Vendoset që rruga ta mbajë emrin e Millosheviqit në Ranillug

0

Kërkesa për emërtimin e një rruge me emrin e Sllobodan Millosheviqit, në komunën e Ranillugut, është miratuar, “sipas procedurave të Kuvendit të kësaj komune” dhe tashmë pritet vetëm vendosja e tabelës që bartë këtë emër.

Lajmin e ka konfirmuar për rel, Sasha Aleksiq, kryesues i Kuvendit të Komunës së Ranillugut.

“Unë jam përfaqësues i pushtetit legjislativ. Në bazë të të gjitha normativave dhe në bazë të ligjeve – konkretisht, pasi që atje ekziston një rrugë me emrin Sllobodan Millosheviq – i kemi udhëzuar këshillat e fshatit dhe këshilltarët që t’i bëjnë listat e rrugëve”.

“Ata i kanë dorëzuar ato lista dhe ne vetëm i kemi zbatuar procedurat e Kuvendit. Unë nuk kam kompetenca të drejtpërdrejta dhe as jo të drejtpërdrejta që të bëj presion mbi qytetarët. Unë vetëm e respektoj vullnetin e qytetarëve që më kanë sjellë në këtë vend”, tha Aleksiq.

Millosheviq ishte akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë viteve të 90-ta.

Millosheviq është gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në gjykatën e Hagës më 11 mars 2006.

Aleksiq thotë se e ka të qartë se emërtimi i rrugës me emrin e Millosheviqit mund të nxis reagime, por ai, siç thotë, “nuk mundi të bënte asgjë më shumë se sa ta zbatonte ligjin”.

Megjithatë, ai ka shpjeguar se miratimi i Kuvendit Komunal të Ranillugut për emërtimin e rrugëve, nuk është hapi i fundit në këtë proces.

“Mund të ekzistojë një vendim i kryetarit, apo ministrisë, për kthimin e kësaj çështjeje në procedurë të Kuvendit. Ekzistojnë mundësitë që kjo të hidhet poshtë. Ta zëmë që nesër mund të më vijë vendimi nga ministria për anulimin e këtij vendimi dhe unë si kryetar i Kuvendit të komunës, jam i obliguar që sërish ta kthej në shqyrtim”, theksoi Aleksiq.

Kuvendi Komunal i Ranillugut udhëhiqet nga përfaqësues të Listës Serbe.

Vetë komuna ndërkaq është krijuar gjatë procesit të decentralizimit të pushtetit qendror, të paraparë me planin e Marti Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Gjatë ditës pritet që për çështjen e emërtimit të rrugëve të prononcohen përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here