Vërshime në Mitrovicë,shkak gypi i ujësjellësit

0

‘Tuneli i Parë’ që ndodhet rreth 5 kilometra larg qytetit të Mitrovicës është vërshuar të premten nga uji, si rezultat i shpërthimit të një gypi të ujësjellësit.

 

Miran Fazliu, banor i këtushëm, ka bërë të ditur për KosovaPress se një gjendje e tillë me ujë nëpër rrugë mbretëron nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Sipas tij, gjendja nëpër rrugë herët në mëngjes ka qenë edhe më e rëndë, sepse ka qenë e vërshuar po thuajse tërësisht, por Kompania e ujësjellësit e ka ndalur ujin dhe tani nëpër rrugë ka më pak ujë.

“Kjo që tani po shihni është mirë qysh ka qenë më herët dhe tek ne ndodhë shpesh një gjë e tillë. Kurrë askush nuk ka investuar as 10 euro për këtë punë prej paslufte e këndej. Jemi bërë si me qenë banorë të Serbisë dhe askush s’mërzitet për ne”, ka thënë mes tjerash Fazliu.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga KosovaPress, drejtori teknik në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit në Mitrovicë, Kadri Istrefi, ka sqaruar se në Tunelin e Parë ka ardhur deri te shpërthimi i një gypi furnizues të ujit, që ka shkaktuar probleme në këtë lokacion.

Ai theksoi se ekipet përkatëse janë nisur tanimë në vendngjarje dhe brenda dy-tre orëve pritet sanimi i këtij defekti dhe normalizimi i gjendjes në përgjithësi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here