtë takim shfaqi shpresën dhe besimin se Kuvendi do të realizojë prioritetet e veta dhe do ta përmbushë agjendën legjislative, duke theksuar se zhvillimi ekonomik i vendit kërkon angazhim të shtuar dhe duhet të jetë prioritet i parë i institucioneve. Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila dhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, kanë organizuar një takim me përfaqësuesit e sektorit të bizneseve të komunës së Gjakovës. Veseli ka deklaruar se obligimet e Kuvendit janë të orientuara për nxjerrjen e ligjeve të reja që do të lehtësojnë hapësirën e veprimit të bizneseve dhe se komunat do të kenë përkrahje të veçantë, por kërkoj nga përfaqësuesit e bizneseve dhe të institucioneve komunale që të kërkojnë sa më shumë punë dhe aktivitet nga Parlamenti i Kosovës, për të vepruar në interes të zhvillimit të bizneseve dhe të zhvillimit të gjithanshëm ekonomik të vendit. Veseli ka premtuar përkrahje të fuqishme për biznese, ai ka thënë se “ne do të përpiqemi që të nxjerrim dhe të aprovojmë ligje që do të jenë në shërbimin tuaj”, duke kërkuar nga bizneset iniciativa të reja të zhvillimit. “Gjakova ka qenë shpirti i ndërmarrësisë dhe duhet të vazhdojë të jetë e tillë”, u shpreh kryetari Veseli. Ndërkohë, kryetarja Kusari-Lila, ka shtuar se institucionet e komunës kanë filluar hapat e parë të veprimit për zhvillimin ekonomik për të krijuar kushte sa më të volitshme për biznese. Një prej përparësive që do të ketë fusha e biznesit është Zona e Lirë Ekonomike e Gjakovës, heqja e taksës e tjera. Përfaqësuesit e bizneseve gjakovare i kanë treguar pengesat kryesore me të cilat përballet sektori privat duke kërkuar lehtësira doganore, heqjen e TVSH-së për mall të importuar pastaj investime nga qeveria qendrore për biznese dhe prodhimet vendore, si dhe lehtësira tjera që ekzistojnë në vendet e rajonit dhe në shtetet fqinje të Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here