Veliaj shpall fitoren: Do ndërtojmë një bashki që i bashkon njerëzit

0

 

Erion Veliaj ka falënderuar publikisht qytetarët e Tiranës që e votuan për Kryetar Bashkie. Sipas tij, pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime, e çuan Shqipërinë dhe Tiranën në drejtimin e duhur. Ndërkohë Veliaj i ka bërë thirrje administratës aktuale në Bashkinë e Tiranës që të mos ndërpresë shërbimet ndaj qytetarëve por të vazhdojnë normalisht punën dhe që të mos nënshkruhen kontrata të minutave të fundit sepse për këtë do ketë një audit.

“Nëse ka dikush që ishte dyshues për reformën e re administrative, që ishte cinik për qytetarin e këtij vendi, skeptik për demokracinë, sot ka një përgjigje. Qytetarët dolën masivisht në votime dhe i dhanë fitoren ASHE-së, në 46 bashki të Republikës së Shqipërisë . Me këtë fitore shumica e shqiptarëve vendosi që të çojë Shqipërinë në drejtimin e duhur dhe për këtë jemi mirënjohës dhe të përulur. Dua të falënderoj vëllain tim, kolegun përkushtuar, Saimir Tahirin! Premtimet që dhamë në fushatë do të marrin zgjidhje. Kjo është fushata më e ndershme që është zhvilluar ndonjëherë” , tha ai. Ndërkaq, kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, falënderoi kundërshtarin e tij, Halim Kosova për mënyrën e të bërit fushatë. Gjithashtu Veliaj u bëri thirrje kundërshtarëve të tij që të mos e ndjejnë veten humbës por fitues dhe që të japin kontributin e tij për Bashkinë e Tiranës.

“Faleminderit kundërshtarit tonë, Halim Kosova, i cili u nda nga linja e partisë së tij,u nda nga kultura e përbaltjes dhe  shpifjeve që helmojnë politikën shqiptare. Halimit dhe kundërshtarëve të mi politik u them se mes nesh ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë. Mezi pres bashkëpunimin tuaj për Bashkinë e Tiranës”, ishin fjalët që u drejtoi kandidatëve kundërshtarë. Në fund Veliaj  premtoi se do të ndërtojë një basku që nuk i përçan njerëzit.

“Nuk jemi pushtues të këtij qyteti por administratorët e rinj të Tiranës. Qytetarët me fitoren që na dhanë na kërkojnë që të mbajmë përgjegjësi të mëdha.  Do ndërtojmë një bashki që i bashkon njerëzit dhe nuk i përçan ata. T’i lëmë pas tifozeritë politike dhe të kuptojmë që Tirana është shtëpia jonë e përbashkët.  I kërkoj administratës të Bashkisë Tiranë që të mos ndërpresë shërbimet e qytetarëve deri në ndryshimin e saj. Të mos lidhen kontrata të minutave të fundit. Bashkia do ketë një audit për transparencë. Ndjehem njeri i bekuar nga gjithë dashuria dhe mbështetja juaj dhe kjo është provë se në këtë qytet dhe vend, mund t’ia dalësh edhe pa qenë një familje e njohur”, tha Veliaj./Gazeta Shqip/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here