Veseli: Duhet të kthehemi në Krushë, për të dëgjuar zërin e lirisë, leksionin e përjetshëm të njerëzimit

0

Me rastin e 16-vjetorit të masakrave në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, duke marrë pjesë, ka mbajtur fjalë rasti në tubimet përkujtimore në këto dy fshatra ku ka vendosur kurora lulesh pranë Memorialit Përkujtimor dhe varreve të dëshmorëve e martirëve. Në fjalën e tij para familjarëve të dëshmorëve, martirëve e të pagjeturve të Krushës së Madhe, autoriteteve të ndryshme qendrore e lokale, dhe qytetarëve të tjerë të shumtë, kryetari Veseli ka thënë se “26 marsi është një ditë e rëndë dhe e dhimbshme jo vetëm për Krushën, por për gjithë Kosovën”. “Regjimi i Milosheviqit, duke parë fundin e tij në Kosovë, po lëshohej me egërsinë më të madhe mbi qytetet dhe fshatrat e Kosovës, për ta zhdukur identitetin kombëtar shqiptar, duke djegur e vrarë popullsinë e pafajshme civile. Kosovën, ndërkaq, synonte ta kthente në tokë të djegur, sepse nuk po arrinte ta mbante të nënshtruar”, është shprehur Veseli.”Më 26 mars 1999, kjo egërsi mbuloi edhe Krushën e Madhe të sa e sa patriotëve që përgjatë një shekulli dhanë jetën dhe mundin e tyre për lirinë e Kosovës. Krushën e Madhe të mendimtarit më të madh të lirisë, intelektualit të pashoq Ukshin Hotit, të cilin që nga viti 1981 e torturonin burgjeve, por nuk arrinin ta thyenin shpirtin e tij”, ka theksuar kryetari Veseli. “Derisa regjimi serb po i vriste shqiptarët në Krushë, po përgatiste edhe planin për ta zhdukur Ukshin Hotin, e nëpërmjet tij, t’i zhdukte idenë dhe qëllimet që ai kishte. Por, serbët nuk arritën as ta vrasin Krushën e as ta zhdukin idealin e Ukshin Hotit, për faktin se UÇK-ja arriti t’i rezistojë asaj barbarie, ta fuqizojë luftën e saj dhe t’i realizojë idealet e veta”, ka vazhduar kryeparlamentari Veseli. “Krusha është vend i kujtesës sonë kombëtare. Janë vendet e kujtesës ato që mbajnë gjallë kombin, vetëdijen e tij, moralin e tij, idealet për të ardhmen e tij. Prandaj, sa herë që ne do të kemi hamendje në vlerat tona, në moralin dhe synimet tona për të ardhmen tonë, ne duhet të ndalojmë te ky vend martir, duhet të kthehemi në Krushë, për të dëgjuar zërin e lirisë, leksionin e përjetshëm të njerëzimit se liria – vlera më e madhe e popujve, i ka rrënjët në dhimbjet dhe sakrificat njerëzore”, ka përmbyllur Veseli.

Veseli3

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here