Vdes Nusret Bejkosalaj, një ndër themeluesit e komunitetit shqiptar të Otavës

0

Ka vdekur Nusret Bejkosalaj, një ndër themeluesit e komunitetit shqiptar të Otavës. Lajmin e ka dhënë Ambasada e Shqipërisë në Kanada.

“Sot komuniteti shqiptar i Otavës dhe i mbarë Kanadasë humbi njeriun dhe patriotin e nderuar Nusret Bejkosalaj.
Bir i Vlorës dhe i vendosur që në rininë e hershme në Kanada, z. Bejkosalaj përfaqësoi gjithë jetën tiparet e shqiptarit të mirë, atdhedashës, sipërmarrësit të palodhur që me punë të ndershme ndërtoi nga e para një zinxhir të sukseshëm biznesesh, duke shërbyer si model në jetën ekonomike dhe publike të kryeqytetit federal.
Si një ndër themeluesit e komunitetit shqiptar të Otavës, bashkëatdhetarët e këtushëm do të nderojnë sot e gjithmonë humanizmin dhe kontributet e tij dhe të familjes në forcimin e jetës komunitare, krenarinë e prejardhjes dhe ruajtjen e rrënjëve identitare.
Xha Nusreti, siç shpeshherë e quanim me dashuri, do të mbahet mend si financuesi dhe botuesi i parë i veprës së Ismail Qemalit në Amerikën e Veriut. Me forcën e karakterit, magjinë e komunikimit, sensin unik të humorit, mbi të gjitha me shembullin e jetës së tij, vënë në shërbim të familjes, kombit shqiptar dhe Kanadasë që e mikpriti në gjirin e vet, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme te të gjithë njerëzit që kanë pasur fatin ta kenë afër dhe të bashkëpunojnë me të.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada i përcjell ngushëllimet më të thella bashkëshortes së tij të shtrenjtë, Nderit të Kombit, znj. Shano Bejksosaj, vajzës së tij Lumturi, tre djemve, Besnikut, Iljazit e Tomorrit, Fisnikut, dy mbesave të dashura Aminës dhe Nurit dhe gjithë familjarëve të z. Bejkosalaj në Kanada dhe në Shqipëri”, ka shkruar Ambasada shqiptare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here