Veseli fton që “ta bëjmë sundimin e ligjit moralin tonë, nderin tonë, patriotizmin tonë”

0

PRISHTINË, 17 SHKURT – Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një seancë solemne me rastin e 7 vjetorit të shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. “Dita e Pavarësisë së Kosovës është një ditë e përkujtimit, për të gjithë ata qytetarë të Kosovës që në kohë të ndryshme, në rrethana të ndryshme, vende të ndryshme dhe mënyra të ndryshme, punuan për këtë ditë të madhe”, ka thënë me këtë rast kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. “17 shkurtin duhet ta përjetojmë edhe si një ditë të madhe të nderimit, për miqtë tanë ndërkombëtarë – miqtë e Lirisë sonë. Ata ishin bashkë me ne në rrugën tonë të lirisë dhe pavarësisë, në vitet e vështira të rezistencës paqësore, kur bota po hynte në trazirat e postkomunizmit ata na i hapën dyert, e dëgjuan zërin e një populli të shtypur dhe na ndihmuan që ky zë të bëhej edhe më i fuqishëm. Dhe me 5 mars 1998, kur në Prekazin e Adem Jasharit, nisi kryengritja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e pranuan të vërtetën e madhe se kjo kryengritje në themel të saj kishte vetëm një ideal: Lirinë – vlerën më të madhe të civilizimit perëndimor”, është shprehur ai. “17 shkurti, Dita jonë e Pavarësisë është edhe ditë e vlerësimit për punën tonë të përbashkët.7 vite pas shpalljes së pavarësisë ne duhet të shohim rrugën që kemi ecur në ndërtimin e shtetit tonë të lirë dhe demokratik. Janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Hallkat bazike të shtetësisë janë konsoliduar. Zhvillimi demokratik i institucioneve ka ecur përpara. Vendi gëzon një stabilitet të qëndrueshëm makro-ekonomik dhe rritja ekonomike ka ritme positive”, ka shtuar ai. Veseli ka tërhequr vërejtjen se përkundër arritjeve ka ende punë për t’u bërë. Dialogun me Serbinë e ka quajtur “nevojë, standard, partneritet dhe instrumenti më i mirë për të fituar paqen”. Veseli ka bërë thirrje që “ta bëjmë sundimin e ligjit Moralin Tonë, Nderin Tonë, Patriotizmin Tonë”. Duke iu referuar largimeve të fundit nga Kosova kryeparlamentari kosovar ka tërhequr vërejtjen se “Kosova kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të lejojmë të bëhet vend i shpresave të humbura për qytetarët e saj”. “Qëndrimi në atdhe është shpirti ynë, jo ikja prej tij. Ndryshimi në atdhe është detyra jonë e përbashkët”, është shprehur ai. Në seancën solemne kanë marrë pjesë veç deputetëve e kabinetit qeveritar, edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ish-presidentët e Shqipërisë Rexhep Mejdani e Alfred Moisiu, simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi, ambasadorë vendesh të huaja, të akredituar në Kosovë dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare dhe të OJQ-ve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here