Vdiq bilbili i këngës shqipe Bik Ndoja

0

Ndahet nga jeta në moshën 90-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, bilbili i këngës qytetare shkodrane, Bik Ndoja.

Ndoja është një nga këngëtarët më të shquar të muzikës popullore shkodrane të gjysmës së dytë të shek. XX. Ai lindi në Shkodër më 13 gusht të vitit 1925 dhe kreu gjimnazin në shkollën e vjetër “Jordan Misja”.

Lidhur me muzikën popullore, ai e filloi këngën që në moshë të vogël, por njihet nga të gjithë se për herë të parë këndoi në një dasmë familjare, shoqëruar nga një prej formacioneve popullore me vegla të qytetit të Shkodrës, ku drejtonte dhe interpretonte në fizarmonikë Karlo Radoja.

Gradualisht, aktiviteti i tij u zgjerua dhe më shumë nëpërmjet koncerteve që dha në të gjithë Shqipërinë, si dhe në ato jashtë shtetit. Ai ka kënduar një numër të madh këngësh ndër të cilat përmendim: “Elbarojen ta pata fal”, “Si dukat i vogël je”, “Jare të due”, Kënga e Ded Gjo’Lulit etj.

Në vitin 1969 iu akordua titulli “Artist i merituar”, ndërsa në vitin 1999 Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoi titullin “Krenaria e qytetit”. Në vitin 2007, Qendra Kombëtare e veprimtarive folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, ndërsa që në vitin 2011 pranë institucionit të Presidentit qëndron dosja për akordimin e titullit “Mjeshtër i madh”, por që asnjëherë nuk iu dha.

Për herë të fundit, Bik Ndoja mori pjesë në një aktivitet artistik në vitin 2014, atë të “Ahengut Shkodran”.

Homazhet në nderim të bilbilit të këngës qytetare shkodrane, Bik Ndoja, do të zhvillohen në teatrin “Migjeni” ditën e hënë nga ora 11:00-13:00.

/ ATSH / 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here