Vendi i enigmave të mëdha

0

SALAJDIN SALIHU

Kur u dha lajmi se nxënësi i dikurshëm problematik u bë kryeministër, mësuesja e sëkëlldisur sa nuk i ra murit me kokë. Shqetësimin e mësueses pakkush e mirëpriti. Nxënësi i dikurshëm, që ëndërronte të bëhej boksier apo aktor, ishte heroi i gjallë i shtetit me paragjykime të shumta ndëretnike, të cilat i shfrytëzoi skajshmërish teksa e ndërtonte piramidën e pushtetit të tij.

Gruevski krijoi kultin e liderit të përkushtuar, vital dhe të pa kompromis ndaj kërkesave të shqiptarëve. Ofroi rreth vetes politikanë të rinj, të cilët, si studentë, shumëfishonin parulla fashiste kundër shqiptarëve dhe arsimit në gjuhën shqipe. Albanofobë me vetëdije rurale, ata ishin të përshtatshëm për “vizionin” e kryeministrit të ri, i cili, duke parë se subjektet politike shqiptare ishin të paafta, të çorientuara, pa strategji, që bënin garë kush do të jetë pjesë e skemave të tij pushtetare, u soll si padron kundrejt tyre. Kjo e bënte politikanin e pakontestueshëm në syrin e votuesit maqedonas.

U fuqizua edhe për shkak të përplasjeve brenda opozitës maqedonase, por iu la hapësirë veprimi edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila, e lodhur nga marrëzitë e liderëve të rajonit, filloi të mos kujtohej as për zbatimin e një marrëveshjeje, tanimë me afat të skaduar përdorimi, ku kishte dalë si garant.

Kjo mungesë vëmendjeje e trimëroi të vetëbegenisurin, i cili i shkeli të gjitha parimet demokratike dhe gjithçka e futi nën kontroll, i sigurt se do të tolerohej për shkak të pozicionit delikat gjeopolitik të Maqedonisë. Madje, drejtoi antenat drejt Rusisë, e cila, pas Ukrainës, ka interes për një Ballkan të trazuar.

Çdo raport negativ i bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimet në vend, i thënë me gjuhë prej diplomatësh, “përkthehej” nga mediat e kontrolluara prej tij si arritje e madhe për vendin. Kështu zullumi u trash, sa duhej impuls për të sjellë tronditjen. Për shkak të zullumit fati i Maqedonisë mbetet enigmë, kurse fajtor kryesor është regjimi i lojërave të rrezikshme, madje për rajonin. Ky regjim shquhet për lojëra të rrezikshme – tensionimet e programuara ndëretnike…

Gjithashtu, nëpërmjet makinerisë propagandistike dhe elitave djallëzore akademike, që nuk peshojnë në botën shkencore, regjimi u imponua si “rimëkëmbës” i kombit maqedonas. Bëri investime marramendëse në sferën e “kulturës” e “historisë”, në emër të krijimit të një identiteti të ri maqedonas. Në sfond ishte synimi i formimit të “njeriut të ri” maqedonas – me vetëdije përjashtuese, mitike, që i humbte kontaktet me realitetin dhe zhytej në dimensionet e miteve që ua prodhonte makineria e regjimit.

Në një shtet me shumë kultura, kombe, gjuhë e religjione, që sipas përkufizimit janë dinamike, jo stabile dhe të kushtueshme, regjimi imponoi arrogancën nacionale dhe dominimin kulturor. Për të forcuar identitetin e ri, sajoi armiqtë. Tek maqedonasi i kontaminuar me albanofobi, klani perceptohej si ndërtues i Maqedonisë së re, por në fakt është shkatërruesi i saj. Nëse shqiptarët do të donin shpërbërjen e Maqedonisë, nuk duhet të bëjnë asgjë tjetër, veçse t’ia zgjasin jetën këtij regjimi.

Në këtë rrëmujë roli i politikës shqiptare ka qenë episodik. Politikanët shqiptarë jetojnë me iluzionin se kanë lindur për të qenë në pushtet. Ky është shkaku që tani sillen si demi i harlisur në arenë…

Gruevski që mposhti të gjithë kundërshtarët në ringun politik, herë me grushte, herë me taktikë, befas ka pësuar goditje. Është në prag të nokautit, por qëndron në këmbë. Është kokëfortë. Nuk do ta dorëzojë duelin derisa t’i shteren fuqitë. Ai çdo ditë po e humb mitin që ja ka krijuar vetes. Nëse nuk shkon gjithçka drejt katandisjes, ata që do të vijnë duhet së pari ta demontojnë sistemin që e krijoi ai dhe paraardhësit e tij. Pa këtë demontim nuk ka shpresë për asgjë. Një qeveri kalimtare do ta privonte Gruevskin nga vota klienteliste. Në planin afatgjatë Maqedonia duhet të ndryshojë shumë për të siguruar mbijetesën.

Shqiptarët e duan ikjen e Gruevskit, aq më shumë kur e shohin si pengesë për idealin e tyre europian, por vuajnë nga frika retrospektive, prandaj hamendësohen nëse duhet t’i jepet përkrahje e pa rezervë Zaevit. Nuk duan vetëm ndërrimin e pushtetit, por edhe të sistemit shtetëror. Zaevi nuk ka hipoteka ndaj shqiptarëve, por duhet të paguajë çmime për mëkatet e etërve të dikurshëm të partisë që e drejton. Në agjendën e tij është rrëzimi i këtij regjimi. Sistemi i ri nuk mund të krijohet vetëm nga Zaevi, por edhe nga politika shqiptare dhe shoqëria civile; me një politikë përtej shablloneve folklorike, me vizion e strategji të qartë, në sinkron me idealin e gjithmbarshëm për të qenë pjesë e familjes europiane. Lindja e një politikë të re nuk varet nga askush tjetër veç shqiptarëve, të cilët janë në fazën e hamendjeve, sharjeve dhe mallkimeve. Po me hamendje, sharje dhe mallkime asnjë komb nuk ka fituar asgjë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here